E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbinë e shpërblejnë sot?

Brukseli pritet të vendosë sot rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Për këtë çështje shanset Beogradit ia ka shtuar dukshëm marrëveshja që ka bërë me autoritetet e Kosovës për përfaqësimin rajonal. Por vendet anëtare si Polonia, Lituania dhe Rumania kanë shfaqur rezerva për arsye të ndryshme. Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton, e cila takoi në Bruksel Presidentin serb, Boris Tadic tha se shpreson që Këshilli për Çështje të Përgjithshme i BE’së të marrë vendim pozitiv.

Serbia pritet të marrë shpërblimin nga Bashkimi Europian për shkak të marrëveshjeve që ka arritur me Kosovën rreth përfaqësimit rajonal.

Ministrat e Jashtëm të BE’së pritet të vendosin sot rreth kandidaturës së shtetit serb për anëtarësim në union dhe gjasat për këtë janë shtuar dukshëm për shkak të marrëveshjeve me Kosovën.

Shefi i diplomacisë franceze, Alain Juppe ka deklaruar të hënën se vendimi për kandidaturën e Serbisë tashmë është marrë në favor të Serbisë duke thënë se askush nuk ka bërë vërejtje.

Sido që të jetë të hënën në Bruksel është bërë e ditur se vende të caktuara të BE’së kanë shfaqur rezervat e tyre.

Sipas njoftimeve, dyshime rreth një vendimi pozitiv kanë shfaqur Polonia, Rumania dhe Lituania.

Tema e kandidaturës pritet të vendoset sot gjatë takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE’së, pavarësisht debatit që është bërë të hënën.

Sipas mediave serbe të cilat janë thirrur në burime diplomatike gjermane ka gjasa që vendimi për Serbinë të jetë pozitiv, edhe pse nuk ka akoma një marrëveshje për një gjë të tillë.

Sipas zyrtarit gjerman vendi i tij përkrah plotësisht dhe inkurajon përparimin e Serbisë duke përmendur me këtë rast edhe deklarimet e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westervelle gjatë vizitës së fundit në Beograd ditë më parë.

Por sipas pjesëmarrësve në takim të Ministrave të Jashtëm të BE’së, në të cilin disa vende janë përfaqësuar me zyrtarë më të ulët, një nga vendet që ka bërë vërejtje është Lituania, e cila ka kërkuar nga Serbia më shumë përparime në çështjen e dialogut dhe bashkëpunim me EULEX’in.

Po ashtu, është njoftuar se edhe Polonia ka kërkuar nga Serbia që në të ardhmen të jetë më bashkëpunuese me Bashkimin Europian dhe që të mos bashkëpunojë kaq ngushtë me Rusinë.

Një disponim jo në favor të Serbisë ka paraqitur edhe Rumania, e cila ka kërkuar respektimin e të drejtave të të gjitha pakicave në Serbisë duke përmendur pozicionin e vllehve duke kërkuar që atyre tu jepe status i pakicës kombëtare rumune.

Por në Bruksel të hënën ka pasur edhe zëra optimistë rreth kandidaturës. Atje ka qëndruar edhe shefi i shtetit serb, i cili ka marrë lëvdata për marrëveshjet me Kosovën nga Përfaqësuesja e Lartë e BEsë për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Ashton ka shfaqur shpresën se Ministrat e BE’së do t’ia aprovojnë Serbisë kandidaturën për anëtarësim në BE

Pas takimit me Tadicin, Ashton e ka lavdëruar atë për vizion shtetëror dhe përkushtim ndaj rrugës europiane të Serbisë.

“Serbia e ka vendin në Bashkimin Europian dhe unë shpresoj se ministrat nesër do të bëjnë një hap përpara”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja e BE’së ka theksuar se marrëveshja e arritur në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ka qenë një shtytës në përpjekjet për të ecur përpara.

Tadic ndërkaq ka shtuar se Serbia nga viti 2000 deri më tani ka eliminuar shumë pengesa, derisa ka shprehur optimizmin për një vendim pozitiv.

“Shpresoj se Serbia nesër do të marrë statusin e kandidatit, por ky nuk është fundit. Serbia e meriton këtë”, ka thënë ai.

Tadic ka thënë se është i kënaqur që është arritur marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse ai mundëson kushte më të mira për njerëzit e rëndomtë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›