E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten veprat penale për krimin ekonomik dhe korrupsionin

Ina Rama dërgon në Kuvend raportin mbi kriminalitetin për vitin 2007. Kryeprokurorja vëren progres në punën e bërë nga paraardhësi i saj, Sollaku

Eljona Ballhysa

Veprat penale kundër pasurisë dhe sferës ekonomike kanë rezultuar me 10% rritje në krahasim me vitin 2006. Këtë e vërteton kreu i organit të Akuzës, Ina Rama, në raportin për vitin 2007, të dorëzuar dje në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë raport Rama ka vënë në dukje se gjatë vitit 2007 gjendja e kriminalitetit, krahasuar me vitin 2006, ka pasur një tendencë rritje në masën 11%. Një nga drejtimet kryesore të shtrirjes së kriminalitetit kanë qenë pikërisht veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike. Duket se gjendja ekonomike e shoqërisë shqiptare ka nxitur pikërisht rritjen edhe të krimeve ekonomike, që kanë të bëjnë kryesisht me vjedhjen, si dhe me korrupsionin e ushtruar në administratën publike.
Vjedhjet
Në bazë të raportit, bëhet e ditur se për vjedhje të pasurisë janë regjistruar gjithsej 4425 procedime penale me 1780 të pandehur, që zënë 57% të procedimeve për veprën penale kundër pronës dhe në sferën ekonomike, ose krahasuar me vitin 2006 përbën 16% më shumë të procedimeve. Në raportin e prokurores së Përgjithshme bëhet e ditur se për të goditur krimin ekonomik dhe atij të kryer në detyra publike, organi i Akuzës është i vendosur të thellojë bashkëpunimin me Kontrollin e Lartë të Shtetit, me Ministrinë e Financave dhe me institucione të tjera të gatshme që ofrojnë të dhëna për abuzimet e personave me detyra publike.
Korrupsioni
Sipas raportit të kryeprokurores bëhet e ditur se veprat penale të korrupsionit në radhët e punonjësve të administratës shtetërore janë rritur me 5% krahasuar me vitin 2006. Kështu, për veprat penale që lidhen me veprimtari të kundërligjshme të punonjësve të administratës shtetërore janë zhvilluar 663 procedime, me 85 të pandehur, ndërsa janë dënuar 62 persona. Në raport bëhet e ditur se janë realizuar 4 procedime për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, 4 procedime për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, 39 procedime për korrupsion pasiv për personat me funksione publike, 3 procedime për korrupsion aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë, si dhe 3 procedime për dhënie të shpërblimeve dhe premtimeve në cenim të sistemit demokratik të zgjedhjeve.
Krimi i organizuar
Po kështu vihet re dhe një rritje e veprave penale që lidhen me veprimtarinë e krimit të organizuar, kriminalitetit në fushën e narkotikeve, të prostitucionit dhe të trafiqeve të paligjshme. Krahasuar me vitin 2006 këto vepra penale kanë pësuar një rritje prej 11%. Rama vëren se goditja e grupeve kriminale ka qenë prioritet i punës së prokurorisë. Gjatë vitit 2007 janë ndjekur penalisht 31 grupe kriminale me 101 të pandehur. Nga të dhënat vihet tendenca në ulje e trafikut të qenieve njerëzore, por nga ana tjetër tendenca në rritje e fenomenit të prostitucionit dhe shfrytëzimit të tij brenda vendit. Në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar kryeprokurorja Rama vëren mangësi në administrimin e pasurive të konfiskuara. Sipas saj, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara ka mangësi në funksionimin normal të saj, si dhe ka vonesa në ekzekutimin e sekuestrove të vendosura nga gjykata. Rama gjithashtu e vëren të domosdoshme rritjen e buxhetit për të gjitha nivelet e prokurorive. Sipas saj duhet të akordohet një buxhet i mjaftueshëm për funksionimin normal të strukturave të prokurorive në të gjitha nivelet, pasi një prokurori me buxhet të dobët nuk mund të jetë një institucion i pavarur.

Shteti

Veprat penale kundër autoritetit të shtetit zënë 27% të procedimeve dhe krahasuar me vitin 2006 janë rritur me 21%.

Dhuna

Veprat penale kundër personit zënë 16% të procedimeve dhe krahasuar me vitin 2006 kanë pësuar një ulje prej 5 përqindësh.

Ushtarakët

Veprat penale ushtarake zënë rreth 5% të procedimeve dhe krahasuar me vitin 2006 janë rritur me 4%.

Gabimet

Në raport bëhet e ditur se në shumë çështje penale janë evidentuar gabime të shkallëve më të ulëta të gjykimit për shkak të mangësive profesionale apo të interesave jashtëligjore.

Shkeljet

Në disa prokurori janë evidentuar shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat kanë ardhur si rezultat i neglizhencës për të zbatuar kërkesat e Kodit Penal.

Burgjet

Përmirësimi i kushteve të burgimit dhe paraburgimit dhe i kapaciteteve të tyre mbetet detyrë për të gjitha hallkat dhe aktorët e sistemit të drejtësisë penale.

Dënimet

Duhet të aplikohen dënimet alternative pasi burgimi dhe paraburgimi kanë kosto të lartë ekonomike dhe efekte negative për shoqërinë.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›