Mustafaj: Me këtë qeveri nuk shkohet në zgjedhjet e 2009
ADI SHKEMBI
Ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” se në qeveri duhet të rikthehen njerëzit me kontribut në PD. Mustafaj flet edhe për dekretet për Gjykatën e Lartë dhe zgjedhjet në parti.
Prej disa javësh maxhoranca dhe presidenti janë në një debat publik mes tyre lidhur me pesë dekretet për në Gjykatën e Lartë. Duke pasur edhe precedentë të mëparshëm me zotin Moisiu, shumica ka kërkuar prej kreut të shtetit për të bërë negociata paraprake. Si e gjykoni këtë pretendim të maxhorancës?
Këtu nuk është fjala për negociata, por për konsultime. Këtë pretendim të maxhorancës unë e quaj krejtësisht të drejtë. Edhe vendimi që përmendet kaq shpesh i Gjykatës Kushtetuese, në interpretimin që i bën këtij fakti, para dy vjetësh, thekson se “Kushtetuta parashikon dhënien e një pëlqimi të vërtetë nga Kuvendi. Kjo nënkupton që, përfshirja e Kuvendit në këtë proces ka të bëjë jo vetëm me shqyrtimin e rregullshmërisë juridike, por edhe meritës së zgjedhjes së bërë nga Presidenti i Republikës”. Pra, kërkohet një kooperim institucional i presidentit dhe Kuvendit. Unë fjalën kooperim kështu e kuptoj. Tashmë ne jemi para një situate kur parlamenti është në kolaps dhe nuk duhet të mendojmë më pse nuk u bë kjo, pse nuk u bë ajo. Le të mbetemi përsëri te mundësitë që ka Parlamenti për të dalë nga ky ngërç dhe kjo do të thotë të votohen dekretet emër për emër, duke përfituar nga mundësia që ka Parlamenti për të replikuar mbi meritat e secilit nga kandidatët e dekretuar nga presidenti. Le të merren emër për emër dhe secili, ai që ka meritat e nevojshme sipas gjykimit të Parlamentit le të kalojë, ai që nuk ka meritat e nevojshme le të hidhet poshtë dhe s’do jetë anëtar i Gjykatës së Lartë.
Pak javë më parë, kryetarja e kuvendit ka kërkuar më shumë informacion nga Ministria e Brendshme, ajo e drejtësia dhe Prokuroria e Përgjithshme lidhur me këto pesë emra. A e tejkalon ky veprim i zonjës Topalli rolin e saj si spikere e Parlamentit?
Dikush duhet ta bënte këtë gjë. Parlamenti është në të drejtën e tij të kërkojë informacione për të krijuar bindjet e nevojshme për kandidatët që do të votojë. Parlamenti nuk është noterizues i dekreteve të presidentit, siç e thotë edhe Kushtetuta. Dikush duhet ta bënte. Nëse duhet ta bënte kryetarja apo komisioni i Ligjeve, këtë gjë ne mund ta diskutojmë në mënyrë që të përcaktohen qartë në të ardhmen. Parlamenti është në të drejtën e tij për të kërkuar informacione.
Në këto pesë dekrete, shihet qartë që presidenti ka zgjedhur profilin teknik. E shikoni këtë përpjekje të zotit Topi si një mundësi për ta mbajtur Gjykatën e Lartë larg ndikimeve politike?
Unë besoj se presidenti Topi është nisur nga qëllime pozitive në zgjedhjen e kandidatëve. Besoj se i ka shqyrtuar shumë seriozisht. Unë nuk paragjykoj aspak zgjedhjet që ka bërë presidenti. E vetmja vërejtje e imja është që periudha e konsultimit të nevojshëm, ajo që në vendimin e Gjykatës Kushtetuese quhet kooperim institucional midis presidentit dhe Parlamentit nuk është kryer sa duhet. Por në asnjë rrethanë unë nuk i paragjykoj zgjedhjet që ka bërë presidenti Topi.
Zoti Mustafaj, rasti i fundit i pesë dekreteve të zotit Topi tregoi edhe njëherë se të gjitha institucionet që dalin prej shumicës së djathtë në Parlament janë në konflikt me këtë parti. Janë për t’u përmendur rastet e Sollakut, Moisiut dhe së fundi rasti i zonjës Ina Rama dhe tani zoti Topi. A ka një tendencë kjo maxhorancë të mbledhë pushtet rreth saj dhe të gjitha ato institucione që ajo prodhon, i dalin kundër dhe ajo më pas i sulmon?
