E Shtunë, 31 Tetor 2026

UÇK ka pasur kampe torturash në Shqipëri

Nga Altin Raxhimi, Michael Montgomery dhe Vladimir Karaj

Kukës, Shqipëri - Në një kompleks industrial të rrënuar, me xhama të thyer dhe suva të rrjepur, pulat sorollaten për të gjetur ushqim dhe dy kamionë qëndrojnë në mes të oborrit të rrethuar me depo të ndryshkura dhe një ndërtesë dykatëshe gati të shkatërruar. Në mes të këtij kompleksi është një ndërtesë njëkatëshe që dikur ka shërbyer si zyrë e një fabrike që ka prodhuar gjithçka, prej kapanxhave e deri te kafazet e ashensorëve. Por, gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, mars-qershor 1999, ky objekt ka shërbyer për një tjetër qëllim. Forcat guerilje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, e kishin zënë për ta shfrytëzuar si bazë për të përkrahur operacionet e tyre në Kosovë.

Fabrika nuk ishte thjesht bazë për gueriljet që luftonin kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit për ta pavarësuar Kosovën nga Serbia.

Ajo kishte marrë një qëllim më të lig: aty dhjetëra qytetarë, kryesisht shqiptarë të Kosovës të dyshuar si bashkëpunëtorë të regjimit serb, por edhe serbë e romë, burgoseshin, rriheshin dhe torturoheshin. Disa ishin vrarë dhe eshtrat nuk u janë gjetur ende. Njerëzit që thuhet t’i kenë drejtuar keqtrajtimet kanë qenë oficerë të UÇK.

Dëshmitarët thonë se së paku 25 njerëz kanë qenë të burgosur në Kukës. Mes tyre kanë qenë dhe tri femra shqiptare nga Kosova. Në këtë kamp janë vrarë së paku 18 persona, kurse disa të tjerë, më vonë, janë shpëtuar nga trupat e NATO-s.

Duket se qendra në Kukës ka qenë njëra ndër disa qendrat sekrete të paraburgimit në Shqipëri dhe Kosovë dhe se të burgosurit janë transferuar nga një objekt në tjetrin.

Edhe pas ndërhyrjes të NATO-s, një kamp ka vazhduar të funksionoj në Baballoq, në Kosovë, ku janë mbajtur rreth 30 serbë dhe romë, për të cilët ende nuk dihet se ku janë. Sipas katër burimeve, serbë të rrëmbyer në Kosovë, mund të jenë mbajtur në kampe tjera në Shqipëri.

Emrat e disa të dyshuarve si bërës të këtyre veprave kanë qenë të njohur për UNMIK për kohë të gjatë.

Njëri nga të përfshirët tash mban pozitë të lartë në sistemin gjyqësor të Kosovës, ka zbuluar Balkan Insight. Ndërkohë Bislim Zyrapi, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, i cili ka qenë përgjegjës për operacionet e UÇK në Kukës, ka thënë për Balkan Insight se në bazën në fjalë, si dhe në rrethinën e Kukësit, nuk janë vrarë civilë.

Dy nga udhëheqësit kryesorë të UÇK, në intervista të ndara për BBC, po ashtu kanë hedhur poshtë të gjitha këto pohime. Hashim Thaçi dhe Agim Çeku i kanë thënë BBC se ata nuk kanë qenë në dijeni për ndonjë burg të UÇK, ku të burgosurit janë keqtrajtuar apo ku janë mbajtur civilë. Thaçi ka thënë se ka qenë në dijeni se ka pasur individë që e kanë keqpërdorur uniformën e UÇK pas luftës, por ka sqaruar se UÇK është distancuar nga akte të tilla. Ai ka shtuar se keqpërdorime të tilla kanë qenë ‘minimale’.

Gjeneral Çeku ka thënë se UÇK ka zhvilluar “luftë të pastër.”

Por, Jose Pablo Baraybar, ish-shef i Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore në UNMIK, thotë: “Ka njerëz të gjallë, të cilët kanë qenë të burgosur në atë kamp në Kukës. Këta njerëz kanë parë njerëz të tjerë aty, shqiptarë dhe jo-shqiptarë. Pjesëtarë të udhëheqjes së UÇK kanë kaluar nëpër atë kamp. Shumë emra janë përmendur dhe do të thosha që ky është një fakt.”

Baraybar ka ndjekur gjurmët e personave të zhdukur në Kosovë dhe përtej kufirit në Shqipëri.

Karin Limdal, zëdhënëse e EULEX, ka thënë për Balkan Insight se EULEX është në dijeni për pohimet rreth rastit të Kukësit dhe se prokurorët po i shikojnë dëshmitë për të parë nëse mund të ngritin aktakuza.

