E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: “Berisha defektoz, nuk prodhon politikë, merret vetëm me bilance”



Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka përdorur një gjuhë të ashpër kundrejt kryeministrit Berisha. Gjatë një lidhjeje direkte për Vizion Plus, Mustafaj është shprehur se Berisha nuk di të prodhojë politikë dhe nuk po shfaq asnjë ide politike. Këtë deklaratë, Mustafaj e bëri duke u nisur nga fakti se kryeministri Berisha tre muaj para zgjedhjeve nuk po ndërmerr një ndryshim rrënjësor të kabinetit qeveritar. Mustafaj mendon se maxhoranca ka nevojë të paraqitet në zgjedhje para elektoratit me figura të reja në postet e ministrave, të pakonsumuara, pasi, sipas tij, disa prej ministrave janë të dëmtuar dhe të përgojuar. “Unë mendova se ishte koha që kryeministri të bënte disa korrigjime të rëndësishme në qeveri, duke bërë një operacion të thellë. Normal që imazhi i qeverisë është i konsumuar. Pas kaq vitesh në pushtet, shumë ministra janë të përgojuar, të dëmtuar rëndë, me të cilët nuk mund të shkohet në zgjedhje. Pushteti të konsumon. Në prag të zgjedhjeve, maxhoranca ka nevojë të gjenerojë politikë. Një nga defektet kryesore që ka kryeministri Berisha, si kryetar i maxhorancës, është se nuk prodhon politikë, por nuk prodhon as ide politike, prodhon vetëm bilance, numërim shifrash. Por në një shoqëri moderne nuk është vetëm bilanci që siguron fitoren”, - është shprehur Mustafaj. I pyetur për zgjedhjet në degën e PD-së së Tiranës, Mustafaj u shpreh se ka një mungesë transparence në vendimmarrjen institucionale të partisë. Sipas tij, strukturat e partisë nuk janë mbledhur duke sjellë dhe bllokim të procesit. Përsa i përket tragjedisë së Gërdecit, Mustafaj tha se nga ana politike maxhoranca është e dëmtuar dhe do të dëmtohet më tepër në rast se fajtor dalin figura politike. Ai akuzoi prokurorinë për një proces hetimor të zvarritur, i cili, sipas tij, ka dëmtuar maxhorancën.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›