Mendoj se problemi duhet parë në të gjitha anët. Ju thoni që ata dalin kundër, duhet parë pse hyjnë në konflikt me maxhorancën. Në rastin konkret unë nuk mendoj se zoti Topi ka tendencën t’i kundërvihet PD-së ashtu siç nuk konstatoj brenda grupit parlamentar një frymë kundërshtimi ndaj zotit Topi. E theksoj se ka pasur një menaxhim shumë të keq të këtij problemi të pesë dekreteve. Menaxhimi ka qenë shumë i keq nga grupi parlamentar dhe nga Berisha. Nuk është normale që ne sot gjendemi në një situatë kur Presidentin e Republikës, ish-nënkryetarin e PD-së, e mbron opozita. Pavarësisht që mbrojtjen që i bën opozita është krejt e pasinqertë, spekulative, qëndrimet e saj nuk burojnë nga një dashuri për institucionin e presidentit dhe as nga ndonjë respekt i veçantë për zotin Topi. Në fund të fundit ata nuk morën pjesë në votim për presidentin, me vendim partie. Menaxhimi i keq i është bërë nga ana jonë në Parlament këtij rasti. Ne na e dëmton imazhin si një forcë politike që prodhon figura shtetarësh të mëdhenj. Ne jemi e vetmja parti që i kemi dhënë këtij vendi dy presidentë, Berishën dhe Topin. Ne jemi një parti me pjekurinë e nevojshme për ta qeverisur dhe transformuar shtetin. Mua s’më vjen mirë dhe ndihem keq kur ndodhin këto gjëra.
Prej kohësh është folur për ndryshime në qeveri. Vetë kryeministri Berisha i paralajmëroi këto ndryshime pas marrjes së ftesës në NATO, por ende nuk ka një vendim. Ne po hyjmë në një vit elektoral. Kur mendoni ju se është afati i fundit për të bërë ndryshime në qeveri?
Unë mendoj se me këtë kompozim që ka qeveria nuk mund të shkohet në zgjedhje. Qeveria ka një imazh të dobët, ka një imazh të konsumuar. Ndryshimet në qeveri janë një vitalizim i imazhit të qeverisë dhe qeveria është një nga shtyllat kryesore për të fituar zgjedhjet. Pra, qoftë për shkak të konsumimit që ka kjo qeveri, qoftë edhe për shkak se aty nuk është PR-ja që është aleatja kryesore e PD-së për arsye që ju i dini, kjo e bën të domosdoshme sa më shpejt, energjitizimin e qeverisë, pra ndryshimet në qeveri.
Konkretisht cilët sektorë ju i shikoni problematikë dhe duhen përfshirë nga ndryshimet?
Është në të drejtën e kryeministrit përcaktimi i ministrive, ku ai mendon se duhen bërë ndryshime. Nuk është një debat që unë si anëtar i kësaj maxhorance e mendoj të nevojshme të hyj. E rëndësishme është që unë si anëtar i kësaj maxhorance ndjej nevojën që në vitin e fundit të mandatit qeveria të jetë e perceptuar më mirë nga opinioni publik, të jetë një qeveri më efikase, më prezente në media, më prezente në komunikimin drejtpërdrejtë. Duhet të reflektojë më shumë modernitet.
Ju po thoni që me këtë qeveri maxhoranca e djathtë i humbet zgjedhjet e 2009?
Unë jam i bindur që maxhoranca e djathtë do t’i fitojë zgjedhjet e 2009.
Me këtë qeveri?
Unë thashë që duhen bëtë ndryshime, por gjithsesi, maxhoranca është më shumë sesa qeveria.
Kur flasim për ndryshimet në qeveri, kemi parasysh edhe hapësirën që kanë aleatët në kabinetin qeveritar. Në ndryshimet e ardhshme që duhen bërë, a duhet të ketë një rishikim të posteve që kanë aleatët dhe a duhet që PD-ja në këtë vit të fundit të mandatit të saj të marrë disa nga sektorët e saj dhe t’i drejtojë vetë?
