Topi: Politika të qëndrojë larg kartave të identitetit
Presidenti Bamir Topi i kërkon klasës politike të qëndrojë larg procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit. Topi iu drejtua politikës me thirrjen që t’i japë fund këtij debati të paprecedentë dhe të mos krijojë një kaos psikologjik tek qytetarët. Presidenti bëri përgjegjëse direkt klasën politike për situatën e krijuar dhe kërkoi prej saj që të gjejë një zgjidhje të shpejtë dhe sinkronizim të zërit si një detyrë morale të politikanëve ndaj këtij procesi. Ndërsa qytetarëve shqiptarë u bëri të qartë se nuk duhet të vënë në dyshim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Por, Presidenti i vendit, duke shfrytëzuar debatin e nxehtë politik për letërnjoftimet elektronike, u përfshi edhe në fushatën elektorale të partive politike. Gjatë një takimi me drejtues dhe studentë të Shkollës Politike Shqiptare, z. Bamir Topi u ndal në situatën parazgjedhore, duke e cilësuar të gabuar ndërhyrjen e politikës në procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit. Topi u drejtoi shqiptarëve mesazhin e qartë se duhet të marrin dokumentin e identifikimit. "Të gjithë duhet të aplikojnë për karta, - apeloi kreu i shtetit, - ndonëse Presidenti nuk futet në debatet politike të ditës, ai e jep këtë mesazh, që duhet të shkojë tek çdo qytetar". "Gati dy muaj para zgjedhjeve, fatkeqësisht, jemi akoma tek çështja nëse do të pajisemi ose jo me letërnjoftime. Po them se ky është një hap dhe këtë po e them për herë të parë, mjaft i gabuar i politikës shqiptare, e cila ka pasur kohën e mjaftueshme që të merret me këtë problem dhe të mos e kthejë në fokus, pikërisht dy muaj para zgjedhjeve. Çështja e kartave nuk duhet të kthehet në një kaos psikologjik për qytetarët", - nënvizoi Presidenti. "Sot, - vijoi ai, - do të ishte koha që partitë politike të përballnin të gjitha projektet e tyre, misionet e tyre, pasi ajo që do qytetari më shumë sot, është të dëgjohen se cilat do të jenë programet. Kjo situatë uroj që të zgjidhet sa më shpejt në mënyrë definitive; partitë duhet t'i largohen këtij debati dhe të gjejnë zgjidhje. Ato duhet të sinkronizojnë zërin e tyre dhe kjo është detyrë minimale e politikanëve, të cilët paguhen për këtë punë". Sipas z. Topi: "Politika ka dhënë shembuj, që kur është dashur për të marrë vendime shumë të rëndësishme, i kanë marrë brenda një nate, vendime që janë përshëndetur, por nuk besoj të ketë vendim më të rëndësishëm sesa i çështjes së letërnjoftimeve". Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi takimin me studentët e Shkollës Shqiptare për Studime Politike mbështetur nga Këshilli i Evropës për të dhënë mesazhin e rëndësishëm se zgjedhjet e 28 qershorit janë sfida më e madhe për Shqipërinë. I rrethuar nga studentët në ambientet e Pallatit të Brigadave për më shumë se 40 minuta, Presidenti i Republikës, sqaroi pozicionin e tij në këtë situatë politike si dhe përçoi direkt te studentët, politikanët e qytetarët mesazhin e rëndësishëm se zgjedhjet duhet të jenë të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme. Gjatë takimit, Presidenti Topi inkurajoi studentët për angazhime të mëtejshme drejt përsosjes jo vetëm personale, por dhe rritjes së kualitetit të politikës. Kreu i shtetit vlerësoi se Shqipëria është në fazën e fundit të tranzicionit, i cili ka zgjatur për më shumë se 18 vjet, për shkak edhe të faktit se pjesa më e madhe e politikanëve aktualë nuk vijnë nga një shkollë politike, por nga profesione të ndryshme. “Besoj se jemi në fund të fazës së tranzicionit. Shqipëria tani është anëtare e aleancës më të madhe politike për paqe. Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme të integrimit në BE”, - u tha Presidenti studentëve. Gjatë leksionit të tij, kreu i shtetit theksoi se studentët janë një shans për përparimin e politikës shqiptare dhe sfidave të integrimit të Shqipërisë.