E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo nën hetim, goditi me grusht një tifoz të Junajted

Policia e Mançesterit po heton trajnerin e Interit, Hoze Murinjo, sepse ai ka goditur me grusht një tifoz të "Djajve të Kuq", menjëherë pas ndeshjes së vlefshme për Ligën e Kampioneve. Sipas tabloidit "The Sun", "Sky Sports" dhe agjencisë së lajmeve "Associated Press", drejtuesi i stolit zikaltër e ka sulmuar tifozin anglez në afërsi të autobusit të Interit, në momentin kur po largohej nga "Olld Traford", pas humbjes 2-0 që i eliminoi italianët nga aktivitetet ndërkombëtare për këtë sezon. Forcat blu të Mançesterit kanë kontaktuar drejtuesit e Junajted, duke kërkuar regjistrimet e telekamerave në zonën ku ndodhi episodi, ndërkohë konfirmohet denoncimi kundër teknikut luzitan. "Pak minuta përpara mesnate, një person është goditur me grusht në rrethinat e stadiumit ‘Olld Traford‘, lexohej në një deklaratë për shtyp të policisë. Denoncimi është bërë dhe tashmë po hetojmë rreth arsyeve të këtij agresioni". Drejtuesit e klubit britanik kanë deklaruar se janë në dijeni të këtyre akuzave, por nuk preferojnë të bëjnë asnjë koment të mëtejshëm. Ndërkohë, lajmi është përgënjeshtruar menjëherë nga Murinjo, që në Apiano Xhentile rifilloi përgatitjet me skuadrën për ndeshjen e ardhshme në Serinë A.

Gazetat

Murinjo u largua me kokën poshtë nga "Olld Traford". E vërteta është se tashmë portugezi nuk është më "Special One" dhe këtë ia theksuan përgjatë gjithë ndeshjes tifozët me këngën e tyre. Mançesteri i Sër Aleks Ferguson luajti "ndeshjen perfekte", duke mposhtur 2-0 Interin dhe siguruar një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Kori i mbështetësve të Junajted është shndërruar në titullin e madh të "Daily Mirror", "You‘re not special any Mour". Në insertin sportiv të tabloidit nuk kishte si të mungonte edhe fotoja dyshe me Kristiano Ronaldon përballë Murinjos dhe fjalët: "Kush është speciali tani"? "No way, Jose", ishte titulli i madh i "Daily Mail", e cila ironizonte rreth polemikave të trajnerit për topin e ndeshjes (Murinjo nuk donte që të luhej me topin e kuq, por me atë që zakonisht përdoret në Champions). Ferguson deklaronte se "Junajted ishte edhe pak me fat", pas dy shtyllave të goditura nga zikaltërit. Sipas "Daily Express", trajneri skocez është hakmarrë ndaj kolegut ("Fergie‘s revenge"), falë "startit perfekt, me të cilin Interi është kthyer në shtëpi". Ngacmimet nuk kanë munguar as në kolonat e "Daily Telegraph", ku theksohej se momenti i vetëm kur Murinjo arriti të "prekte" Mançesterin, u regjistrua në fund të takimit, gjatë përqafimit me Ferguson. "The Independent" e vinte theksin te yjet e Junajted, të cilët arritën të thyenin taktikat e trajnerit të Interit dhe të fitonin me një prej skuadrave pretendente në këtë edicion. Edhe "Daily Star" fliste me superlativa për provën e "Djajve", që u treguan më superiorë se skuadra që aktualisht po dominon në kampionatin italian. Një pjesë e meritave për këtë triumf ishin të "Special Ron" (Kristiano Ronaldo), që me golin e dytë të takimit i dha goditjen përfundimtare bashkëkombësit të tij. Ndërkohë, nga tribunat e stadiumit tifozët thërrisnin me ironi: "Bye bye Murinjo", duke përshëndetur humbjen e njeriut që deri të mërkurën në mbrëmje ishte trajneri të cilit i trembeshin më shumë në "Olld Traford".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›