Mercedesi i vdekjes

Zbulimet për kampin e Kukësit në verilindje të Shqipërisë bazohen në intervista me disa burime: dy dëshmitarë okularë - një ish-i burgosur dhe një ish-pjesëtar i UÇK, shënime nga një varrezë në Shqipëri dhe dokumente të OKB, të cilat i zotërojmë e të cilat japin detaje nga dëshmitë e të keqtrajtuarve në Kukës. Së bashku, ato paraqesin pamje të një regjimi brutal burgu që është në kundërshtim me pohimet e ish-liderëve të UÇK, të cilët thonë se i kanë respektuar konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe asnjëherë nuk kanë keqtrajtuar civilë.

Abuzimet në Kukës mund të mos kenë qenë raste të izoluara. Sipas ish-luftëtarëve të UÇK, të cilët kanë folur për Balkan Insight, si dhe sipas dëshmive të pavarura dhënë hetuesve të OKB, UÇK ka mbajtur një rrjet të zgjeruar të së paku gjashtë burgjeve sekrete në bazat e tyre në Shqipëri dhe në dy baza që i kanë pasur në Kosovë, gjatë dhe pas luftës.

Këto burgje, shumë prej tyre afër bazave të UÇK në Shqipëri, janë përdorur për hetime dhe marrje në pyetje, procese këto që kanë përfshirë rregullisht torturimin, thonë burimet e intervistuar për këtë artikull. Shumica e ish-ushtarëve të UÇK janë krenarë për luftën e tyre me forcat serbe, aksionet e përgjakshme të të cilave kanë detyruar ikjen masive të qindra-mijëra shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre në vitin 1999. Por disa thonë se janë ndjerë të turpëruar nga veprat që disa komandantë dhe liderë të UÇK kanë bërë në emër të luftës.

“Në atë kohë nuk dukej e çuditshme”, - thotë një ish-ushtar i UÇK, i cili i ka parë ngjarjet nga afër.

“Por tani, kur shikoj prapa, e di se disa gjëra që u janë bërë civilëve të pafajshëm, kanë qenë gabim. Njerëzit që i kanë bërë këto gjëra, bëjnë sikur të mos të ketë ndodhur asgjë dhe vazhdojnë ta lëndojnë popullin e vet, shqiptarët.”

Një tjetër dëshmitar okular, shqiptar i Kosovës, thotë se është mbajtur në Kukës nën pretekstin se ka qenë spiun i Serbisë, pandehje të cilën ai e mohon fuqishëm. Ky njeri, që dëshiron të mbetet anonim, ka shpjeguar se ka parë ushtarët e UÇK duke keqtrajtuar dhe torturuar të burgosurit në këtë bazë me javë të tëra, shpesh nën mbikëqyrjen e oficerëve të UÇK.

“I kam parë njerëzit tek rriheshin, thereshin, dhe goditeshin me shkopinj bejsbolli”, - thotë ai. “Kam parë njerëz të lënë pa ushqim për pesë apo gjashtë ditë. I kam parë arkivolet tek hidheshin nëpër varre. Kam parë njerëz të vrarë.”

Ky njeri pohon se shumica e të burgosurve në Kukës kanë qenë civilë, kryesisht shqiptarë që akuzoheshin se punojnë për regjimin e Millosheviçit, dhe disa romë. Ka pasur edhe disa ushtarë të UÇK, të burgosur për shkaqe disiplinore. Sipas të dy burimeve, tre nga të burgosurit kanë qenë femra shqiptare të Kosovës. Dy kanë qenë rome nga Prizreni. Të tjerët kanë qenë meshkuj shqiptarë të Kosovës, 20 deri 27 vetë, të gjithë të akuzuar për bashkëpunim me forcat serbe. Një i burgosur ka thënë se ka dëgjuar britma në gjuhën serbe nga të burgosurit që po torturoheshin në një distancë të vogël nga kompleksi. I burgosuri thotë se “kam dëgjuar njerëzit duke bërtitur dhe ulëritur, ndërsa po torturoheshin dhe kam mundur të dalloj qartë se atje po flitej gjuhë amtare serbe.”

Ai thotë se disa të burgosur shqiptarë janë vrarë apo rrahur deri në vdekje në bazë, derisa të tjerët janë larguar me një Mercedes të verdhë. Një i burgosur shqiptar ka vdekur para shtatë vetave në qeli, kur u godit me plumb në kofshë dhe u la pa u trajtuar.

Shënimet e varrezës në Kukës ndriçojnë rastin e njeriut që ka vdekur, pasi është goditur me armë zjarri në këmbë. Sipas shënimeve të varrezave, ai është varrosur katër ditë para se forcat serbe të largoheshin nga Kosova, më 10 qershor 1999, në pjesën e varrezave të rezervuar për shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë vdekur në Shqipëri gjatë konfliktit.

