Opozita kundërshton ndryshimet në ligjin e pronave
Demokratët dhe socialistët kanë debatuar dje edhe për ndryshimet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Socialistët kanë kundërshtuar të drejtën që qeveria u jep shoqërive tregtare për blerjen e truallit. Sipas tyre, kjo është shkelje e hapur e Kushtetutës, pasi e drejta e biznesit del mbi të drejtën për pronësinë e ligjshme. “Maxhoranca me këtë ligj po prek një shtresë, e cila e ka votuar atë. Keni sjellë një projektligj për të shpronësuar pronarët me interes të qiramarrësit. Nuk është e shkruar në Kushtetutë që prona mund të fitohet nëpërmjet qiramarrjes. Ata pronarë të vjetër kanë sot një moment për të reflektuar. Në asnjë mënyrë ne si parlament nuk kemi të drejtë t'i heqim të drejtën legjitime pronarit të vjetër në interes të qiramarrësit”, - është shprehur Majko. Edhe republikani Madhi u shpreh kundër këtij projekti, ndërsa avokati Ngjela theksoi se drafti është antikushtetues. Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, bëri të ditur se projektligji i paraqitur vjen si pasojë e kërkesave të ish-pronarëve, që edhe ajo pjesë e tokës që ndodhet nën juridiksionin e ndërmarrjeve të përbashkëta, të krijuara gjatë viteve '90, të mund të përdoret për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës. “Sipas ligjit ka një situatë të ngrirë juridike për rreth 100 ndërmarrje. Toka e marrë në dispozicion prej tyre me kontrata qiraje në atë periudhë, është shumë më e madhe se sa nevojat reale të tyre”, - është shprehur Spaho.
Kuvendi miraton emërimin e ministrit të ri të Kulturës
Kuvendi miratoi, gjatë seancës së djeshme, dekretin e Presidentit të Republikës “Për emërimin e Ardian Turkut në detyrën e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më parë, Kuvendi miratoi dekretin e shkarkimit nga detyra të ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Turku ka drejtuar Bashkinë e Elbasanit në periudhën 2003-2007 dhe më pas ka ushtruar detyrën e pedagogut në universitet. Emërimi i tij në postin ministror erdhi pas vendimit të kryeministrit Sali Berisha për shkarkimin nga kjo detyrë të Ylli Pangos. Ky i fundit u shfaq gjatë një emisioni televiziv mbrëmjen e 4 marsit duke abuzuar me detyrën.
13 Mars 2009