E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani nderoi Adem Jasharin me ‘Urdhrin e Flamurit’

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka dekoruar sot heroin e Kosovës, Adem Jashari pas vdekjes me ‘Urdhrin e Flamurit’.

Në një ceremoni në Presidencë, Nishani e cilësoi qëndresën e komandantit si një qëndresë ndaj agresionit dhe mbrojtjes së trojeve shqiptare dhe se në këto përpjekje ka prirë gjithmonë flamuri kombëtar.

“Qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit shqiptar në Kosovë, sakrifica sublime e Adem Jasharit, e familjarëve të tij është sot simbol i qëndresës së një populli ndaj agresionit. Në tërë këto përpjekje të shqiptarëve anë e mbarë botës në kushtim të lirisë, gjithmonë i ka prirë flamuri kombëtar. Ndaj sot unë jam i privilegjuar si president, në mirënjohje të këtyre sakrificave, në mirënjohje dhe nderim të këtyre idealeve, në vlerësim të këtyre kontributeve të përjetshme, t’i akordoj komandantit Adem Jashari Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, tha Nishani në ceremoni. Informon BW.

Ndërsa përfaqësuesi i familjes Jashari tha se u shpreh se ky urdhër ka nderuar gjithë kombin.

“Sepse të gjithë ata ranë për tu lartësuar flamuri ynë kombëtar, për tu lartësuar kombi ynë. Me këtë rast shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjithë përkrahjen që i dhatë familjes Jashari, që po i jepni sot me shpresën për të ardhmen se do të jemi të bashkuar për rrugë më të mira për të gjithë shqiptarët”, u shpreh ai./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›