E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi-Bajern, asnjë favorit

06/04/2005  Hoze Murinjo, njeriu më “trazovaç” në futbollin anglez, do të jetë i detyruar ta ndjekë skuadrën e tij nga shkallët e stadiumit, për të dy takimet çerekfinale të Ligës së Kampioneve kundër Bajernit të Mynihut. Murinjo është dënuar nga autoritetet e UEFA-s, me dy ndeshje skualifikim, si pasojë e polemikave aq të përfolura për sfidën e “Kamp Nou”. Kështu, atij nuk do t’i lejohet që të takohet me lojtarët e tij përpara apo pas ndeshjes që do të zhvillohet në “Stemford Brixh”. Po të njëjtat masa ndëshkimore vlejnë edhe për takimin e kthimit në Mynih. UEFA ka gjobitur edhe klubin londinez, me një vlerë prej 62.240 dollarësh, ndërsa Murinjon me vlerën e 8.000 dollarëve. Trajneri portugez është ndëshkuar me akuzën e shpifjes kundrejt trajnerit të Barcelonës, Frenk Rajkard. Nisur nga situata e krijuar mes Murinjos dhe klubit londinez, të gjithë sytë janë hedhur te skuadra, e cila pas vetëm tri fitoresh në takimet e radhës do të shpallet kampione e Anglisë. Sipas mbrojtësit të talentuar gjerman, Robert Huth, mungesa e Murinjos do të jetë shumë e rëndë për skuadrën. “Për ne nuk do të jetë aspak e lehtë që të luajmë me mungesën e tij në pankinë, ka thënë Huth. Megjithatë duke ditur këtë fakt, atëherë çdo lojtar do të mundohet që të japë maksimumin, sepse të tjerët duhet ta dinë të vërtetën për skuadrën tonë”. Kudo që të ndodhet Murinjo, Çelsi do të japë gjithçka në fushën e lojës kundër Bajernit, skuadër e cila rikthehet sërish në Londër, pasi ka skualifikuar nga ky kompeticion, Arsenalin. Por, për bavarezët, blutë do të jenë një kundërshtar më i rrezikshëm se sa “Topçinjtë”, edhe pse holandezi Arjen Roben dhe portugezi Paulo Ferrera do të jenë mungesa të rëndësishme. Pothuajse të gjithë lojtarët e formacionit titullar të Çelsit janë në një gjendje shumë të mirë fizike. Londinezët nuk janë mposhtur në shtëpi prej gati nëntë muajsh dhe aq më tepër nuk kanë pësuar asnjë gol në tre takime të zhvilluara kundër skuadrave gjermane. Nga ana tjetër Bajerni do të zbresë në fushë pa mesfushorin argjentinas, Martin Demikelis, i cili është i skualifikuar si dhe pa sulmuesin peruan, Klaudio Pizarro që vuan nga një tërheqje muskulore. Feliks Magath kur ishte trajner me Shtutgartin ka fituar kundër Çelsit, në njërën nga ndeshjet e zhvilluara me rezultatin 1:0. E megjithatë, ai vazhdon të jetë i shqetësuar për formën fizike të bomberit holandez, Roi Makai. Ai edhe pse ka pësuar një dëmtim të lehtë duket se do të jetë në dispozicion të Magath për sfidën e sotme. Fitorja në transfertë kundër Volfsburg e ka mbajtur ende Bajernin në krye të klasifikimit të Bundesligës dhe në këtë mënyrë, optimizmi është i lartë për të siguruar një rezultat pozitiv me Çelsin, sidomos pas suksesit të arritur ndaj Arsenalit. Përveç Guerreros pritet që Magath t’i japë një mundësi për t’u aktivizuar edhe iranianit, Vahid Hashemian, i cili ka udhëhequr përfaqësuesen e tij në fitoren 2:1, kundër Japonisë. Ndërsa, mungesa e Demikelis pritet që t’i hapi rrugë aktivizimit të Sebastian Daisler.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›