Berisha të shprehet për koalicionin
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i ka kërkuar dje Kryeministrit Berisha të shprehet zyrtarisht lidhur me marrëveshjen mes PD-së e PDK-së. Duke folur gjatë një takimi në Elbasan, Ndoka u shpreh se, “ne i kërkojmë kryeministrit t’i kthehet politikës institucionale dhe të respektojë marrëveshjen e nënshkruar, duke i rikthyer demokristianët në qeverisje. Kjo është e vetmja rrugë për të garantuar fitoren e maxhorancës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Ndoka kërkoi edhe njëherë para demokristianëve elbasanas, që Kryeministri Berisha të largojë nga postet e tyre zv.ministrat Gurakuqi dhe Bushati, pasi ata nuk përfaqësojnë Partinë Demokristiane dhe institucionet e saj legjitime. Ndoka përsëriti gjithashtu kërkesën e PDK-së për mbledhjen e tryezës së partive të koalicionit qeverisës për reformat e rëndësishme, siç është Reforma Zgjedhore, Reforma në Drejtësi etj. “Përjashtimi i aleatëve nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja, ka dëmtuar standardin e reformave dhe ka krijuar një kosto të panevojshme për procesin e integrimit të vendit”, tha Ndoka.