E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çifti Marku shiti lezhianen 50 mijë lekë

10/02/2005  Vajza është shfrytëzuar në Sarandë, më pas në Greqi e Gjermani

TIRANË – Janë burrë e grua nga Lezha. Gruaja quhet Marie dhe burri Lazim Marku. Për të nxjerrë përfitime pa punuar kanë futur në kurth një vajzë po nga i njëjti qytet. Leonora Maksuti e ka emrin vajza, e cila u gënjye. Fillimisht, vajza së bashku me çiftin shkuan në Sarandë. Data kur Leonora është larguar nga shtëpia, sipas akuzës është 13 nëntor 2001. Çifti nga Lezha, që tashmë është i akuzuar dhe po gjykohet nga Krimet e Rënda, e dërguan në Sarandë dhe aty e detyruan të ushtrojë profesionin e prostitutës.

Trafiku

Më pas, çifti nuk kishte dëshirë ta mbante dhe vendosi ta shesë. Emri i personit që e ka blerë dihet që është Bujar dhe banues në Patos, ndërkohë që për mbiemrin, Prokuroria nuk ka arritur të bëjë asgjë. Fati i vajzës, pasi u shit nga çifti për 50 mijë lekë, vazhdoi të endej nga njëri cep i Evropës në tjetrin, në duar të ndryshme për qëllime përfitimi. Bujari nga Patosi e bleu për ta shitur më pas më shtrenjtë në rrugët e Greqisë. Ai e dërgon në Athinë për ta shfrytëzuar. Të gjithë historinë vajza e ka treguar me detaje në sallën e gjyqit.

Dosja

Kjo dëshmi, sipas akuzës, ndodhet në dosjen hetimore si një nga provat kryesore, së bashku me disa kaseta ku janë inçizuar biseda mes trafikantëve në momentn e bërjes së pazareve. Vajza ka pohuar, se në Athinë i është nënshtruar disa torturave dhe e detyruar ka punuar në rrugë për 6 muaj rresht. Të gjitha fitimet shkonin në duart e tutorit nga Patosi, i cili ka mbetur i paidentifikuar. Pas kësaj përvoje të hidhur në Greqi, në semaforët e Athinës, Maksuti është dërguar në Gjermani. Në të gjitha rastet e kalimit të kufirit për vajzën nga Lezha, janë përdorur dokumente të falsifikuara. I është ndryshuar emri disa herë. Fitimet në Gjermani kanë qenë të shumta, ndërkohë që edhe presionet nga tutorët shtoheshin për çdo ditë. Pasi punoi për një kohë të gjatë në Gjermani, vajza kapet nga policia me dokumente të falsifikuara. Ajo riatdhesohet në mesin e vitit 2003. Sapo mbërrin në port, e dëmtuar, hap librin e tregimit të kalvarit të vuajtjeve të saj. Të parët që akuzon drejtpërdrejtë janë burrë e grua nga Lezha. Megjithëse fitimi i tyre nga shitja ishte i vogël. Por e dëmtuara ka shpjeguar se është përdorur nga të pandehurit në një banesë në Sarandë si prostitutë. Ata i fusnin në dhomë klientë të ndryshëm, duke marrë fitimet e vajzës, i jepnin thërrimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›