E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi në sulm për Henri

Sipas "DiarioSport", Interi ka filluar tentativat informale për afrimin e sulmuesit të Barcelonës, Tierri Henri. Francezi është bërë pjesë e klubit katalan në verën e kaluar, pas tetë viteve të mrekullueshme tek Arsenali. Por, paraqitja e Henrit nuk ishte në nivelet e pritura dhe sulmuesi cilësohet si një prej lojtarëve që mund të largohen pas "revolucionit" në prag të sezonit të ri. Më shumë flitej për rikthimin e mundshëm në Premiership, te Çelsi ose Njukasëlli, por nga Italia vijnë zërat se Anxhelo Mario, djali i presidentit Morati, ka pyetur rreth Henrit kur ndodhej në Barcelonë, duke biseduar për Ronaldinjon. Ndërkohë, francezi ka thënë për gazetën "Le Parisien", se sezonin e ardhshëm, dëshiron të qëndrojë me "blaugranat". "Për sa i përket së ardhmes sime, nuk dëshiroj të largohem. Kam edhe tre vjet kontratë dhe dua të jem sërish te Barça edhe në sezonin tjetër".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›