Mos më fusni mua të diskutoj për konceptin e qeverisë, sepse kjo është e drejtë e kryeministrit, e drejtë kushtetuese e tij dhe ka mandatin tonë për kompozimin e qeverisë. Unë them se ne kemi qeverisur tre vjet me aleatë dhe duhet të shkojmë deri në fund me aleatët. Pastaj, ndarja e fushave që do qeverisen nga aleatët dhe të tjerat që do qeverisen nga PD-ja, ky është një problem tjetër. Ajo që do kërkoja unë nga kryetari i PD-së është që qeveria të jetë më politike për sa i përket PD-së, pra të ketë një përfaqësim më të madh politik vetë PD-ja, figurat e saj, njerëzit me kontribut, ata që gëzojnë respektin e demokratëve, pasi me figura thjesht teknike demokratët nuk do të jenë mjaftueshëm të mobilizuar.
Karta kryesore me të cilën PD-ja erdhi në pushtet ishte lufta kundër korrupsionit. Por të gjitha sondazhet flasin për një imazh të keq dhe këtij imazhi iu shtua edhe “Gërdeci” ku mbetën 26 të vdekur. Me çfarë karte do të shkojë kjo maxhorancë në zgjedhjet e 2009, pasi lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë më një kartë që mund të përballet me elektoratin?
Mua më vjen keq që nuk arritëm dot, por ka ende kohë që të tregojmë se, si PD dhe qendër e djathtë jemi efikasë aq sa premtuam në luftën kundër korrupsionit. Kjo është një keqardhje që ndjej unë dhe një vërejtje që bëj për qeverinë, të cilën unë e mbështes. Në zgjedhjet e ardhshme nuk shkohet me një premtim. Ne zgjedhjet e ardhshme shkohet me një program dhe unë jam i bindur që ne do hartojmë programin më serioz për Shqipërinë, ashtu siç jam i bindur se bilanci i derisotëm i kësaj maxhorance përsa i përket transformimit të institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë është më pozitivi që ka pasur ndonjëherë një qeveri në 17 vjet.
Ju keni paralajmëruar se do jeni një zë kritik ndaj kësaj qeverie. A do të formoni ju një pol kritik ndaj kësaj qeverie?
Unë besoj se edhe kur kam qenë anëtar qeverie edhe kur jam larguar nga qeveria jam përpjekur ta shoh me realizëm problematikën që ka pasur qeveria për të zgjidhur. Me këtë kuptim unë jam konsekuent i një angazhimi në politikë që e kam pasur gjithmonë. Unë nuk mendoj se gjërat janë me pole. Unë kam synuar dhe synoj të krijoj në PD një frymë kritike, çka do të thotë të gjallëroj frymën e debatit. Ka në PD shumë njerëz të aftë të zhvillojnë një debat serioz idesh dhe parimesh, të atij identiteti që i duhet të ketë PD-ja. Do vazhdoj të jem një figurë e PD-së që e ushqen këtë parti me frymë kritike ndaj vetvetes.
Të kalojmë pak edhe në zgjedhjet në PD. Parimi “një anëtar një votë” a duhet të shtrihet edhe te kryetari i Partisë?
Ky është një vendim që duhet ta marrim në një mbledhje të këshillit kombëtar, do përfshihet në statut, duhet t’i nënshtrohet një debati. Ky s’mund të jetë një voluntarizëm. Ky vendim s’mund të merret as si t’i pëlqejë Berishës apo Besnikut. Duhet parë brenda paketës së ndryshimeve që do pësojë statuti. Mua më vjen keq që është shkelur statuti në aspektin e zgjedhjeve. Kemi tre vjet që jemi në pushtet dhe që PD-ja nuk ka funksionuar siç e kërkon statuti. Ende s’ka filluar fushata. Nuk është përcaktuar forma organizative që do ketë partia në të ardhmen. Ne kemi pasur 100 degë dhe nëndegë, tani jemi në një ligj të ri elektoral dhe nëse ngelet në këtë formë, duhet të përcaktojmë sa më shpejt formën organizative që do ketë partia, që më pas të vijmë në zgjedhje. S’mund të bëhen zgjedhjet në seksione, ndërkohë që kryesitë e degëve dhe nëndegëve janë të zgjedhura. Kjo krijon një ngërç.
Ju keni qenë gjithmonë kritik ndaj PD-së së Tiranës. I qëndroni ende këtyre kritikave?
