E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Ankesa për pronat dhe Përmbarimin

Avokati i Popullit depozitoi në Kuvend raportin vjetor të institucionit që ai drejton. Ndryshe nga herët e tjera, raporti për vitin 2008 është mjaft voluminoz i përbërë nga 356 faqe. Në të jepet në mënyrë të detajuar e gjithë puna e bërë nga ky institucion, ankesat e depozituara dhe numri i shqyrtimit të tyre. Aty thuhet se burgjet shqiptare janë të mbingarkuar, sipas raportit për vitin 2008 janë regjistruar 322 ankesa. Punonjësit e Avokatit të Popullit për gjatë gjithë vitit kanë vizituar ambientet e burgjeve në Shqipëri ku ka rezultuar që ka pasur 4857 të burgosur, ndërkohë që kapaciteti i tyre ka qenë vetëm për 4166 të burgosur, pra 691 të burgosur mbi kapacitetin. Gjithashtu, në raport theksohet se ankesa në zyrën e Avokatit të Popullit ka pasur edhe për institucionin e prokurorisë për moskryerje të detyrës siç duhet, ndaj theksohet në raport, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Prokurores së Përgjithshme fillimin e hetimeve ndaj 4 prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës. Gjithashtu, gjykatat zënë një vend të veçantë në raportin e Avokatit të Popullit, pasi dhe ankesat ndaj tyre nuk kanë munguar pranë këtij institucioni. Sipas raportit, ka ankesa për mbajtje pa të drejtë në burg të personave që duhet të sistemoheshin në një ambient spitalor për shkak të nevojës për mjekim të detyruar dhënë me vendim nga gjykatat kompetente. Ankesa ka pasur edhe për zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ku për gjatë vitit 2008 janë depozituar 117 ankesa, të cilat si objekt të tyre kanë pasur pretendime për zvarritjen e regjistrimit të pasurive, veçanërisht të apartamenteve, oborreve të banesave private dhe zvarritjen e procesit të marrjes së certifikatës së pronësisë. Në faqet e këtij materiali janë shënuar edhe shumë probleme të regjistruara për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për Zyrën e Përmbarimit, ankesa për Ministrinë e Drejtësisë ku janë protokolluar 677 ankesa. Një tjetër shqetësim i evidentuar në raport ka qenë moszbatimi i rregullores për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve, sidomos atyre që punojnë në ndërtim, miniera dhe metalurgjik. Gjithashtu, në raport thuhet se për vitin 2008 numri i ankimimeve është rritur duke regjistruar 2862 ankesa.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›