Mustafa lobon për anëtarësimin e LDK-së në EPP

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri kanë takuar të hënën në Bruksel, kryetarin e Partisë Evropiane Popullore, Wilfried Martens, me ç’rast edhe i kanë biseduar mundësitë për procesin e anëtarësimit të LDK-së në këtë organizëm të rëndësishëm të Parlamentit Evropian.
Përmes një komunikate të lëshuar nga LDK, thuhet se kryetari Mustafa njoftoi kryetarin Martens me historikun e LDK-se si parti e parë demokratike në regjion, për organizimin, strukturën, programin dhe orientimin politik të qendrës së djathtë të LDK-së dhe situatën aktuale në Kosovë.
Në këtë rast, kryetari Mustafa përsëriti vullnetin dhe kërkesën e LDK-së për anëtarësim në Partinë Evropiane Popullore (EPP).
Kurse kryetari Wilfried Martens, i cili njëkohësisht për një kohë të gjatë ishte edhe kryeministër i Belgjikës, ishte mjaft mirë i informuar për proceset në LDK dhe situatën politike në Kosovë.
Thuhet se Martens ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për anëtarësimin e LDK-së ne EPP.
“Qysh në tetor të këtij viti, pritet që kërkesa e LDK-së të diskutohet në forumet e EPP dhe pritet që kjo parti të marrë edhe ftesat e para për pjesëmarrje në konferencat dhe seminaret e organizuara nga EPP”, njofton LDK.
Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë ditës, kryetari Mustafa dhe sekretari i përgjithshëm Beqiri janë takuar edhe me Peter van Rompuoy, senator Belg dhe sekretar per Marrëdhënie me Jashtë në Partine Demokristiane Flamane.