E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: LDK do të qëndrojë në opozitë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij nuk ka marrë ftesën për të qenë pjesë e qeverisjes gjithëpërfshirëse, por edhe nëse merr ftesë, përgjigjja do të jetë negative, pasi sipas tij LDK do të qëndrojë në opozitë dhe se nuk do të bëjë pazar me premtimet e dhëna para elektoratit.

“Ne jemi përcaktuar edhe gjatë fushatës në komunikimet tona që kemi pasur me anëtarësinë dhe qytetarët. Mbetet ashtu siç kemi thanë në opozitë, ndërkaq, ne do të përcaktohemi dhe të deklarohemi pasi që rezultatet të certifikohen”, ka thënë Mustafa të dielën pas akademisë përkujtimore me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, Fadil Ferati.

Kreu i LDK-së gjithashtu ka thënë se ndërkombëtarët nuk kanë arsye të bëjnë presion për një koalicion me PDK-në dhe se zgjidhja do të bëhet sipas mandatit të marrë nga qytetarët.

Për sa i përket ndonjë ftese të mundshme nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, për një qeverisje gjithëpërfshirëse, Mustafa ka thënë se nuk kanë ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë edhe pse qëndrimi i LDK-së tashmë dihet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›