E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri, "regjisori" i mitingut të 8 dhjetorit

Mitingu i lajmëruar me bujë nga Kryeministri për datën 8 dhjetor do të organizohet nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Burime zyrtare nga Partia Demokratike bënë të ditur dje për "Shqip" se 8 dhjetori është Dita e Rinisë, ndaj i takon institucioneve të zhvillojnë aktivitetet për këtë datë, ndërkohë që Partia Demokratike është themeluar më 12 dhjetor dhe pikërisht në këtë datë do të jetë takimi i organizuar nga selia blu. Faktikisht nga data 8 deri më 12 pritet të zhvillohen një sërë aktivitetesh maratonë në përkujtimin e lëvizjes demokratike, e cila ishte katalizatori kryesor për rrëzimin e regjimit komunist në vend. Megjithatë programi i 8 dhjetorit nuk është mbyllur i gjithi dhe pritet që të pasurohet këto ditë me disa detaje të fundit. Por në vija të trasha thelbi i aktivitetit do të lidhet me simbolikën e rrëzimit të "Murit të Berlinit" në Shqipëri. Tirana zyrtare do të zhvillojë një performancë të ngjashme siç ndodhi në Gjermani në fillim të muajit të shkuar. Thelbi i aktivitetit do të jetë mitingu i datës 8 që do të zhvillohet në sheshin "Skënderbej". Planifikohet që në këtë tubim të ketë një pjesëmarrje të madhe dhe përveç anës politike ai do të ketë edhe anën artistike. Nuk do të mungojnë në këtë rast "arkitektët" e kolonës zanore të fitores së PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit, përkatësisht djemtë e Tetovës, që njihen ndryshe edhe si "Elita 5". Por në shesh do të performojnë edhe yje të tjerë të artit dhe kulturës shqiptare. Por pjesën e "luanit" do ta ketë politika dhe më saktë doktor Berisha, i cili pritet të mbajë një fjalim të ngjashëm me atë të dhjetorit të vitit 1990, por veçse me disa aktualizime me politikën e sotme. Në tubim do të flasin edhe disa nga themeluesit e Partisë Demokratike, por edhe aktivistët e lëvizjes studentore që sot janë aktivizuar politikisht në radhët e mazhorancës aktuale. Pas fjalimeve pritet dhe ana ceremoniale, ku do të rrëzohet simbolikisht muri shqiptar i Berlinit, i cili për më se 50 vjet rrethoi me perde të hekurt Shqipërinë e vogël dhe të varfër. Më pas aktiviteti do të vazhdojë me pjesën festive dhe artistike ku "Shqipëria po Ndryshon" do të jetë hiti i "popullit demokrat" i pasuar padyshim edhe nga këngëtarët që kanë qenë shtylla kurrizore e fushatës së Partisë Demokratike deri më 28 qershor. Por nuk mbyllet gjithçka më 8 dhjetor, në ditët që pasojnë do të vazhdojnë aktivitetet kulturore por edhe artistike në përkujtim të ditëve të dhjetorit të vitit 1990. Në këtë fokus përfshihen edhe Televizioni Publik Shqiptar, por edhe televizione të tjera që do të transmetojnë emisione kushtuar atij evenimenti. Më 12 dhjetor, Partia Demokratike pritet të zhvillojë aktivitetin përkujtimor të themelimit të saj në Pallatin e Kongreseve. Takimi, përveç aspektit festiv, do të ketë padyshim edhe trajtën deklarative. Motoja e mazhorancës është: Për një javë rresht të anulojë sa më shumë që të jetë e mundur jehonën që mund të shkaktojë protesta e radhës e Partisë Socialiste, e cila kërkon hapjen e kutive të votimit. Drejtuesit e selisë blu theksojnë se do të ketë surpriza gjatë këtyre ditëve. Por nuk japin detaje rreth tyre. Burimet bëjnë me dije se do të shfaqen pamje filmime të patransmetuara deri më tani, të cilat paraqesin siç thuhet "zhvillime të reja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›