Topalli: Rama ka rrahur gratë e veta
SHPRESA DINE
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka sulmuar dje ashpër kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një turi të ndërmarrë prej saj, i quajtur “Gratë për gratë”.
Duke folur nga kalaja e Lëkursit, kreu i Parlamentit, njëherësh edhe nënkryetare e Partisë Demokratike, akuzoi Ramën si hipokrit lidhur me dhunën në familje dhe barazinë gjinore. “Ai që çon në spital të çarë e të gjakosur familjarët e tij, çdo grua që ka patur afër, përfshirë nënën. Ai që qëllon dhe godet në praninë e të tjerëve, akte që s’i bën kush, veç ato që nga sëmundja kanë humbur vetëkontrollin dhe përgjegjësinë, janë një arsye më shumë që të mos tërhiqemi, pikërisht për këtë. Ai që drejton keq djemtë e rinj, fenomen i burrit pa burrëri, janë më shumë se një arsye që më shumë zonja të jenë në Parlament”, theksoi Topalli. Duke iu referuar daljes së pak ditëve më parë të kreut të PS-së, gjatë një takimi për barazinë gjinore, Topalli tha se “jo më larg se dy ditë më parë, dëgjova shokun kryetar të PS-së të fliste për dhunën në familje. Me hipokrizi recitonte për raportet gjinore. Ky shok kishte ngulur fort mbi hundë maskën. Ishte maska që politikanë, burra si puna e tij e mbajnë fort. Kjo është e keqja e grave në politikë, se i duhet të përballen me maskat. Do përballesh me burra që nuk janë burra. Thonë se janë burra vetëm se fyejnë, shajnë e truajnë. Janë burra që s’kanë familje, që nuk duan familje. Janë burra që kanë rrahur gratë më të afërta të tyre, dhe jo vetëm për vetëm, por edhe në publik”. Kryetarja e Kuvendit ftoi gratë e gjithë Shqipërisë të angazhohen për të qenë më të shumta në Parlament, që ky institucion të jetë realisht më përfaqësues. Sipas saj, nëse gratë do të ishin më shumë, do të ishte bërë edhe më e fortë lufta ndaj dhunës në familje. Topalli u fokusua pikërisht në domosdoshmërinë e të luftuarit të dhunës ndaj grave, të cilën ajo e konsideroi manifestim i pushtetit historikisht të pabarabartë mes burrave dhe grave. “Dhuna ndaj grave e vajzave, tha Kryetarja e Kuvendit, është një epidemi që vret, torturon e dëmton fizikisht, psikologjikisht, seksualisht dhe ekonomikisht. Ajo është dhunim i të drejtave, mohim i barazisë, i sigurisë, i dinjitetit, i shëndetit. Ne duhet të jemi më shumë në Parlament për të hequr maskat e burrave të dhunshëm. Për të shpjeguar se një burrë që ushtron dhunë me familjarët e tij, që ve regjim terrori në shtëpinë e tij është i papranueshëm, është i dënueshëm, është i përçmu-eshëm, e aq më pak të jetë në politikë”, u shpreh më tej kryetarja e Kuvendit. Në takimin e organizuar me gratë e Sarandës, folën gra përfaqësuese të këtij qyteti. Suela Isai, maturantja sarandiote, e renditur e para në Shqipëri, falënderoi të gjitha mësueset e Sarandës për përkushtimin, dashurinë dhe përkujdesjen që ato tregojnë ndaj nxënësve. Drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të Sarandës, Kristina Muho, vlerësoi se aktivitetet e Kryetares së Kuvendit për fëmijët pa prindër janë “një ndër misionet më njerëzore që ju ndërmerrni. Fëmijët e të gjithë botës kanë nevojë për dashuri. Këta fëmijë kanë shumë më tepër nevojë, pasi fati është treguar i keq me ta, ndërsa i ka privuar nga dashuria prindërore”.
Topalli në memorialin e të përndjekurve
Zbulimi i memorialit që u kushtohet 1200 viteve burg e internime në fshatin Mursi të Sarandës, ka qenë aktiviteti kryesor i kryeparlamentares Jozefina Topalli në ditën e shtunë. Në qendër të fshatit ajo është pritur nga kryetari i shoqatës së të përndjekurve për këtë fshat, Andrea Gjika, nga deputeti Leonard Demi dhe kryekomunari Dhimo Kote. Në sheshin kryesor të fshatit u zhvillua një tubim përkujtimor për të gjithë të dënuarit nga diktatura me burgime e internime. Mirëseardhjen ia ka uruar zonjës Topalli kryetari i të përndjekurve Andrea Gjika. Topalli, në fjalën e vet e ka vlerësuar fshatin Mursi si një fshat i rrallë në shkallë vendi, që e ka pësuar kaq keq nga diktatura. Pas kësaj ajo ka zbuluar memorialin e ngritur në qendër të fshatit nga shoqata e të përndjekurve politikë të Mursisë.