E Diel, 1 Nëntor 2026

Pantiq: Serbia po heq dorë nga serbët e veriut

I ashtuquajturi kryetar i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiq, është i kënaqur që Serbia mori statusin e kandidatit dhe që u dëshmua se barrikadat nuk kanë qenë pengesë, megjithatë shprehet të jetë i shqetësuar me sjelljen e Qeverisë së Serbisë ndaj serbëve të veriut, e cila, sipas tij, është duke hequr dorë nga ta, duke i lënë të jetojnë në pavarësinë e Kosovës.

Pantiq ka thënë se u pa që i vetmi kusht ka qenë që Qeveria e Serbisë faktikisht ta pranoj pavarësinë e Kosovës, me pranimin që institucionet e Prishtinës të përfaqësohen në forumet rajonale.

“Ky është edhe një tregues që kjo Qeveri, në fund të mandatit të saj, edhe pse nuk do të duhej të guxonte, të lëshoj pe nga presionet dhe shantazhet e një pjese të bashkësisë evropiane ngadalë po heq dorë nga mbrojtja e Kosovës”, ka thënë Pantiq, siç transmeton Kosovapress.

Ai ka shtuar se në ditët në vazhdim do të shihet nëse ky ishte hapi i fundit i Qeverisë apo edhe kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Sllavica Xhukiq-Dejanoviq do të vendos të mos e respektoj kushtetutën duke mos shpallë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë.

Sipas tij, nëse Qeveria e Serbisë vendos t’i shpërbëjë institucionet serbe në Kosovë, disa mijëra qytetarë, fëmijët e tyre do t’i kalojnë në shkollat e Serbisë qendrore dhe do të fillojnë me shpërnguljen.

“Jo për 30 vjet, si ka thënë para pak kohësh kryetari Boris Tadiq, por serbët e Kosovës nuk do të ketë më vend as për tri vjet”, ka thënë ai.

Sipas tij, pikat kufitare 1 dhe 31 nuk janë pika të veçanta pasi në to zbatohen të njëjtat masa si edhe në vendkalimet e tjera kufitare, madje edhe më rigorozisht pasi akciza e mallin atje nuk bëhet por duhet në Merdare.

“Serbët sërish janë mashtruar nga qeveria e vetë, e cila i shtyn në Kosovën e pavarur. Serbia po heq dorë nga populli i vetë dhe është koha e fundit që kjo Qeveri hapur ta thotë se çfarë do të bëhet me popullin i cili jeton këtu. Cili është fati ynë dhe nëse po jetojmë në Serbi apo në Kosovën e pavarur”, ka pyetur Pantiq duke shtuar se shpreson që serbët e veriut të Kosovës nuk do të paguajnë doganë dhe se maksimalisht do t’i anashkalojnë ato pika duke përdorur rrugë alternative.

“Jam i sigurt që ministri i policisë, si përdori dhunën ndaj popullit të vetë, ashtu edhe neve do të na mbyll rrugët alternative duke u ndihmuar shqiptarëve që ta ndërtojnë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Pantiq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›