E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Berisha të rishikojë kabinetin përpara zgjedhjeve

Besnik Mustafaj, një prej zërave më kritikë brenda selisë blu, nuk hezitoi të reagojë dje në lidhje me skandalin ku u përfshi ish-ministri Ylli Pango. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka përfituar nga rasti t‘i kërkojë shefit të mazhorancës një analizë të thellë në qeverisje përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. "Duke u nisur nga e drejta kushtetuese dhe përfitimi politik, mendoj se është një rast ku Berisha duhet të bëjë një analizë të thellë në qeverisje, ku t‘u paraqesë shqiptarëve ekipin me të cilin do të fitojë zgjedhjet", nënvizoi Mustafaj. Në këtë formë, skandali në të cilin është përfshirë ish-ministri i Kulturës, Pango, ka shkaktuar reagime të menjëhershme brenda grupit parlamentar demokrat, por dhe ka nxitur prapaskenat për një ndryshim të qeverisë. Mustafaj i bëri thirrje Kryeministrit që të përdorë të drejtën kushtetuese për riformatimin e kabinetit qeveritar dhe më pas të imazhit të vet të së djathtës, kur mbeten vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. "Do të doja të tërhiqja vëmendjen e Kryeministrit në një pikë tjetër, duke përfituar nga e drejta kushtetuese që ka si kryetar i qeverisë, duke përfituar dhe nga e drejta që ka si kryetar i mazhorancës. Unë mendoj se është një rast ku Berisha duhet të bëjë një operacion të thellë në qeverinë e sotme, në mënyrë që të paraqesë para shqiptarëve ekipin me të cilin do fitojë zgjedhjet dhe ekipin me të cilin do ta qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme", vlerësoi Mustafaj. Në analizën që bën ish-ministri i Jashtëm, shikohet si e domosdoshme ndërhyrja në kuadër të riformatimit të kabinetit, edhe pse vendi ndodhet në më pak se katër muaj përpara zgjedhjeve. Sipas tij, "ky veprim është i domosdoshëm, pasi lidhet me mënyrën me të cilën duhet të paraqitet qeveria në zgjedhjet e 28 qershorit për të fituar një mandat të dytë". Mustafaj edhe më parë është shfaqur tejet kritik në lidhje me emra të caktuar që bëjnë pjesë në kabinetin qeverisës. Në më shumë se një rast ai ka lëshuar apel për reflektim, por gjithçka ka rënë në vesh të shurdhër. Kryeministri edhe dje nuk priti asnjë lloj debati. Berisha u dha fund hamendjeve, duke depozituar propozimin për ministrin e ri, zotin Ardian Turku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›