“Sa herë e kam parë atë Mercedes të verdhë, dikush është marrë me të dhe më nuk e kam parë atë njeri”, - thotë burimi që ka qenë i burgosur. “Nuk janë gjetur kurrë.”

Ky ish-i burgosur thotë se beson se njerëzit janë mbajtur aty për arsye të ndryshme, si p.sh., hakmarrje dhe lakmi, si dhe për arsye se janë pandehur të kenë qenë spiunë të Serbisë. Një i burgosur ka punuar si polic në qytetin perëndimor të Gjakovës nën regjimin e Millosheviçit. Ai është marrë në këtë Mercedes të verdhë dhe që atëherë nuk është parë më. Një tjetër ka qenë mësues, i cili është mbajtur për arsye se ka pasur leje për të bartur armë nga autoritetet serbe. Ish-i burgosuri thotë së beson se më shumë se 25 persona janë mbajtur aty nga marsi deri në qershor të vitit 1999. Të burgosurit kanë qenë kryesisht nga qyteti i Prizrenit dhe fshatrat përreth. UÇK i ka kapur ata nga turmat e kosovarëve që kanë arritur në Kukës gjatë periudhës së luftimeve. Sipas të dy burimeve, së paku një nga ta është arrestuar në Durrës apo Lushnjë, në Shqipërinë qendrore. Një i burgosur kujton një të burgosur tjetër, shqiptar nga Kosova, duke u thënë trupave në oborr nga dritaret mbyllura se, nëse e vrasin atë, ai ka gjashtë vëllezër që do t’ia marrin hakun. “Çka do të bëni me ata?” - i pat sfiduar ai.

Sipas burimeve të njëjta, dhe dokumenteve të UNMIK gjatë hetimit të rastit, menjëherë pas luftës disa nga të mbijetuarit janë transferuar në qelitë e stacionit policor në Prizren, Kosovë.

Më 18 qershor, ata dhe të burgosur tjerë nga UÇK në Prizren janë liruar nga trupat gjermane të KFOR, të cilët e kanë bastisur ndërtesën. Burime të njëjta vlerësojnë se 18 të burgosur mund të jenë vrarë në Kukës. Burimi që ka qenë ushtar i UÇK, thotë: “E kuptoj që kanë bashkëpunuar me serbët dhe kanë shkaktuar shumë dëm. Kjo do t’i tërbonte njerëzit, kur mendon për masakrat që po ndodhnin në anën tjetër të kufirit. Por ata janë trajtuar në mënyrë brutale. Nganjëherë më vinte keq për ta.”

Ish-i burgosuri, me të cilin kemi biseduar, ishte skeptik se ndonjë nga të burgosurit ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me njësitë vrastare serbe.

“Edhe nëse kanë merituar të ndëshkohen, askush nuk ka të drejtë t’ia bëjë atë [torturë] dikujt [tjetër]”, - thotë ai. “Askush nuk ka të drejtë t’ia bëjë atë një qenieje tjetër njerëzore.”

Rrjeti i kampeve

Kukësi ka qenë vend me rëndësi strategjike për UÇK. Armët, uniformat, paratë dhe rekrutët e rinj kanë kaluar nëpër këto depo dhe ndërtesa.

Baza ka qenë e rëndësishme edhe për policinë ushtarake të UÇK, e cila supozohet se ka mbledhur të dyshuar nga masa e civilëve që largohej apo ishte dëbuar nga forcat serbe për në Shqipëri.

Sipas disa policëve që i kemi intervistuar, një njësit i Ushtrisë Shqiptare i stacionuar në bazën e Kukësit e ka ndihmuar UÇK në organizimin e operacioneve të policisë ushtarake. Duket se Kukësi ka qenë një ndër qendrat e shumta të burgimit në Shqipëri dhe Kosovë. Të burgosurit transferoheshin nga njëra anë në tjetrën.

Dy të burgosur ishin sjellë në Kukës nga një objekt i ngjashëm i UÇK afër qytetit të Burrelit, thotë ish-i burgosuri, ku UÇK kishe baraka për trajnim të ushtarëve gjatë dy muajve të fundit të luftës.

“Na treguan se njerëzit po vriteshin atje, dhe po hidheshin në gropa të gëlqeres”, - tha ai. “Mund të shihja çka po ndodhte në Burrel edhe nga gjendja në të cilën i sillnin... Ishin torturuar keq.”

Sipas dokumenteve të OKB, intervistave me pjesëtarë të UÇK dhe të burgosur, të burgosur të tjerë ishin transferuar në Kukës nga qendrat e UÇK nga së paku dy vende tjera, Durrësi, dhe pas luftës, nga Prizreni.

UÇK kishte njësi të inteligjencës dhe polici ushtarake në shumicën e bazave që i mbante në Shqipëri.

