Mustafaj dhe Ngjela kundër Berishës për dekretet e Topi
Dy deputetët e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj dhe Spartak Ngjela, e kanë kritikuar me tone të ashpra dje kryeministrin Sali Berisha për qëndrimin që po mban në lidhje me dekretet e presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Besnik Mustafaj është shprehur se kryeministri Berisha tashmë duhet të dijë se Bamir Topi është President i Republikës dhe jo nënkryetar i PD-së. Ndërsa deputeti Spartak Ngjela e lidh përplasjen e Berishës me Topin me ngjarjen e Gërdecit. “Berisha duhet ta kuptojë qartë se Bamir Topi është Presidenti i Republikës, nuk është më nënkryetar i Partisë Demokratike. Nëse Topi nuk e ka bërë konsultimin, Berisha vetë duhet t’i kërkonte takim dhe të diskutonin për kandidaturat eventuale. Berisha ka mandatin e grupit parlamentar, ka mandatin e PD-së dhe duhet të shkonte te kryetari i shtetit, i cili nuk është më nënkryetar i PD-së”, - është shprehur Mustafaj. Sipas Ngjelës, loja e Berishës nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e tij për të dominuar Gjykatën Kushtetuese dhe për të mbrojtur nëpërmjet saj ish- ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Është një dëshirë për të marrë Gjykatën Kushtetuese nga ana e Sali Berishës i cili e ka dashur ta ketë dhe sidomos i duhet tani me gjykimin që ka përpara Fatmir Mediu. Çështja e Gërdecit nuk mbyllet aq kollaj sa mendohet, por Presidenti i Republikës ka kompetenca për dekretimin, merr apo s’merr mendime të tjera është çështje e tij, t’i ke të drejtën për të votuar”, - është shprehur Ngjela. Ai është i bindur se nga kjo betejë politike do të dalë i humbur Berisha dhe do të fitojë politikisht Presidenti Topi. “Fakti që ata nuk i futin në votim dekretet e Topit, do të thotë se nuk fiton Berisha, por fiton Topi. Njëri nga të dy do të rrëzohet politikisht në këtë rast. E rëndësishme është se kush ka maxhorancën. Dhe fakti që ata nuk e fusin dekretet në kuvend do të thotë se Presidenti Topi është i fituar. Berisha ka tre vjet e gjysmë që kërkon të dominojë shtetin”, - është shprehur avokati. Sipas tij, ish-ministri Mediu rrezikon 20 vjet burg për çështjen e Gërdecin, megjithëse ka mbështetjen kryetares së Kuvendit, Topalli dhe kryeministrit Berisha.
4 Qershor 2008