Mustafa synon të jetë kryeministër i Kosovës

Mustafa, duke folur për dialogun ka thënë se LDK mbetet në qëndrimin e saj që të bisedohet me serbët e veriut dhe mos të këtë dialog për çështje të brendshme të Kosovës më Qeverinë e Serbisë.
“Kosova ka integritetin territorial, institucionet e veta dhe rregullimin e saj të brendshëm dhe për këtë rregullim nuk ka nevojë që të diskutojmë me Serbinë”, ka thënë Mustafa.
Duke folur për idetë për shkëmbime territoresh, Mustafa thotë se Kosova ka kufijtë e vet dhe se shkëmbimet nuk kanë as fillin dhe as fundin e tyre sepse ka edhe shtete të tjera në Ballkan me probleme të këtilla.
Kryetari i Lidhjes Demokratike ka thënë se me Serbinë mund të diskutohet vetëm në rregullimin marrëdhënieve fqinjësore.
Mustafa po ashtu ka thënë se Kosova nuk ka nevojë që të krijohen grupe uniteti dhe grupe të ngjashme pasi që tashmë ajo ka institucionet e saj shtetërore që përfaqësojnë interesat e saj, pavarësisht mënyrës së si janë zgjedhur ato.
Mustafa thotë se në këtë proces ai i beson më shumë tek SHBA-të dhe partnerët e tjerë evropian me të cilët thotë që Kosova duhet të vazhdoj të jetë sa më e afërt.
Tutje Mustafa ka folur edhe për marrëveshjen në mes të tij, kryeministrit Thaçi, kryetarit të AKR-së Behgjet Pacolli dhe ambasadorit Dell.
Ai ka treguar detaje se si është arritur kjo marrëveshje dhe sipas tij ai që po i bën bisht zbatimit të marrëveshjes është kryeministri Thaçi me të cilin ende nuk e ka diskutuar këtë çështje.
Mustafa tha se marrëveshje për reformën kushtetuese është bërë me qëllim që zgjedhësi kosovarë të këtë mundësi të votoj më mirë dhe vota e tij të mos keqpërdoret. “Nuk është mirë edhe për Thaçin që mos t’i përmbahet zotimeve pasi që del që ai nuk i përmbahet zotimeve të tij kur nënshkruan një marrëveshje”.
Ai tha se ka pritur që presidentja së paku të paralajmëroj dorëheqjen dhe pas gjashtë muajve të zbatohet edhe marrëveshja për reformën zgjedhore.
Duke folur për arrestimin nga ana e EULEX-it të shefit të Asamblesë Komunale, Sami Hamiti, Mustafa mendon se është drejtësia ajo që duhet të vendos se a është i fajshëm apo jo.
“Është drejtësia ajo që duhet të jap verdiktin e saj dhe ne nuk ndërhymë në këtë vendim. Ne synojmë që në Kosovë të këtë sa më pak të akuzuar për korrupsion sepse më mirë është që në Bruksel të tregojmë për ndonjë investitor që ka pasur sukses sesa të flasim për funksionar që janë të burgosur për korrupsion”.
Mustafa ka folur edhe për thashethemet që qarkullojnë në Prishtinë për lidhjen e LDK-së me grupin e Enver Sekiraçës.
“Në kohën e Sejdiu, që kam qenë bashkëpunëtor i tij i afërt, por edhe në kohën time nuk ka pasur ndonjë kontakt me grupe të këtilla”, ka thënë Mustafa.
Ai ka folur se në zgjedhjet e ardhshme synon që të bëhet kryeministër i Kosovës dhe se ka mundësi që mos të kandidoj më për kryetar të kryeqytetit.
"Varsisht se si do të ecim në zgjedhjet nacionale. Por, reformat në LDK nuk do të thotë që kryesia të jetë e paprekshme", tha ai.