E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Qeveria na i mori 1 milion e 300 mijë euro

Isa Mustafa ka akuzuar Qeverinë e vendit se po ndërmerr veprime joligjore ndaj Komunës së Prishtinës. Madje, ai ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Ministrisë së Financave, Kuvendit dhe institucionet që merren me mbrojtjen e ligjit, për t’i sqaruar këto padrejtësi.

Në pyetje janë 1 milionë e 300 mijë euro, nga të cilat 1 milion e 200 mijë i është marrë Prishtinës nga projekti për unazën e qytetit dhe i janë dhënë komunave të tjera, ndërsa 100 mijë të tjera nga projekti për rrugën e Stallovës.

Sipas Mustafës, kjo po bëhet për të mbuluar keqmenaxhimin e të tjerëve.

“Ne kemi pasur dy projekte që janë financuar nga ministritë, në realitet me buxhet të Republikës së Kosovës; njëri ka qenë prej dy milionë e gjysmë i destinuar për unazën e qytetit, dhe një projekti tjetër për rrugën Stallovë deri në kufi. Nga projekti i parë janë marrë 1 milionë e 200 mijë euro dhe janë shpërndarë komunave tjera, ndërsa nga i dyti janë marrë 100 mijë euro”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se është brengosëse sidomos marrja e mjeteve për projektin e unazës. Për të edhe këtë vit është në pyetje investimi në unazën e qytetit.

“Neve na brengos veçmas marrja e mjeteve nga unaza, sepse vie në pyetje edhe këtë vit investimi në unazën e qytetit. Jemi ankuar, kemi bërë vërejtje sepse nuk duhet të bëhet ashtu për shkak se buxheti është aprovuar në fund të vitit të kaluar dhe të gjithë e kanë ditur se ato mjete do të investohet sivjet, prandaj është e papranueshme që mjetet që janë destinuar për investime në Prishtinë dy muaj mbrapa të merren dhe të tërhiqen për pagimin e borxheve të ministrive tjera”, ka thënë ai.

Mustafa ka bërë me dije se asnjë ministri nuk ka qenë e lejuar me ligj që të krijojë borxhe ose të bëjë investime pa mjete të zotuara dhe t’i merr pastaj parat nga Komunat tjera në mënyrë që t’i shlyejë ato borxhe.

Kosovapress, gjatë ditës, ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të Ministrisë së Financave, por sikur këshilltari, Menderes Ibra, ashtu edhe zëdhënësi i kësaj zyre Muharrem Shahini, nuk kanë në gjendej të japin ndonjë koment për akuzat e kryetarit të komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me arsyetimin se ishin të zënë me takime.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›