E Diel, 1 Nëntor 2026

Euroderbi në tension

06/04/2005  Dy rivalët e vjetër do të përballen sërish me njëri-tjetrin në “San Siro”

Ky mund të quhet fare mirë derbi më pak i dëshiruar, por hedhja e shortit në Nion ka vendosur që historia të përsëritet. Kështu, presioni në qytetin e Milanos është tepër i madh në pragun e sfidës midis dy rivalëve të vjetër, siç janë Milani e Interi. Por, duket se e gjithë vëmendja është përqëndruar në trajnerin zikaltër, Roberto Mançini. Ndërsa, milanistët vazhdojnë të ruajnë kujtime mjaft pozitive nga euroderbi në vitin 2002, ku kanë skualifikuar Interin nga takimi gjysmëfinal. Për momentin, skuadra e Ançelotit gjendet në kreun e renditjes së Serisë A, bashkë me Juventusin. Ndërkohë Mançini do të mundohet t’iu tregojë të gjithëve për superioritetin e Interit, edhe pse janë bërë gati 16 vjet shpenzime të mëdha financiare, pa fituar asnjë trofe të rëndësishëm me përjashtim të dy Kupave UEFA. Po t’i referohesh ndeshjeve të fundit, Milani do të jetë skuadra favorite për këtë sfidë. Edhe në takimin e zhvilluar në Serinë A, gjatë muajit shkurt të këtij sezoni, Milani ka fituar përballë Interit me rezultatin e ngushtë, 1:0. Në tetë ndeshjet e fundit të zhvilluara midis tyre, Milani vazhdon të mos e njohë humbjen. Fitorja e fundit për zikaltërit ka qenë në marsin e vitit 2002, ku një gol i Kristian Vierit i ka dhuruar fitoren skuadrës së tij. Por, kjo fitore është harruar shumë shpejt nga humbja e turpshme pas një viti me rezultatin e thellë, 6:0. Në fakt koncepti i avantazhit të shtëpisë dhe transfertës nuk përfillet shumë në derbin e Milanos që zhvillohet në “San Siro”, por kuqezinjtë do ta ndjejnë veten më të privilegjuar në sfidën e sotme. Tifozët e Interit do të zënë më pak vende në krahasim me milanistët në stadiumin me kapacitet me 80.000 vende. Një lajm i mirë për skuadrën e Ançelotit do të jetë rikthimi i sulmuesit ukrainas, Andrij Shevçenko, i cili e ka vazhduar gati një muaj fazën e rekuperimit prej dëmtimit në nofull. Ai është në sezonin e gjashtë me Milanin dhe ka shënuar plot 11 gola kundër Interit, përfshi këtu edhe golin vendimtar në gjysmëfinalet e vitit 2003. Si pasojë e vdekjes së Papës, Shevçenko nuk ka arritur të rikthehet në takimin e fundjavës, por në sfidën e sotme do të jetë i gatshëm për Milanin, duke u pozicionuar përkrah argjentinasit, Hernan Krespo. Ndërsa, Interi nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin brazilian Adriano, i cili vazhdon akoma fazën e rekuperimit, pas dëmtimit në gju. Por, ndoshta mund të rikthehet sërish në fushë për takimin e dytë që do të zhvillohet në datën 12 prill. Ndërsa, Mançini pa prezencën e Vierit dhe Adrianos, do të aktivizojë dyshen e sulmit Martins-Kruz.

Liga e Kampioneve / Çerekfinalet

Dje

Lion – PSV 1:1

12’ Malouda \ 79’ Koku

Liverpul – Juventus 2:1

10’ Hipia, 25’ Luis Garsia \

63’ Kanavaro

Sot

Milan – inter

Çelsi – Bajern Mynih

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›