E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK nuk mund ta ndryshojë gjendjen në vend

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e sigurt se në zgjedhjet e ardhshme do të marrë besimin e qytetarëve dhe do të udhëheqë me vendin.

Lideri i kësaj partie ka deklaruar se PDK-ja nuk mund të ndryshojë gjendjen jo të mirë në vend.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë një konference për media ka thënë se fitoren po ua tregojnë hulumtimet e kryera në terren.

Kurse, bazuar në këto të dhëna, Haradinaj thotë se AAK nuk do të përfshihet në ndonjë bllok opozitar, sikurse blloku i djathtë që ishte propozuar nga Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai nuk përjashton asnjë parti politike me të cilën do të mund të bashkëpunohej por është i sigurt se nuk do të hyjë në koalicion me partinë e kryeministrit Thaçi.

“Ne nuk e kemi përjashtu askënd, do të thotë për spektrin politik edhe nuk kemi paraparë një marrëveshje bllok të bllokut të djathtë, ajo që po bëjmë është se po i drejtohemi qytetarit për me e marrë besimin edhe besojmë që me i fitu zgjedhjet është reale”, ka thënë ai, siç transmeton RTK.

Edhe këtë herë, Haradinaj e ka kritikuar qeverisjen e tanishme.

“Analiza jonë është që gjendja në vend, qeverisja nuk është kualitative, kemi thënë disa herë se është një gjendje jo e mirë, kemi bërë një ofertë për me e ndalë këtë gjendje me PDK-së por e dini se nuk ka ndodhë, do të thotë se mendojmë se kontributi i PDK-së për me ndalë gjendjen edhe me kriju një gjendje të re gati sa është i pa përdorshëm në të ardhmen”, ka thënë Haradinaj.

I pari i AAK-së ka dhënë një mesazh për Thaçin dhe kabinetin e tij.

“Mesazhi im për vendimmarrësit në Kosovë është që para kreativitetit të ketë siguri, do të thotë jo të nxitojmë më kreativitet me siguri me paqartësi”, ka theksuar ai.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se sidomos në marrëveshjet për dialogun duhet të kihet kujdes të shtuar dhe të mos nxitohet./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›