E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: S‘na kanë pyetur për projektligjin e Gjyqësorit

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha dje se, më e rëndësishme sesa përmbajtja e projektligjit “Për gjyqësorin” është më-nyra e hartimit të tij. 

 Indirekt ai ka kritikuar mënyrën se si Ministria e Drejtësisë ka paraqitur këtë projektligj duke arritur deri aty sa siç tha Spahiu, të mos marrë as mendimin e KLD-së. I ftuar në studion e “Zërit të Amerikës” pas takimeve me zyrtarë të lartë të administratës amerikane ku ndodhet për vizitë, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vijoi se “është disi e çuditshme, por për një projektligj si ky, i administratës gjyqësore i cili është shumë i rëndësishëm, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili është qeverisja e gjyqësorit, nuk ka qenë as pjesë e grupit të punës, nuk ka qenë as e mendimit për këtë projekt, ndoshta më duhet të them që kjo është hera e parë që marr informacion për këtë çështje”.  Ai shtoi se, me keqardhje nuk dëshiron të futet në detajet e këtij projekti, pasi personalisht si profesionist vlerëson se më i rëndësishëm është procesi. “Ne duhet të mësohemi nga leksionet që na japin miqtë tanë ndërkombëtare nga eksperiencat e vendeve demokratike. Procesi legjislativ dhe projekte të rëndësishme për institucionet kushtetuese, duhet t’i nënshtrohen një rruge, dhe duhet të hartohen në ditën me diell dhe jo në errësirë, pra duhet të jetë një proces ku të dëgjohen grupet e interesit. Kjo është shumë më rëndësishme se sa detajet e projektit”, vijoi më tej nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu.
Korrupsioni
Zyrtari i lartë i KLD-së tha dje se, korrupsioni mbetet një nga pengesat kryesore të Shqipërisë. “Por për hir të së vërtetës, ndonëse gjithmonë kam qenë kritik për sa i përket problemeve të korrupsionit, do të thosha qe është i dukshëm progresi i Shqipërisë në çëshjten e luftës së korrupsionit. Së pari, ka arritje të dukshme në luftën kundër korrupsionit, në dhënien e ryshfeteve në sektorin publik si taksat, doganat, tatimet etj., por edhe në gjyqësor, ashtu siç mbetet përsëri problematike ndërhyrja e biznesit në politikë, në çështjet e prokurimeve, privatizimeve, dhe padyshim në transparencën e financimeve të partive politike në mbështetje gjatë fushatave elektorale. Gjithsesi pjesa progresiste tërësisht mbetet. Në forcën ndëshkuese për herë të parë kemi drejtorë, qeveritarë, deputetë, ministra dhe gjyqtarë të ndëshkuar, madje edhe të proceduar penalisht, por edhe të dënuar me vendim fajësie nga gjykatat, dhe që e gjithë kjo tablo aq sa gri edhe rozë, ka bërë që në tërësi të gjithë indikatorët që analizojnë korrupsionin në Shqipëri për 2008 të jenë dhe do të jenë disi më pozitivë se sa vitet e mëparshme”, vlerësoi nënkryetari i KLD-së Spahiu.
Reformat
Ai ka vlerësuar dje rolin e Presidentit të vendit Bamir Topi në reformimin, fuqizimin dhe rritjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor në Shqipëri. “Janë bërë hapa progresiste, ka disa tentativa për reformë ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë me iniciativën e Presidentit të Republikës, i cili ka ardhur në krye të shtetit prej një viti, që njëkohësisht është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai ka një vizion të qartë, i cili së bashku me disa drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe atyre kushtetuese, është bërë një platforme dhe një doktrinë e qarte, filozofi e cila mund të nxjerrë shumë shpejt institucionet shqiptare dhe shtetin shqiptar nga tranzicioni i gjatë që ka lodhur qytetarët, për më shumë se dy dekada”, theksoi Kreshnik Spahiu. Ai shtoi se, brenda pak muajve, të gjithë gjykatat dhe prokuroritë shqiptare kanë ridimensionuar dhe rinovuar drejtimin, administrimin dhe funksionimin e tyre, duke vendosur në krye të këtyre institucioneve njerëz profesionistë dhe tërësisht apolitikë, duke u bazuar në sistemin e karrierës. “Padyshim, për herë të parë komuniteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë aktiv. Për herë të parë gjyqtaret janë aktivizuar nëpër organizimet e tyre sindikale. Për herë të parë kemi një force dëshmuese të gjyqësorit”, është shprehur nënkryetari i KLD-së Spahiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›