E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimi i Barkës, Berisha: Do e shqyrtoj kërkesën e PBDNJ

 

Kryeministri Berisha ka folur dje për herë të parë lidhur me përçarjen e fundit në radhët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. I pyetur nga mediat gjatë disa inaugurimeve në Katund të Ri, kreu i qeverisë tha se sapo të marrë kërkesën e kryesisë së PBDNJ-së për shkarkimin e Kosta Barkës, atëherë do të vendosë për të. “Sapo të marr kërkesën, unë do ta shqyrtoj. Ky është një koalicion që funksionon mbi bazën e marrëveshjeve ndërpartiake”, deklaroi Berisha. Ndërkohë, burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur për gazetën se kreu i qeverisë po heziton lidhur me këtë kërkesë të kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Nga ana tjetër, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, njëkohësisht edhe nënkryetar i PBDNJ-së, Kosta Barka, është shprehur dje se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Sipas tij, nuk ka pasur mbledhje të kryesisë së kësaj partie, por një kafe mes pesë anëtareve të këtij forumi. “Unë nuk jam Solis të flas çdo ditë. Nuk ka pasur mbledhje të kryesisë, është një mbledhje e një grupi të veçantë. Nuk është diskutuar, nuk ka vendim. Në qoftë se mblidhen pesë vetë dhe pinë një kafe dhe është unanim....”, theksoi dje Barka. Vendimin e kryesisë së kësaj partie për shkarkimin e Kosta Barkës e ka bërë të ditur një ditë më parë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Gjatë një mbledhje të kryesisë të zhvilluar ditën e mërkurë, është marrë vendimi për zëvendësimin e Barkës, i cili deri tani ka qenë përfaqësuesi i partisë së minoritetit në qeveri. Burime pranë kësaj mbledhje bëjnë të ditur për gazetën se në kryesi ishte thirrur të merrte pjesë edhe Kosta Barka, i cili njëkohësisht është anëtar i kryesisë së PBDNJ-së, por që nuk ishte i pranishëm në këtë takim. Gjatë mbledhjes është propozuar pikërisht shkarkimi nga detyra e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barkës, për shkak të rezultateve të dobëta në ministrinë që ai drejton gjatë këtyre tre viteve. Dule bëri të ditur gjithashtu se ky propozim është pranuar nga të gjithë anëtarët e kryesisë dhe nuk ka pasur kundërshtime. Sipas drejtuesve të lartë të PBDNJ-së, pas vendimit të kryesisë, Kosta Barka ka shkarkuar sekretarin e përgjithshëm të ministrisë, Andrea Marto, i cili është kryetar i degës së OMONIA-s në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›