Mustafaj mbledh deputetët në mbrojtje të Mediut
Takimi
TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ka thirrur dje në takim një grup deputetësh të grupit parlamentar të PD-së dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në një prej bareve të kryeqytetit, Besnik Mustafaj është takuar dje me disa deputetë demokratë, një pjesë e të cilëve njihen si mbështetës të presidentit Topi, dhe deputetë të PR-së, ndër ta dhe vetë kryetarin e kësaj partie, Fatmir Mediu. Nga deputetët që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të pirë një kafe së bashku me ish-ministrin Mediu dhe ish-ministrin Mustafaj mësohet se numri i deputetëve të pranishëm ka qenë rreth 12. Ndër ta mund të përmendim Edi Palokën, Pal Dajçin, Rexhep Ukën, Aleksandër Biberajn, Aldo Bumçin, Rahim Kalecin, Ndriçim Babasi, Ramiz Çobaj, Baki Shehu apo Genc Sharkun. Të pyetur lidhur me atë çfarë kanë diskutuar në këtë takim në fundjavë, deputetët mohojnë që ai të jetë organizuar për qëllime politike apo të jetë diskutuar lidhur me politikë. Sipas tyre, takimi në një nga baret e kryeqytetit nuk ka pasur asnjë motiv tjetër përveçse atij shoqëror. Por, burime pranë deputetëve të pranishëm bëjnë të ditur se, përpos kësaj, qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë një tjetër. Arsyeja për të cilën janë thirrur deputetët në këtë kafe-takim ka qenë ajo për të pirë një kafe me ish-ministrin Mediu, pra, në njëfarë mënyre, të sqarohej raporti i tij lidhur me tragjedinë e Gërdecit, të kishte një lloj shfajësimi. Po sipas burimeve, një tjetër motiv që ish-ministri Mustafaj ka organizuar takimin e djeshëm me deputetët, një pjesë e të cilëve njihen si mbështetës të Topit, ka qenë: ai, për të treguar se, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhet, atij nuk i mungon mbështetja në radhët e grupit parlamentar të PD-së. Ish-ministri Mustafaj ka gati një vit që ka dhënë dorëheqjen si ministër i Jashtëm dhe që nga momenti i dorëheqjes ai ka pasur një qëndrim kritik ndaj qeverisjes së koalicionit të djathtë dhe qeverisë "Berisha". Kritikat e tij Mustafaj i ka shprehur në grupin parlamentar të PD-së, përballë kryeministrit Sali Berisha. Takimi i organizuar nga deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, përkon me ditën e parë si një deputet i thjeshtë i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Dje, Mediu ka nisur ditët e tij si deputet dhe kryetari i PR-së, vetëm një ditë pasi i dorëzoi detyrën Gazmend Oketës.
Deputetët në takim
Besnik Mustafaj
Fatmir Mediu
Pal Dajçi
Edi Paloka
Aleksandër Biberaj
Rexhep Uka
Ramiz Çobaj
Ndriçim Babasi
Baki Shehu
Rahim Kaleci
Genc Sharku
Aldo Bumçi