Konflikti për pronën, hetim në gjendje të lirë për “pushtuesin”
Durrës - Duket se prona mund të pushtohet edhe në mes të ditës me diell në Shqipëri. Të paktën kështu ka ndodhur dy ditë më parë, kur policia e Durrësit ka vendosur të ndjekë në gjendje të lirë shtetasin Riza Shaba, lindur dhe banues në fshatin Shën Vlash, Komuna Rrashbull, Durrës, me arsim 8 klasë. Shaba rezulton se ka pushtuar tokën e shtetasit Kreshnik Muka, banor i po këtij fshati. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Pushtim i tokës”, parashikuar nga Neni 200 i Kodit Penal. Por ndonëse policia vendosi të hetojë në gjendje të lirë Riza Shabën, duket se të dhënat dhe denoncimet në policinë e Durrësit flasin për shumë raste të ngjashme, të cilat janë shumëfishuar ndjeshëm muajt e fundit.
Aksidentet automobilistike, në pranga dy drejtues mjetesh
Shoqërohet në komisariat pasi aksidentoi veten dhe i shkaktoi vdekjen kushëririt. Bëhet fjalë për qytetarin Asllan Kulla, i cili ndërroi jetë dje në Spitalin Ushtarak. Kulla ndodhej i shtruar prej disa javësh pas dëmtimeve që kishte pësuar në aksidentin automobilistik, ku kushëriri i tij, Gëzim Kulla, po drejtonte mjetin jashtë çdo lloj rregulli të qarkullimit rrugor, në aksin Mazhë-Krujë. “Për këtë arsye ka filluar procedimi penal në ngarkim të shtetasit Gëzim Kulla, i cili ka qenë drejtues i mjetit, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit”, të parashikuar nga Neni 290/1 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme”, - njoftoi dje policia. Një tjetër aksident i ndodhur mbrëmjen e së hënës ka vënë në pranga drejtuesin e një motoçiklete në Shkodër. “Rreth orës 21:00 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Kolec Deda, 44 vjeç, banues në fshatin Grudë, Komuna Rrethina, Shkodër. Arrestimi i tij u bë për arsye se më datë 20.11.2008, rreth orës 18:00, në aksin rrugor Shkodër-Grudë, duke qenë në drejtim të mjetit të tij, motoçikletë e markës Yamaha, pa targa, është përplasur me një biçikletë të drejtuar nga shtetasi M. K., 65 vjeç, banues në fshatin Grudë, i cili si pasojë e goditjes nga motoçikleta ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër në gjendje të rëndë shëndetësore”, -njoftoi dje policia e Shkodrës.
22 Nentor 2008