E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket i penduari, burgjet: Petrit Liçi s‘është tek ne

“Zhduket” Petrit Liçi, personi që fundosi bandën e Aldo Bares. 

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Tiranës, institucioni ku ai ka paraqitur kërkesën për lirim me kusht nga qelia pa e mbaruar dënimin, mori pak ditë më parë përgjigje negative nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të cilës i kishte kërkuar shoqërimin e Liçit në gjyq. Në përgjigjen e fletëthirrjes së firmosur nga gjyqtarja e çështjes, burgjet pohojnë se i burgosuri Petrit Liçi nuk ndodhet në institucionet e tyre. Pas kësaj gjykata ka përsëritur thirrjen, por kësaj here ia ka dërguar Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Duke lënë kohë të mjaftueshme për zhvillimin e procedurave të korrespodencës gjyqtarja e çështjes e shtyu seancën gjyqësore për t’u zhvilluar fundjavën e ardhshme. Liçi e paraqiti kërkesën në Gjykatën e Tiranës për lirim me kusht nga qelia më 14 maj të këtij viti me pretendimin se ishte sjellë mirë në qeli, në kohën që i ka mbetur për të vuajtur edhe rreth një vit e gjysmë nga dënimi. Pas nënshtrimit të procedurave institucionale në këtë gjykatë, shorti elektronik përzgjodhi një gjyqtare për ta shqyrtuar këtë kërkesë, të cilën dy herë më parë e rrëzuan Krimet e Rënda për shkak të kompetencës. 
Liçi
Liçi ndodhet në qeli prej disa vitesh kur u arrestua në kuadër të “Bandës së Lushnjës”. Gjatë hetimit të çështjes ai pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë duke “fundosur” me dëshmitë e veta 14 anëtarët e tjerë të bandës, përfshi edhe kreun e saj Aldo Bare, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Turqi për llogari të drejtësisë shqiptare. Ndërkohë, në procesin që përfundoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në shtator të vitit 2006, gjykata e gjeti fajtor Liçin për pesë vepra të rënda kriminale dhe e dënoi për to me 25 vjet burg, por për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë dënimi për të u ul në tetë vite burg. Gjykata e Apelit, e cila e shqyrtoi dosjen në fillim të vitit të kaluar vendosi t’i ulte edhe një vit nga dënimi Liçit, duke e dënuar përfundimisht atë me 7 vjet burg. Liçi u gjet fajtor për: “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe u dënua me 7 vjet burg; “vrasje me paramendim” të Bledar Haxhiut, në kuadër të organizatës kriminale, dhe u dënua me 25 vjet burg; “vrasje me paramendim” të Artan Sulçes në kuadër të organizatës kriminale, dhe u dënua me 25 vjet burg; “kryerje të aktit terrorist” të mbetur ne tentative, në kuadër të organizatës kriminale, dhe u dënua me 25 vjet burg; “vrasje me paramendim” të mbetur në tentative të Bardhyl Kurti, dhe u dënua me 25 vjet burg; “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, dhe u dënua me 5 vjet burg.
Dënimi
Nga bashkimi i dënimeve Liçi u dënua me 25 vjet burg, ndërsa duke aplikuar lehtësitë që i jep statusi i dëshmitarit të drejtësisë Liçi u dënua përfundimisht me 8 vjet burgim. Pasi i uli Apeli edhe një vit tjetër Liçit i mbetën për të vuajtur vetëm 7 vjet burg, të cilat sipas gjykatës, duhet t’i vuajë në një burg të sigurisë së lartë. Duke llogaritur paraburgimin e tejzgjatur së të dënuarve të “Bandës së Lushnjës” dhe kohën e qëndruar në qeli, Liçi llogaritet ta përfundojë dënimin pas rreth një viti e gjysmë. Deri më tani, jeta e Liçit ka qenë garantuar në një qeli, që ruhet nga forcat speciale. Ndërsa nuk dihet nëse pas largimit do vazhdojë të ruhet në banesë apo do i jepet mundësia të largohet jashtë shtetit me gjeneralitete të ndryshuara.

Garancia për bashkëpunimin me drejtësinë
Pas lirimit nga qelia pritet që organet shtetërore t’i garantojnë Petrit Liçit jetën, pakt ky i bërë mes tij dhe organit të akuzës në momentin që ai pranoi të “rrëfejë” të gjitha krimet, që janë kryer nga banda, që drejtohej nga Aldo Bare, nga viti 1998 e deri më 2003, kur shteti e goditi këtë organizatë kriminale dhe dërgoi në qeli të gjithë anëtarët e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›