Halil Katana, gazetar ushtarak nga Tirana, shkruan në biografinë e tij të autorizuar të Kudusi Lamës, komandant i divizionit të Kukësit, Kudusi Lama: Gjeneral i luftës: “Ato njësi [të policisë ushtarake të UÇK] kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen e disiplinës në grupet e UÇK të trajnuara në rajonin e Kukësit, si dhe në kapjen e agjentëve serbë, të cilët hynin në vend mes refugjatëve nga Kosova.”

Sipas burimit tonë të tretë, pjesëtar tjetër i UÇK, këto njësi mbanin qeli burgu në Babine, qendër e logjistikës aftër rajonit kufitar të Tropojës, në kampin e trajnimit në Burrel, si dhe në bazën e UÇK në Durrës. Bislim Zyrapi, aktualisht zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka qenë përgjegjës për operacionet e UÇK në këtë bazë në Kukës nga fillimi i majit deri në përfundimin e bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, më 10 qershor. Ai thotë se të burgosurit në burgun në Kukës kanë qenë ushtarë me probleme disiplinore dhe se nuk ka pasur të vrarë në bazë ose jashtë saj. Por, ai shton se e kishte gjetur UÇK të çrregullt, me ushtarë të armatosur dhe individë që bridhnin lirisht në qytet dhe vende tjera në Shqipëri. Një ndër gjërat e para “që duhet të bëja ishte t’i disiplinoja”, - tha ai.

Ata që i kryen, në liri

Sipas dëshmitarëve okularë, dy qytetarë shqiptarë, të përfshirë në UÇK, kanë marrë pjesë në procesin e marrjes në pyetje. Njëri, i cili përshkruhet të ketë pasur flokë të gjata, të zeza, ka qenë posaçërisht brutal ndaj romëve të Prizrenit, sipas një burimi.

Një burim thotë se luftëtarët e UÇK që ktheheshin nga luftimet në Kosovë nganjëherë zbraznin tërbimin e tyre te të burgosurit. Tjetri thotë se të burgosurit torturoheshin për të pranuar se kishin bashkëpunuar më forcat serbe të sigurimit shtetëror, UDBA. Hetuesit dëshironin t’i incizonin të burgosurit duke pranuar bashkëpunimin me Serbinë. Burimet e njëjta që kanë qenë dëshmitarë të bazës në Kukës kanë thënë se hetuesit në Kukës kanë qenë eprorë të UÇK, të cilët kanë qenë të përfshirë në kapjen e të dyshuarve si bashkëpunëtorë. Të dy burimet tona në lidhje me bazën kanë identifikuar disa oficerë të UÇK si të përfshirë në keqtrajtimet në Kukës. Njëri nga ta aktualisht është zyrtar i lartë në sistemin gjyqësor në Kosovë. Balkan Insight nuk po i boton emrat e atyre që i kryen, të pandehur, për të mos rrezikuar burimet tona. Sipas ish-ushtarëve të UÇK që kemi intervistuar, disa njerëz të përfshirë në keqtrajtimet në Kukës kanë qenë të përfshirë edhe në rrëmbimin e qytetarëve të Kosovës pas luftës.

Cak i tyre nuk ishin “tradhtarët” shqiptarë, por serbët dhe romët që kishin mbetur në Kosovë pas hyrjes së trupave të NATO-s.

Një shqiptar i Kosovës që ishte kthyer të luftonte në Kosovë, pasi kishte jetuar shumë vite jashtë vendit, na ka treguar se ka parë afro 30 serbë dhe romë që mbaheshin në një kamp të UÇK në Baballoq, aftër Deçanit në Kosovën perëndimore, edhe pas luftës, në verën e vitit 1999. Ai tha se kishte dëgjuar britma nga ky vend dhe kishte supozuar se të burgosurit po torturoheshin. Kur patrullat e NATO-s kalonin andej, të burgosurit fshiheshin në një punëtori, shton po ky burim. Ky ish-luftëtar i UÇK thotë se dyshon se ky grup është dërguar përtej kufirit në Shqipëri dhe është asgjësuar. “Kurrë nuk i kam parë më, nuk kam lexuar për ta nëpër gazeta”, - thotë ai. “Kështu që me siguri janë zhdukur në male.”

* Altin Raxhimi është gazetar në profesion të lirë në Tiranë. Michael Montgomery është korrespondent special për Qendrën për Gazetari Hulumtuese në Berkeley, Kaliforni. Vladimir Karaj është gazetar i të përditshmes tiranase “Korrieri”

Hulumtimi për këtë artikull është sponsorizuar nga Alumnni Fund for Balkan Fellowship for Journalism Excellence. Një pjesë e fondeve është siguruar nga SCOOP, strukturë e Asociacionit danez për Gazetari Hulumtuese që ndihmon sponsorizimin e gazetarisë hulumtuese në Evropën Lindore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›