Nofka e Kosovës
Fusnota, Emri dhe Nofka.
Me fusnotë po kuptohet përfaqësimi i Kosovës në nisma rajonale nën Rezolutën 1244 dhe mendimin e GJND’së për Deklaratën e Pavarësisë.
Emrin dhe nofkën e ka shpjeguar Nënkryetari i LDK’së dhe i Kuvendit, Sabri Hamiti, teksa ka folur të enjten në Parlament për marrëveshjen e fundit Kosovë – Serbi.
Duke i bërë analizë gjuhësore fusnotës, Hamiti ka treguar se në mungesë të emrit (Republikë), Kosova po e përdor nofkën ( fusnotën).
“Nofka (fusnota) e thotë mungesën(Republikën). Në këto raste nofka duke e thënë mungesën, pretendon të bëhet cilësi(Kosova pa Republikë). Kjo i bie pak a shumë sikur njerëzve kur u thonë me nofkë: Qorri, Shurdha, Qeli. Kjo s`do të thotë se ata janë përnime qorra e shurdhana edhe qela, por mungesa e tyre do të bëhet esencë”, ka thënë Hamiti.
Me këtë gjuhë figurative, deputeti i LDK’së, partia e të cilit nuk e ka përkrahur nismën e Vetëvendosjes për debat parlamentar, ka kërkuar që problemi i fusnotës të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, por jo pa marrë pjesë “autori i fusnotës, Kryeministri Hashim Thaçi”.
“Pa kryeaktorin nuk duhet sepse Kryeministri ynë publikisht e ka marrë mbi vete autorësinë e kësaj”.
Sabri Hamiti ka folur edhe për gjuhën e përdorur kundër atyre që e kanë kundërshtuar fusnotën. Edhe këtu ka përdor figurën e elefantit dhe latinishten për të treguar qëndrimin e tij.
“Dhe këtë leksion duhet ta marrë gjithsecili që mendon se fle me një çadër me elefantin(SHBA dhe BE). Le t`i jep leksionin këtij që s`ka fjet. Atëherë le të bëhen konkretë dhe të flasin dhe unë dua vetëm ta përfundoj me një fjalë latine: Quod licet Iovi non licet bovi (Çka i lejohet Jupiterit, nuk i lejohet buallit). Nuk e përkthej shqip se ata që dinë, e dinë çka është kjo. Ndërsa po e them latinisht se latinët kanë qenë antikë – mjeshtra të drejtësisë. Anglisht s`kanë ditë”, ka thënë Hamiti.
Për dallim prej herëve të tjera, Hamitit nuk i është përgjigjur asnjë zyrtar qeveritar. Është vërejtur mungesa e përgjigjeve të Kryeministrit Thaçi, i cili nuk ka marrë pjesë në seancë për shkak të vizitës në Bruksel.
I vetmi që e ka mbrojtur fusnotën përballë opozitës ka qenë deputeti i PDK’së, Arsim Bajrami.
“Shqetësimi ka qenë real, sepse po ballafaqohemi me problemin se jo gjithherë politika ndërkombëtare koincidon me atë të vendit. Pavarësia e Kosovës është proces i koordinuar dhe nuk mund ta mohojë askush. Çështja e emrit të Kosovës, emri është Republika e Kosovës. Fatkeqësisht, BE-ja vazhdon të udhëheqë politika të padrejta karshi Kosovës”, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, Kosova ka zgjedhur jo status quon, por hapat konkretë në afrimin drejt BE’së.
Për shpjegimet e pozitës ka folur edhe deputeti i AAK’së, Ardin Gjini.
Ai ka deklaruar se fusnota ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes, derisa për mungesën e simboleve shtetërore të Kosovës në nismat rajonale ka treguar një zgjidhje. Ka thënë se duhet që në vend të flamurit zyrtarët e Kosovës të vishen me rroba që mbajnë simbole shtetërore. Për Edita Tahiri ka thënë se e ka më së lehti.
“Unë i kisha propozu Kuvendit që të nxjerrë një ligj që gjithë ata që e përfaqësojnë Kosovën diplomatikisht të vishen me simbole shtetërore. Edita shembull mundet me qit flamurin në syza, dikush në çorape”, ka thënë Gjini.
“Kjo Qeveria ja ka qitë faqen e zezë Kosovës. Kjo qeveri ka bërë që Serbia të duket më mirë se Kosova.... ”, ka akuzuar Gjini.
Edhe në seancën e së enjtes deputetët e Vetëvendosjes kanë kërkuar debat parlamentar për fusnotën e pranuar nga Qeveria e Kosovës. Alma Lama ka thënë se pranimi i fusnotës është bërë nga Thaçi për t`i ndihmuar Serbisë për t`u integruar në BE.
“Është tragjikomike pranimi i fusnotës në vend të Republikës”, ka thënë Lama.
Në mënyrë të koordinuar, katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë lexuar pyetjet për Thaçin dhe kanë thënë se mungesa e përgjigjeve zyrtare për takimet e tij me presidentin serb po u ngjall dyshime.
S’votohen rekomandimet për pensionistët
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk i kanë miratuar kërkesat e pensionistëve në seancën ku është diskutuar për gjendjen e pensionistëve, pas një peticioni drejtuar deputetëve.
Me 47 vota kundër dhe 43 pro, Kuvendi ka hedhur poshtë kërkesën e pensionistëve për t`i kërkuar Qeverisë procedimin e ligjeve, ku njihet statusi i pensionistit të Kosovës. Me këtë pensionet do të rriteshin në shumën prej 60 për qind e pagës mesatare.
Megjithëkëtë, deputetët kanë kritikuar qeverinë se nuk ka bërë asgjë për pensionistët, ndonëse u është premtuar vazhdimisht në kohë fushatash se do të ketë përmirësim të pozitës së tyre.