Muskujt e LSI-së
Eduard Zaloshnja
Kam patur rastin të vëzhgoj nga afër dy mitingje të së majtës - një në korrik 2006 dhe këtë të fundit, mbajtur të premten. Në të dy, duke i parë nga pozicioni i një vëzhguesi të jashtëm, gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje ka qenë synimi i LSI-së për të demonstruar se i ka muskujt më të fortë se të PS-së. Kjo, jo vetëm në kuptimin figurativ, por edhe në atë literal. E kam fjalën për muskujt e djemve që mbajnë flamujt dhe banderolat e partive përkatëse. Për shembull, në mitingun e së premtes, kur procesioni i protestuesve arriti tek ura pranë hotel “Dajtit”, vetëm banderolat e LSI-së ishin në ballë. Dhe papritmas, një tufë djemsh të rinj me flamuj të PS-së ia behën me vrap nga trotuaret. Me sa kuptova, ishte rënë më parë dakord që mitingu të mos kishte ngjyra partiake, por LSI siç duket nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes, dhe kishte sjellë banderolat me siglën e saj. Prandaj dhe djemtë flamurmbajtës të PS-së u munduan të dilnin para djemve muskulozë të LSI-së, të cilët i shtynin konkurrentët e tyre me bërryla deri sa procesioni i protestuesve arriti para Kryeministrisë.
Në pamje të parë, lufta e muskujve mes djemve flamurmbajtës të dy partive të majta duket si një metaforë e goditur e konkurrencës mes LSI-së dhe PS-së. Por problemi është se ajo deformon magnitudën e përkrahjes reale që secila prej tyre ka në gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që në garën se kush nxjerr më në pah flamurët përkatës gjatë mitingjeve, LSI-ja mund të dalë barazim apo edhe të fitojë ndaj PS-së, kur vjen puna tek përkrahja në elektorat, partia e udhëhequr nga Meta është shumë prapa partisë së udhëhequr nga Rama. Kështu, në zgjedhjet e fundit lokale, PS-ja ishte partia e parë e së majtës, ndërsa LSI-ja e ndiqte nga pas me një diferencë prej pothuaj 30 pikësh. Dhe pyetja është nëse kjo diferencë ka ndryshuar sot në mënyrë të ndjeshme. Përgjigjja e shkurtër e kësaj pyetje është “si zor”. Ndërsa përgjigjja e gjatë vijon më poshtë.
Historia botërore na tregon se një parti e re bëhet dominante vetëm në rastet kur ndodhin tronditje të forta të sistemit politik, ose kur elektorati stërlodhet nga klasa politike ekzistuese. Kështu, PD-ja jonë e shumë parti të ngjashme të Europës Lindore u bënë parti dominante fill pas ndryshimit tektonik që solli rënia e komunizmit. Ndërsa “Forca Italia” e Berluskonit u bë forcë dominante pasi elektorati italian ishte lodhur me klasën e vjetër politike, e cila kishte kontrolluar për dekada të gjitha levat e shtetit. Gjithashtu partia e ish-Mbretit Simeon të Bullgarisë u bë partia numër një vetëm pasi socialistët dhe demokratët e kishin lodhur elektoratin bullgar me paaftësinë për të qeverisur më shumë se nga dy vjet vendin.
LSI e pati shansin të bëhej parti dominante në Shqipëri në vitin 2005, kur elektorati i majtë dhe i lëkundur ishte lodhur nga papërgjegjshmëria me të cilën kishte qeverisur Fatos Nano. Por ajo mori realisht rreth 10% të votave. Shumë pak për të qenë parti dominante, por mjaftueshëm për ta zbritur Nanon nga froni i tij arrogant. Pra LSI-ja nuk i ndreqi dot punë vetes - ajo thjesht i prishi punë Nanos. Duke i hapur kështu rrugën Berishës për t’u bërë Kryeministër dhe Ramës për t’u ngjitur në krye të PS-së...
Por pse ndodhi kështu me LSI-në? Në zgjedhjet e 2005 nuk u krye ndonjë exit poll për të studiuar pse votuan shqiptarët ashtu siç votuan, por hamendje edhe mund të bëhen. Arsyeja e parë që të vjen në mend për të shpjeguar rezultatin modest të LSI-së në 2005-ën është se udhëheqësi i saj, pavarësisht se i ri në moshë, ishte një veteran në politikë. Dhe sado i suksesshëm mund të kesh qenë si politikan, pjesëmarrja e gjatë në majat e politikës ta konsumon emrin. Ndryshe ishte puna me Berluskonin apo Simeonin. Ata kishin qenë biznesmenë të suksesshëm që u futën në politikë si “të jashtëm”, të cilët po i thonin mjaft të gjithë klasës politike ekzistuese. Dhe ishte pikërisht statusi i “të jashtmit” që i bëri partitë e tyre të arrinin një ngjitje meteorike vetëm 4 muaj pas themelimit.
Duke ndjekur LSI-në pas 2005-ës, mund të vësh re se strategjia e saj mbetet e ngjashme me atë që ndoqi kur në krye të PS-së ishte Nano. Sulmohet kryetari i PS-së për korrupsion dhe butësi ndaj Berishës, me synim që elektorati i majtë të orientohet drejt LSI-së, partisë që udhëhiqet nga ish-Kryeministri më i suksesshëm i së majtës. Por problemi i kësaj strategjie është se, përderisa nuk pati sukses në 2005 (kur kontrasti mes kryetarëve të PS-së dhe LSI-së ishte aq i madh), si mund të ketë tani kur Kryetar i PS-së është Rama, kryebashkiaku më i suksesshëm i së majtës? Për sa kohë që Rama nuk është kapur në ndonjë skandal madhor, dhe përderisa ai vazhdon t’u garantojë të majtëve se PS-ja do i fitojë zgjedhjet e 2009-ës, është shumë vështirë që strategjia e erozionit që aplikon LSI-ja të funksionojë.
Dhe ç’do mund të bëjë Meta në qoftë se partia e tij vazhdon të mbetet deri në zgjedhje një parti minore? Ose do bëjë koalicion me PS-në, ose do punojë nën rrogoz për një fitore të dytë të Berishës. Në këtë rastin e fundit, shpresa e Metës do ishte realizimi nga ana e tij e asaj gjëje që bëri Rama në 2005 - ngjitjen në krye të PS-së. Por a do e falin socialistët një dhuratë të tij të dytë për Berishën?!?!