Murinjo beson te fitorja
06/04/2005 Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, është shprehur shumë optimist për takimin kundër Bajernit të Mynihut, duke theksuar se lojtarët e tij dinë shumë mirë se çfarë të bëjnë. “Skuadra është gati dhe stafi po ashtu, ka komentuar Murinjo. Ne e kemi studiuar shumë mirë këtë ndeshje. Për fat të keq nuk mund të komunikoj dot me atë gjatë fillimit të takimit, por për aq sa kemi punuar së bashku, ata i kuptojnë fare mirë skemat e mia. Lojtarët kanë një entuziazëm pozitiv dhe një besim të madh në vetvete. Prandaj në grup, ata do t’ia dalin mbanë edhe kësaj radhe”. Trajneri portugez nuk është aspak i shqetësuar për zhvillimin e takimit të parë në “Stemford Brixh” dhe nuk mendon se skuadra e tij do të dorëzohet edhe për ndeshjen e kthimit në Gjermani. “Do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne, ka shtuar Murinjo. Mua nuk më pëlqen që lojtarët e mi do të ndihen nën presion, për rezultatin e ndeshjes së parë, sepse asnjëherë nuk mund ta kuptosh se kur vjen suksesi i dëshiruar. Mund ta kuptosh nëse rezultati është pozitiv kur në takimin e dytë do të skualifikohesh apo jo. Prandaj, ne nuk ndihemi nën presion ashtu siç mendojnë të tjerët. Ne duhet të fitojmë dhe pa pësuar gola. Kjo është dëshira ime dhe ajo që unë kam kërkuar nga lojtarët e mi para se të fillojë ndeshja”. Po ashtu Murinjo ka bërë të ditur se sulmuesi Mikael Forsell do ta nisë takimin nga pankina, pasi ka kaluar shtatë muaj rekuperim prej dëmtimit në gju. “Mikael do të jetë i pranishëm në pankinë, ka vazhduar Murinjo. Nuk do të kemi Arjen Roben, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar, si dhe Mateja Kezhman që është i skualifikuar. Në këtë mënyrë, ne kemi nevojë për një sulmues më shumë dhe prandaj prania e Forsell do të jetë mjaft e rëndësishme. Deri tani mjekët kanë bërë një punë shumë të mirë me atë dhe unë mendoj se Mikael do të jetë në gjendje që të japë një kontribut të madh për skuadrën e tij. Kam shumë besim te të gjithë lojtarët e mi dhe sidomos tek ai, sepse ka një mentalitet prej fitimtari. Gjithmonë kam thënë se mentaliteti pozitiv i lojtarëve mund të ndikojë shumë mirë te mbarëvajtja e skuadrës”.