E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Padi në Kushtetuese ligjit të Alibeajt”

 

Fatos Mahmutaj

“I kërkojmë deputetëve që të pezullojnë miratimin e projektligjit “Për administratën gjyqësore” deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës së Gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese”. Manjola Bejleri, kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, nëpërmjet një deklarate për shtyp kërkoi dje mosmiratimin e draftit të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë, i cili është rrjedhojë i një ligji, për të cilin tashmë po kërkohet shfuqizimi i tij nga Kushtetuesja dhe për më tepër janë grupet e interesit ata që e kërkojnë këtë. Ky projekt, i cila pak ditë më parë ka kaluar në qeveri, është caktuar të shqyrtohet nga deputetët në fillim  të javës së ardhshme. Duke argumentuar kërkesën për Kuvendin, Bejleri pohoi se pezullimi i votimit të draftit do të mundësonte parandalimin e veprimeve që po kryhen në shkeljen e pavarësisë së gjyqësorit. Ndërkohë më tej Bejleri sqaroi në emër të SHKGJ se, i bënte sërish thirrje deputetëve që t’i shërbejnë realisht reformimit të drejtësisë duke miratuar ligje që rrisin garancitë për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, integritetit të tij dhe jo kundër interesave të gjyqësorit dhe publikut.
Ankesa
SHKGJSH paraqiti mesditën e së premtes në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të disa prej neneve të ligjit të gjyqësorit, rrjedhojë e dispozitave të të cilit sipas togave të zeza, është edhe projektligji për administratën gjyqësore. Ligji për gjyqësorin, sipas togave të zeza, cenon pavarësinë e këtij pushteti si parim kushtetues, cenohet pavarësia organizative dhe atë funksionale. Sipas Bejlerit, bazuar në këtë konkluzion, SHKGJSH i ka kërkuar Kushtetueses shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikës dy të nenit 37 ku thuhet se, “Kancelari i gjykatës emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë”, si dhe dy pikat e para të nenit 38 ku përcaktohet se: “Kancelari i gjykatës ka këto kompetenca kryesore: emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës; mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar”.
Grupi i interesit
Gjatë konferencës së djeshme Bejleri pohoi se, me draftin për administratën gjyqësore po procedohet në mënyrë të njëjtë si edhe me ligjin për gjyqësorin. “Ritheksojmë qëndrimin tonë kritik lidhur me mospërfshirjen e gjyqtareve, pavarësisht kërkesave tona të përsëritura dhe as të administratës gjyqësore në diskutimin e këtij projektligji. Gjithashtu, për hartimin e këtij projektligji nuk është marrë mendimi dhe nuk është përfshirë as KLD në grupin e punës, duke e përjashtuar qeverinë e gjyqësorit si grupimi më i interesuar në këtë projekt”, tha Bejleri duke përfunduar se përsëritja e kësaj mënyre të proceduari dhe shpejtësia me të cilën është kryer ky proces nuk ka të bëjë aspak me norma demokratike dhe vë në dyshim zgjidhjet më të mira për reformën në drejtësi.

Kërkohet të shfuqizohen

Neni 37
...Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë.
Neni 38
...kancelari emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës;
...kancelari mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar.
Argumentet e gjyqtarëve
Administrimi kalon nën varësi direkte vertikale të ministrit të Drejtësisë. Kjo për arsye se kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri.
Hiqet totalisht mundësia e gjyqësorit për të administruar shërbimet në gjykatë.
Bie ndesh me Kushtetutën pasi sistemi i qeverisjes në Shqipëri bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Si dhe faktit se gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Rrezikohet përqendrimi i pushtetit në duart e një organi apo të personave të caktuar, gjë që praktikisht mbart me vete rrezikun e shpërdorimit të tij.
Ligji për gjyqësorin cenon qartë pavarësia organizative, funksionale dhe financiare të këtij pushteti.
Projektligji “Për administratën gjyqësore”, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, i pasuar dhe nga Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore, është rrjedhojë e këtyre dispozitave që konsiderohen si të papajtueshme me Kushtetutën.
Gjykatësit dhe KLD, si grupe interesi nuk u përfshinë në procesin e bërjes së këtij ligji.

Ligji, përplasi ministrin me togat e zeza

TIRANE – Drafti i ri për administratën e gjyqësorit erdhi pak muaj pas përplasjeve publike mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me gjykatësit. Gjatë gjithë kohës ministri Alibeaj ka hedhur akuza të shumta drejt togave të zeza, ndërsa kulmi i tyre ishte presioni i tij për të detyruar sekretaret të plotësojnë një formular tip pas përfundimit të çdo seance gjyqësore. Ndërkohë në urdhëresa të tjera ministri ka detyruar kancelarët e gjykatave të përzgjedhë me anë të shortit gjykatësit, me të cilët duhet të punojnë sekretaret. Pas këtyre, togat e zeza kanë reaguar nëpërmjet dy shoqatave të tyre, duke pretenduar se urdhrat e ministrit janë tendencë për të vënë gjyqësorin nën ekzekutiv. 

Prokurorët kundër heqjes së imunitetit e termit raportim
TIRANE – Institucioni qendror i akuzës ka mbledhur mendime nga të gjitha Prokuroritë e vendit gjatë javës së fundit me qëllim për të analizuar draft-projektin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë “Për prokurorinë”. Burime zyrtare nga Prokuroria, thanë se të hënën e shkuar, të gjitha prokurorive në rrethe, prokurorive të apelit dhe asaj të Krimeve të Rënda iu dërgua nga një kopje e draftit të Ministrisë së Drejtësisë dhe u kërkuan mendime. Të premten prokurorët në të gjithë vendin kanë dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme propozimet për ndryshime në draftin e hartuar deri më tani nga Ministria e Drejtësisë. Propozimet i janë dorëzuar kryetarit të Këshillit të Prokurorisë Sokol Stojani, i cili do të hartojë përmbledhjen e qëndrimit të organit të akuzës mbi projektligjin, të cilat ditën e hënë do të dërgohen në Ministrinë e Drejtësisë. Projektligji i kësaj të fundit “Për Prokurorinë” shkaktoi reagime të ashpra nga prokurorët, madje edhe nga vetë Kryeprokurorja Ina Rama. Organi i akuzës kundërshtoi nenin për pezullimin e kryeprokurorit, i cili u hoq si dhe nenet për heqjen e imunitetit simbolik të prokurorëve dhe futjen e termit raportim në Kuvend nga ministri i Drejtësisë për veprimtarinë e Prokurorisë. Sipas prokurorëve, me përmbajtjen aktuale drafti i Ministrisë së Drejtësisë cenon boshtin kushtetues të akuzës.                                tr.so 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›