E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat e kryeqytetit që do të preken nga projektet e Bashkisë së Tiranës

Plani Rregullues për Tiranën prek qendrën dhe komunat përreth. Funksioni që do të kenë zonat e ndryshuara nga zbatimi i projektit

Emanuela Sako
Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit. Projekti i Bashkisë së Tiranës për rregullimin e territorit do të prekë qendrën e Tiranës dhe komunat përreth, të cilat do të marrin funksione të reja apo do të përmirësojnë kushtet e atyre ekzistuese. Një pjesë e madhe e zonave informale dhe ato që e kanë të nevojshme përshtatjen e kryeqytetit me parametrat e një qyteti europian, do t’iu nënshtrohen një sërë ndryshimesh. Zonat më të prekura nga ndryshimet janë periferitë dhe kryesisht zona e Kamzës dhe Bregu i Lumit, apo shtrirja që do të ketë ndërtimi i Unazës së Madhe. Projekti i Bashkisë parashikon që në këtë pjesë të Tiranës të bëhet një ndërhyrje e thellë, ku të prishen të gjitha ndërtimet pa leje, ato që pengojnë për zbatimin e projektit. Njëkohësisht dhe qendra e qytetit do të preket nga disa ndryshime, pasi në këtë pjesë nuk do të ketë qarkullim të automjeteve. Prioritet do të kenë këmbësorët dhe të gjitha ata që kërkojnë të lëvizin me biçikleta.
Zonat
Zonat më të prekura nga ndryshimet kanë një shtrirje që nis nga qendra e kryeqytetit dhe në periferitë e tij.
Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Madhe prek atë pjesë të kryeqytetit që nis që nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi.
Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
Tjetër zonë që do të preket është ish-fusha e aviacionit, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila do të kthehet në një park me pemë, gjelbërim, kënde lojërash etj. Ndërsa përsa i përket pjesës së Kamzës, do të bëhet një punë voluminoze për shkak të mjaft ndërtesave pa leje të ndërtuara në çdo cep të kësaj pjese të Tiranës. Kjo zonë do të ketë disa qendra tregtare dhe rrugë apo rrugica të detajuara në bazë të planifikimit urban që do të bëhet nga projekti për zonën. Pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe pjesa e Bregut të Lumit, ku tani është kthyer në një “karantinë” banesash të vogla, që strehojnë të pastrehët e kryeqytetit.
Qendra
Qendra e Tiranës do të jetë pjesa më e rëndësishme e projektit, e cila do të ruajë elementët e saj tradicionalë, por do të pësojë disa ndryshime përsa i përket qarkullimit të kontrolluar të makinave. Në këtë zonë lëvizja e automjeteve do të minimizohet dhe do të kthehet në një zonë për kalimin e këmbësorëve dhe lëvizjes me biçikleta. Kjo qendër do të ketë mundësinë e krijimit të një korpusi universitar. Pjesë e rëndësishme e projektit është krijimi i Lumit të Lanës në një park me pemë dhe gjelbërim më të madh se ai aktual. Kjo është cilësuar nga bashkia si një pjesë e rëndësishme dhe unike për vetë faktin se lumi kalon përmes qendrës së qytetit, e cila i jep pamje mjaft të bukur qytetit. Prioritet do t’u jepet objekteve me vlera historike dhe arkitektonike në pjesën e vjetër të zonave të Tiranës, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore. Projekti i rehabilitimit të sheshit “Skënderbej” synon rivitalizimin jo vetëm të sheshit dhe të perimetrit përreth tij, por edhe restaurimin e simboleve historike të Tiranës, si Xhamia Et’hem Beut, Kulla e Sahatit si dhe Ndërtesa e Sahatçiut.

Box
Pularia
Josif Pashko dhe Pularia - stacion treni dhe zonë mikse
Stacioni i Trenit
Pjesë te Stacioni i Trenit dhe Blloku i Magazinave - vijim i bulevardit, zonë polifunksionale
Reparti ushtarak dhe zona te Antibiotiku – kampus universitar, zonë kërkimesh shkencore dhe zone mikse

Hekurudha
Krijimin e parkut gjatë shinave të trenit, kalimi nëntokë i hekurudhës, për të lehtësuar lidhjen organike, midis lindjes dhe perëndimit dhe lidhjen e gjelbër midis qendrës e Parkut të Paskuqanit.
Mundësi zgjerimi të shërbimeve spitalore, akses më i lehtësuar në këto territore (zgjerim te ish-uzina “Partizani”)

Zona e Kinostudios
Fuqizimi me aktivitete i polit kulturor ekzistues në Kinostudio
Zgjerim drejt veriut të Varrezave të Tufinës – (rezervim toke)
Përshtatje e zonave të prodhimit dhe lidhje e tyre me transportin publik

Zona industriale
Transformim i ish - zonave industriale të degraduara në zona me funksione mikse (ekonomi, banim, sociale etj).

Te Bregu i Lumit parashikohen të ndërtohen:

Ndërtesa të reja
Rrugë të reja
Qendra tregtare

Qendra e Tiranës
Rrugë për këmbësorët dhe për biçikletat
Korpus universitar
Shtim të hapësirave të gjelbra në sheshe

Lumi i Lanës
Kthehet në park me shtimin e pemëve dhe gjelbërimit

Ish-Fusha e Aviacionit (pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit)
Park me hapësirë të gjelbër, me pemë, bar, stola dhe lodra për fëmijët

Zhvillimit të njësive rreth e rrotull Tiranës
Kashari
Farka
Dajti
Paskuqani

Klubi sportiv “Partizani”
Rivitalizimi i stadiumeve ekzistuese dhe hapësirat ekzistuese sportive

Identifikimi dhe vlerësimi i objekteve me vlera historike arkitektonike të zonës

Ish-aeroporti
Krijimin e parkut te ish-aeroporti

Unaza e Madhe
Unaza e Madhe, që nis që nga Shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Projekti kalon në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›