E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Të lërë mandatin. Leskaj: Të hetohet nga prokuroria

Skandali "Pango", i shfaqur dy ditë më parë në televizionin "Top Channel", ishte kryefjala e diskutimeve të djeshme në sallën e Kuvendit. Mazhoranca dhe opozita e dënuan ashpër këtë ngjarje të rëndë dhe kërkuan dënimin maksimal nga organet e drejtësisë, si dhe lënien e mandatit të deputetit nga ana e Pangos. Por, pavarësish kësaj kërkese për lënien e mandatit të deputetit, opozita nuk i kurseu akuzat ndaj mazhorancës, duke e cilësuar si të pazonjën për të krijuar një qeveri të moralshme. Akuza këto që janë kundërshtuar nga deputetët e mazhorancës, të cilët u kërkuan kolegëve të opozitës që të mos përgjithësojnë gjithë qeverinë për fajet e individëve të veçantë. Ata këmbëngulën në faktin se edhe opozita aktuale nuk mbetet pas për skandale të tilla.

Mazhoranca

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte shumë e ashpër ndaj "skandalit Pango", duke i kërkuar atij të lëshojë mandatin e deputetit. Pasi përshëndeti Kryeministrin Sali Berisha për vendimin e marrë brenda katër minutave për shkarkimin e ministrit të Kulturës, ajo dënoi ngjarjen, duke e cilësuar si shumë të rëndë, shumë të turpshme, të papranueshme dhe shokuese. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Topalli tha se "zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e PD-së, ka tradhtuar qytetarët shqiptarë që e kanë votuar. Si Kryetare e Kuvendit, vijoi ajo, nuk kërkoj heqjen e imunitetit të tij, por i kërkoj të lëshojë mandatin, se mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që e ka votuar". Të ashpër në qëndrimet e tyre ishin edhe disa deputetë të tjerë të mazhorancës si: Edi Paloka, Aldo Bumçi, Genc Pollo e Astrit Patozi. Kreu i grupit parlamentar demokrat i kërkoi opozitës të mos përfitojë politikisht nga ngjarja e abuzimit me detyrën e ish-ministrit Pango, pasi reagimi i menjëhershëm ndaj kësaj ngjarjeje është pikërisht standardi që ka vendosur kjo qeveri. "Mbyllja e kësaj historie është edhe standardi që ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë ta mbajmë, standard që ju nuk e keni pasur kurrë. Një mazhorancë, një parti politike, një qeveri, një Kryeministër nuk mund të gjykohet dhe vlerësohet kurrsesi në raport me atë që dikush prej nesh, apo secili prej nesh, mund të kryejë gjatë ushtrimit të detyrës", u shpreh Patozi.

Opozita

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi që organet e drejtësisë të marrin në dorë "skandalin Pango". Sipas saj, kjo nuk është një çështje e një ministri apo një individi, por është çështje e një Parlamenti, i cili duhet të mbajë qëndrim. Leskaj theksoi se "ky njeri nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të Kodit Penal për veprën e kryer". Nëse këtu, tha Leskaj, nuk mbahet qëndrim për këtë rast, kur është shkelur komplet shteti, kur është tronditur tërësisht besueshmëria tek institucionet, kjo është çështje e të gjithëve e jo më e një njeriu. Pas kësaj, tha Leskaj, kush është ajo e re që do marrë kurajën të shkojë në dyert e ministrive, kush është ai prind që do jetë i qetë për vajzën që kërkon një vend pune.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›