Mustafa: Gratë ruajtën frymën e nacionalizmit

Me një mbledhje solemne Forumi i Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka shënuar 23-vjetorin e themelimit të saj, në praninë e anëtareve dhe aktivisteve të këtij forumi si dhe mysafirëve.
Këtë solemnitet e përshëndeti me një fjalë edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili tha se ky përvjetor është i rëndësishëm për të kujtuar rolin historik që gruaja, anëtare, aktiviste, simpatizantë e LDK-së e ka luajtur në priudhat më të vështira të luftës sonë për liri, pavarësi dhe demokraci, e inspiruar nga vepra madhore e Presidentit Ibrahim Rugova.
“Sot, po ashtu, kujtojmë dhe vlerësojmë lart rolin e gruas në shoqërinë tonë, në organizimin e jetës politike, në jetë shtetërore, në arsim, në shëndetësi, në biznes, në kulturë, në sport, në ngritjen dhe edukimin e familjes sonë. Gruaja më shumë se çdo kush tjetër është ajo që na i hapë dyert kah bota demokratike”, tha Mustafa.
Ai në vijim tha se me programin e saj politik Lidhja Demokratike e Kosovës beson fuqishëm se dinjiteti i çdo qenie njerëzore, si parim dhe e drejtë themelore, mund të mbrohet vetëm përmes barazisë së të gjithë qytetarëve dhe mundësive të barabartë për të gjithë, pavarësisht gjinisë, moshës, përkatësisë etnike dhe fetare. LDK-ja, po ashtu, e sheh të domosdoshme përfshirjen më të madhe të gruas në të gjitha aktivitetet dhe në të gjitha forumet e saj dhe një rol më të madh të gruas në ndërtimin e shoqërisë sonë.
“Përfshirja e të rinjve dhe grave dhe zgjerimi me anëtarësisë të re është faktor i rëndësishëm për të identifikuar kërkesat e anëtarësisë së gjerë, për t’u ballafaquar me sfidat e ardhshme dhe për të krijuar hapësirë për hapje edhe më të madhe në zgjedhjet e ardhshme”.
Kryetari i LDK-së më tej vlerësoi se Forumi i Gruas ka treguar integrimin dhe konsolidimin e rolit të gruas në shtetin dhe në shoqërinë e vendit tonë, si dhe ka dëshmuar pjekuri të lartë politike e kombëtare dhe përgjegjshmëri për të ardhmen si dhe aftësi të larta organizative në tubimin e gruas dhe në ndërtimin e rolit të saj në shoqëri.
“Dita e sotme shënon një hap të ri në forcimin të mëtutjeshëm të Forumit të Gruas të LDK-së dhe të vetë LDK-së, sepse forumi ka treguar përkushtim të mbrojë dhe të avancojë vlerat e fuqishme të LDK-së që janë vlera kombëtare dhe vlera evropiane”, tha Mustafa dhe theksoi se LDK-ja “ishte dhe mbeti parti e vlerave dhe këto vlera e kanë burimin e tyre, e kanë në inkuadrimin dhe përfaqësimin e lartë të gruas dhe të rolit të saj dhe të të rinjve”.
Por njeherësh, ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës beson veçanërisht në veprimin afirmativ, i cili siguron barazi efektive ndërmjet meshkujve dhe femrave, për të siguruar qasje të gruas në arsim, në punë dhe në pozitat dhe përgjegjësitë më të larta në jetën publike dhe në sektorin privat.
Duke folur për rolin e gruas, Mustafa kujtoi se në zgjedhjet e fundit parlamentare, në listat për deputet, kandidatet nga LDK-ja kanë arritur t’i fitojnë vendet e tyre me votë burimore nga qytetarët, për dallim prej subjekteve të tjera ku një numër shumë i madh i tyre ka hyrë në bazë të çelësit ligjor e jo me vota. “Kjo flet për vlerat dhe cilësitë që ka gruaja në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për përkushtimin, angazhimin dhe besimin e lartë”, tha ai.
“Unë ju premtoj se në zgjedhjet e ardhshme gruaja në LDK do të jetë më e përfaqësuar sesa 30% sa e kemi përcaktuar si prag të domosdoshëm, sepse përfaqësimi juaj nuk është formal, ai është real, sepse roli juaj në shoqëri është rol real, sepse vota juaj është votë reale, as më shumë dhe as më pak e vlefshme nga vota e qytetarëve të tjerë”, nënvizoi Kryetari i LDK-së.
Mustafa bëri thirrje që të punohet bashkërisht për të shtuar radhët e LDK-së me femra, për të krijuar “hapësirë për të manifestuar punë dhe aktivitete nga fusha të llollojshme, në mënyrë që qeverisja jonë e ardhshme të jetë ajo që përfaqëson interesin më të mirë të familjeve tona e të fëmijëve tanë”.
“Ju jeni ato që mund ta bëni këtë punë më së miri, sepse ju keni aftësi e dije por keni edhe ndërgjegjen e nënës”, tha Mustafa duke iu drejtuar grave të pranishme, me uriime për 23-vjetorin dhe Ditën e Mësuesit. Ndërkaq Kryetarja e Forumti të Gruas së LDK-së Lirijje Kajtazi u bëri thirrje grave për jetë më të mirë, për të cilën edhe u flijuan ato.
Fillimisht zonja Kajtazi foli shkurt për historikun e LDK-së dhe Forumit të Gruas, duke thënë se FG ishte një nga levat më praktike të LDK-së në misionin e saj të shenjtë për liri, pavarësi, demokraci, duke artikuluar programin politik të LDK-së nga Presidenti historik Ibrahim Rugova.
“Distanca kohore na lejon të ndihemi krenarë se në këtë rrugëtim biblik të popullit të Kosovës, ne si LDK dhe si Forum i Gruas vepruam në kohën e duhur dhe bëmë punën e duhur”, tha ajo. Zonja Kajtazi më pyeti se kush më mirë se FG ndihmoi që qytetari të përballojë vështirësitë dhe sprovat dhe dhunën e egër të regjimit serb; kush më mirë se FG pati platformë sesi bëhet shteti, vizionin për shtetit të formuluar nga Presidenti Rugova, kush më mirë i qëndroi besnik vlerave fondamentale etike e nacionale se LDK-ja dhe FG?
Ajo tha se edhe ky përvjetor ka këtë zotim e këtë thirrje: për jetë më të mirë.
“Bashkë me kryetarin Mustafa ju ftojmë që t’i bashkoheni radhëve të LDK-së dhe FG, për krijimin dhe mbrojtjen e vlerave , për të arritur drejtësi shoqërore, liri, demokraci, sundim të ligjit, rritje e mirëqenie, ruajtjen vlerave qytetare në arsimimin modern dhe zhvillim ekonomik”, apeloi kryetarja e FG të LDK-së Lirie Kajtazi. Ndërkaq në orët e paradites, Forumi i Gruas së LDK-së bëri homazhe te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova./Indeksonline/