E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Kam hyrë në garë për arsye parimore, jo klanore

Nga Tema

Deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, ka deklaruar dje se kryetari i PD, Sali Berisha, po ndërhyn në garën për kryetar të degës së Tiranës me qëndrimet që po mban. Mustafaj i bëri komentet, pasi të enjten në mbrëmje, kryeministri, Sali Berisha, deklaroi në emisionin “Opinion” se kandidatura e Aldo Bumçit është e shkëlqyer.

“Është një garë e hapur. Statuti ka një nen që kryesia përzgjedh kandidatët. Baza do jetë ajo që do votojë dhe ka kandidatura të shkëlqyera, siç është Aldo Bumçi”, - tha Berisha duke shprehur hapur mbështetjen e tij.

Në përgjigje të kësaj deklarate, Mustafaj tha se ai ka ardhur në PD që në sekondat e para të ekzistencës së saj dhe i njeh mirë të drejtat e tij në garë. Mustafaj deklaroi se ai është në garë për të dhënë kontributin e tij, ndërsa shtoi se është kryetari i PD, Sali Berisha, ai që po prish ekuilibrat e garës. Sipas deputetit demokrat, Berisha duhet t’i shprehë këto qëndrime të tij në votën që do të hedhë për këtë çështje.

“Më erdhi mirë që kryeministri Berisha mbrëmë përmendi statutin e partisë, duke u kujtuar kështu që në themel të partisë është një dokument që duhet respektuar. Unë në asnjë moment nuk e kam vënë në dyshim të drejtën time parimore për të kandiduar. Unë jam në Partinë Demokratike që në sekondën e parë të ekzistencës së saj, njëherësh me Sali Berishën dhe nuk kam ardhur aty as në vitin ’96 e as në vitin 2006. Pra, i njoh mirë të drejtat e mia dhe përpiqem të mos i tejkaloj ato.

Kam hyrë në këtë garë me bindjen se i shërbej Partisë Demokratike duke ngjallur brenda saj debatin dhe konkurrencën e ndershme, si parametra që e ndihmojnë partinë të gjallërohet e të demokratizohet për të marrë më mirë përsipër përgjegjësinë e jashtëzakonshme të fushatës që kemi përpara për zgjedhjet parlamentare”, - tha Mustafaj.

“Por, mbrëmë, kryeministri Berisha shkeli parimin e paanësisë që duhet të ruajë deri në fund përballë të gjithë kandidatëve. Ai është kryetar i partisë dhe e ka për detyrë të mbajë një qëndrim të paanshëm. Unë i kam bërë disa herë thirrje gjatë kësaj periudhe për një qëndrim të tillë. Ky qëndrim do të ishte edhe në të mirë të rritjes së autoritetit të tij para gjithë shoqërisë shqiptare e posaçërisht para demokratëve. Emocionin e tij personal ndaj njërit apo tjetrit kandidat, Berisha kishte mundësi ta realizonte përmes votës së tij ditën e konferencës”, - vijoi më tej deputeti demokrat.

I pyetur se cili do të jetë hapi tjetër, që deputeti Mustafaj do të hedhë pas konstatimit se Berisha mbështet haptas njërin nga kandidatët, duke synuar kështu të influencojë delegatët që do të zgjedhin kryetarin e degës së Tiranës, Mustafaj tha se ai do jetë në garë, derisa të marrë një vendim tjetër, nëse standardet do të shkelen. Mustafaj deklaroi se ishte në garë për arsye parimore dhe jo klanore.

“Unë vazhdoj të jem në garë dhe do t’i ndjek me vëmendje zhvillimet deri në fund, duke bërë të gjitha përpjekjet që më takojnë, me qëllim që procesi të ruajë sadopak standardet e garës. Në qoftë se do të krijoj bindjen se këto standarde nuk kapin minimumin e nevojshëm, do të marr vendimin e përshtatshëm. Unë kam hyrë në këtë garë për arsye parimore dhe jo klanore”, - tha Mustafaj.

Berisha në “Opinion”: Aldo Bumçi, kandidaturë e shkëlqyer

Fushata për PD e Tiranës ka më shumë kandidatë. Keni ndonjë preferencë?

Është një garë e hapur. Statuti ka një nen që kryesia përzgjedh kandidatët. Baza do jetë ajo që do votojë dhe ka kandidatura të shkëlqyera, siç është Aldo Bumçi.

Do e pranojë kryesia kandidaturën e Mustafajt?

Ju mendoni se ai do përjashtohet, nëse ka dëshirë? Absolutisht jo. Kur keni pyetur ju Mustafajn, tha që është konsultuar me statutin. E ka pasur shumë të drejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›