PD-ja e Tiranës është inekzistente. PD-ja e Tiranës goditjen më të fortë e mori në zgjedhjet lokale kur nuk funksionoi siç duhet dhe për më tepër në PD-në e Tiranës nuk u bë një analizë. Vazhdon të jetë një parti në një gjendje jo të denjë për një parti të madhe, për një parti me histori dhe aktualitet. Unë mendoj se PD e Tiranës, e cila është motori i PD-së ende është i fikur.
Megjithëse është ende herët për ta bërë këtë pyetje, do të jeni ju nga kandidatët për PD-në e Tiranës?
Unë do të marr pjesë aktive në fushatë, sepse jam një nga demokratët më të vjetër të PD-së së Tiranës. Do përpiqem që kjo fushatë të krijojë gjithë seriozitetin e vet.
Pra, nuk e mohoni që mund të jeni një nga kandidatët?
Kandidatët do dalin gjatë rrugës. Unë nuk po them se do jem apo nuk do jem. Unë do jem aktiv.
Javën e ardhshme pritet të merret vendimi për heqjen e imunitetit të zotit Mediu. A është heqja e imunitetit të ish-ministrit, çelësi për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit?
Mediu ka bërë disa gjëra që nuk i ka bërë asnjë politikan tjetër në historinë e këtij Parlamenti. Mediu dha dorëheqjen menjëherë, duke marrë përgjegjësinë morale dhe politike. Një politikan këtë përgjegjësi ka për detyrë të marrë. Ai i tha familjeve të viktimave, opinionit dhe kolegëve në Parlament, se unë nuk kam më të drejtën morale dhe as politike të drejtoj një dikaster të tillë, përderisa mua më ndodhi kjo gjë. Dorëheqja e tij është një akt shembullor. Ne kemi gjatë 8 viteve të PS-së disa tragjedi dhe në asnjë rast nuk ka dhënë njeri dorëheqjen. Mediu tregoi një integritet të lartë politik. Së dyti, Mediu u vu në dispozicion të drejtësisë. Deri më sot ai i ka shkruar letër prokurores së Përgjithshme, ai ka deklaruar publikisht se është i gatshëm të vihet në dispozicion të drejtësisë. Duke thënë këtë ai ka bërë të ditur se nuk fshihet pas imunitetit. Heqja e imunitetit është e Parlamentit, nuk është e atij vetë. Në këtë kuptim unë jam përpjekur ta inkurajoj shembullin e dorëheqjes që ka prodhuar Mediu dhe integritetin që ka treguar ai në raport me angazhimin e tij politik. Fajësinë e tij le ta përcaktojë Prokuroria.
Braçe: Bllokimi i dekreteve për të larguar Gërdecin
Socialistët lidhin vonesën e miratimit të dekreteve me tragjedinë e Gërdecit. Për t’i dhënë fund kësaj zvarritje të votimit të dekreteve, socialistët i kërkojnë kryetares së Kuvendit Topalli që të hënën të paraqesë për votimin si imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ashtu dhe dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist Erion Braçe tha se, Berisha po mban peng gjykatën për të mos lejuar hetimet, të cilat sipas tij shigjetojnë Berishën si shkaktarin kryesor. Vonesat në votimin e dekreteve të Presidentit për 5 anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, Partia Socialiste i lidh me presionin e Kryeministrit Berisha për t’i shkuar deri në fund hetimeve për Gërdecin.
Sipas socialistëve, vetëm për Gërdecin në këshillin e Imuniteteve kanë mbërritur 3 raporte, e kjo është e papranueshme.
“Situata e paqartë në Kuvend, sipas Braçes, lidhet me mundësinë për pafajësi politike që Berisha po i jep të përfshirëve në ngjarjen e Gërdecit”. Nënkryetari i deputetëve socialistë, duke denoncuar mos futjen në rendin e ditës të Kuvendit as të imunitetit e as të propozimeve të Presidentit, i kërkoi kryeparlamentares që të hënën veç Mediut të votohen edhe dekretet e Presidentit. “Hetimi, gjykimi, ndëshkimi për krimin shtetëror të Gërdecit dhe bllokimin e më pas pushtimin politik të Gjykatës së Lartë janë dy çështje të lidhura fort më njëra-tjetrën. Në Kushtetutë, juridiksioni fillestar i gjykimit të imunitarëve është në Gjykatën e Lartë. Sali Berisha po kërkon të bëjë trup gjykues politik për të siguruar pafajësi politike nga gjykata. Për këtë po përdor Kuvendin”, tha Braçe. a.l.
