Kuvendi miraton disa projektligje dhe raporte

Gjatë seancës së sotme numri i deputetëve në sallë ishte i vogël, ku disa herë kryesuesi i seancës ka kërkuar nga deputetët që vijnë sallë dhe të mos qëndrojnë në bufen e kuvendit.
Në rend të ditës ka qenë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare. Kryetari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fikrim Damka ka thënë se komisioni ka përfunduar projektligjin, i cili ka gjithsej 13 amendamente dhe ka kërkuar mbështetjen nga deputetët.
Në këtë projektligj Komisioni për Legjislacion ka dhënë vërejtje për amendamentet 4 dhe 5, por që prapë ka kaluar më shumicë votash.
Ndërsa rekomandimet e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, lidhur me vërejtjet e presidentes në Ligjin nr. 04-L-76 për policinë, janë përmirësuar nga ky komision.
Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi ka thënë se janë shqyrtuar në komision vërejtjet e presidentes dhe janë përmirësuar ato vërejtje.
Por ai ka sqaruar disa çështje në amendamentin 4, neni 32 pas paragrafit tre, i cili ka thënë se duhet të riformulohet paragrafi i ri me këtë përmbajtje. “Me qëllim të menaxhimit dhe kontrollit të kufijve Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës përveç stacioneve policore që gjenden në çdo komunë themelon edhe stacione policore kufitare nën autoritetin dhe juridiksionin e drejtorisë rajonale të policisë kufitare. Kështu duhet të jetë formulimi për shkak se është lëshuar një gabim, nuk është përmendur Drejtoria e Përgjithshme”, ka thënë Isufi.
Ndërsa shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, është votuar nga deputetët.
Kryetari i këtij komisioni, Zenun Pajaziti ka thënë se ky është një prej ligjeve që për shkak të proceseve dhe zhvillimeve në vendin tonë ka qenë më delikat dhe një punë më e shtuar për ministritë përkatëse dhe gjykatat. Sipas tij për shkak të shqetësimeve që kanë dalë nga banorët për zbatimin e këtij ligji, komisioni ka nxjerrë disa rekomandime.
Ndërkohë të gjitha grupet parlamentare i kanë përkrahur rekomandimet që ka propozuar komisioni.
Gjithashtu gjatë seancës së sotme është miratuar edhe Propozim- Statuti i Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës (AKK).
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti ka thënë se komisioni dhe rrjedhimisht një grup punues me pjesëtar të autoritetit kanë përpiluar një raport për funksionimin e këtij autoriteti.
Sipas tij ky statut është i punuar nga vetë autoriteti, ndërsa komisioni i ka korrektuar këto ndryshime, duke kërkuar që të votohet ky statut. Më pas të gjitha grupet parlamentare kanë mbështetur këtë statut të autoritetit.
Në rend të ditës ishte edhe njoftimi me Përfundimin e Nënkomisionit për mandate, imunitete dhe Rregullore të Kuvendit, lidhur me Mocionin procedural të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, por që është vërtetuar se nuk ka pas shkelje të procedurave dhe nuk ka pasur debat për këtë pikë.
Gjatë seancës së sotme është votuar edhe Projektligjit nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave, ndërsa Projektligjit nr. 04/L-46 për Transmetimin Publik në Kosovë është shtyrë për seancën e ardhshme. /Kosovapress/