Reforma në drejtësi, G99 takim me avokatët
TIRANE – Reforma në drejtësi ka mbledhur në një tryezë të përbashkët lëvizjen G99, me Forumin e Avokatëve për Drejtësi. Takimi u organizua paraditen e djeshme në ambientet e hotel “Tirana”, në kuadrin e procesit të komunikimit me grupe të ndryshme interesi, nëpërmjet të cilave G99 synon hapjen e kanaleve të komunikimit për të vjelë ide e kontribute për programin e saj politiko-social. Në qendër të diskutimit ishin problemet me të cilat përballet komuniteti i avokatëve në Shqipëri, si dhe diskutime të përgjithshme por dhe teknike mbi reformën në drejtësi, si dhe kontributin potencial që ky komunitet mund të ofrojë në kuadër të kësaj reforme. Duke folur në këtë dëgjesë, kryetar i FAD-it, Idajet Beqiri, theksoi se institucioni i avokatisë në Shqipëri nuk gëzon respektin e duhur sa i përket marrëdhënieve me administratën gjyqësore dhe me prokurorinë. I mbështetur dhe nga mendimet e shumë anëtarëve të tjerë të FAD, Beqiri pohoi se, avokati është një element thelbësor i sistemit të drejtësisë, duke qenë se përfaqëson drejtpërsëdrejti interesat e popullatës e cila përballet me sistemin gjyqësor. Nënkryetari i FAD, Përparim Rama, nënvizoi se në krahasim me vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, Shqipëria është tepër prapa në garantimin e statusit ligjor dhe të prestigjit që i takon institucionit të avokatisë. Erion Veliaj, kreu i G99 u shpreh se, sot në Shqipëri siguria e jetës është në nivelin më të ulët të mundshëm, dhe se problemet në sistemin e drejtësisë janë pjesë përbërëse të problematikës që lidhet me respektimin e garantimin e sigurisë së jetës, pronës, dhe klimës së shëndetshme sociale në vend. f.m.