Beja: Votohen dekretet, jo raporti
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, hodhi poshtë dy ditë më parë mundësinë që në seancën parlamentare deputetët të votojnë raportin e komisionit të Ligjeve për pesë dekretet e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Në një prononcim për mediat, Beja e quan absurditet faktin se mund të votohet raporti i komisionit për këtë çështje, duke thënë se, raporti është standard si për të gjitha ligjet e tjera. “Nuk mund të votohet një raport dhe ky është një absurditet që është futur në qarkullim. Është një raport standard që vjen nga komisioni në seancë siç vihet gjithmonë për kandidatura
apo për ligje. Vihet mendimi i shumicës dhe mendimi i pakicës së deputetëve në atë komision”, theksoi Beja.
Topalli: Dekretet do votohen të enjten në Kuvend
Të enjten do votohen dekretet e Presidentit dhe jo raporti i Komisionit të Ligjeve.
Aristir Lumezi
Kryeministri Berisha duhet të ndërmarrë sa më shpejt ndryshime në qeveri, pasi imazhi i saj ka rënë shumë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një prononcimi për mediat, tha se: “Dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të votohen në seancën e ditës së enjte, me votim të fshehtë”. “Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ka ca ligje mbi të cilat funksionon Parlamenti. Ditën e hënë, më 16 qershor, Kuvendi do të votojë për imunitetin e deputetit Fatmir Mediu. Menjëherë, në seancën e pasardhëse, do të votohen dekretet, me votim të fshehtë, sikurse është vepruar gjithmonë. Asnjëherë nuk është thënë se do të votohet raporti i komisionit të Ligjeve për këtë çështje”, u shpreh Topalli. Kryetarja e parlamentit nuk ka fshehur dje faktin se, në rastin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë anashkaluar disa kompetenca. “Raporti i komisionit të Ligjeve është një dokument parlamentar që i dorëzohet dhe i shpërndahet të gjithë deputetëve e institucioneve, meqë jemi në rastin e një problemi që ekziston tashmë, të cilin parlamenti duhet ta zgjidhë, pavarësisht nga një mospërputhje apo anashkalim që i është bërë ligjeve ekzistuese”, u shpreh për gazetarët, kryetarja Topalli. E pyetur nëse mbështet një propozim të bërë nga ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku për hartimin e një ligj “Për funksionimin e institucionit të Presidentit”, Topalli u shpreh e gatshme ta mbështesë. Sipas saj, një ligj i tillë do të shmangte problemet e krijuara si në rastin e fundit me dekretet e Gjykatës së Lartë. “Nëse një propozim i tillë vjen, pse të mos shqyrtohet, pse të mos hyjë në kalendarin e punës. Unë besoj se gjithë kjo situatë e krijuar në fund të fundit na bën të mendojmë se në raste të tilla si kjo e moskonsultimit, është mirë të gjejmë rrugë ligjore për të mos rënë në përsëritje të tilla që krijojnë probleme të panevojshme”, shtoi Topalli. Dekretet e Presidentit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë kanë ngjallur së fundi një debat të fortë maxhorancë-opozitë, ku kjo e fundit këmbëngul në votimin e tyre të shpejtë në Parlament. Ndërkohë, shumica është shprehur që për plotësimin e vendeve vakante në këtë Gjykatë, duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 18 janarit 2005, i cili interpreton kushtetutën në rastet e emërimeve reja në këtë organ të lartë të gjyqësorit. Partia Socialiste e mbështetur edhe nga partitë e tjera të opozitës, braktisi seancën e fundit parlamentare, pasi kryeparlamentarja nuk kishte sjellë në Kuvend dekretet e presidentit Topi për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Madje, opozitarët akuzuan kryeparlamentaren dhe kryeministrin e vendit se kërkon të kontrollojë institucionet e pavarura dhe Gjykatën Kushtetuese. Socialistët i kanë konsideruar shkelje të rënda të ligjit dhe rregullores së Kuvendit vonesat e dekreteve të presidentit dhe kanë kërkuar për këtë edhe mocion për shkarkimin e Topallit.