NATO, Topalli kundër Withers
Topalli kundër SHBA-së
Ftesa për në NATO, meritë e qeverisë
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli e konsideron marrjen e ftesës për anëtarësim në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO) meritë të padiskutueshëm të qeverisjes së djathtë. Ndryshe nga sa deklaro i dy ditë më parë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk do të njihet si rezultat i një grupi të caktuar apo një force politike, por i gjithë klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë, kryeparlamentarja Topalli, ndoshta jo si kundërpërgjigje ndaj tij, ka vlerësuar se dy vjet më parë, pra, kur e djathta mori pushtetin, marrja e ftesës në këtë moment nuk mund të mendohej edhe nga njeriu më optimist. Me këtë ajo ka lënë të kuptohet qartë se kurorëzimi i kësaj aspirate në Samitin e Bukureshtit, më shumë se arritje e klasës politike, do të jetë një vlerësim për punën e kryer nga qeveria e djathtë. "Vetëm dy vite më parë, edhe për optimistin më të madh, marrja e ftesës për në NATO ishte shumë e largët, gati e pamundur", - është shprehur Topalli. Megjithatë ajo nuk ka mohuar edhe rolin që kanë luajtur edhe faktorët e tjerë në këtë proces, siç janë forcat e tjera politike, apo edhe Ushtria Shqiptare. "Besoj se Bukureshti është kësaj radhe vendi ku do të kthehet përgjigja e meritës dhe përpjekjeve 17-vjeçare për të gjithë progresin e realizuar në demokracinë funksionale tashmë në Shqipëri, për reformat e ndërmarra në shtetin ligjor, në forcat ushtarake, në mënyrë të veçantë për kontributin që forcat tona ushtarake kanë sjellë së bashku me misionet e tjera partnere në Afganistan, Irak e Bosnje",- tha Topalli. Duke u treguar shpresëplotë për shanset e marrjes së kësaj ftese javën e ardhshme, kryeparlamentarja ka theksuar se, më pas vendin dhe politikën shqiptare e presin sfida të mëdha për realizimin e reformave të mëdha, që ajo nuk ngurroi t'i përmbledhë në një reformë të madhe shtetërore. Për këtë qëllim ajo është shprehur se pas Samitit, Shqipërisë dhe Kuvendit do t'i duhet një axhendë tjetër veprimesh dhe aksionesh vendimmarrëse, ku natyrisht është e nevojshme dhe konsensusi mbarëpolitik. "Me marrjen e ftesës më 3 prill, dhe besoj se shanset janë shumë të mëdha, kjo do të thotë se marrim përgjigjen e meritës së progresit të reformave, por në të njëjtën kohë, kjo nënkupton një axhendë të re për politikën shqiptare. Kjo nënkupton detyrime të reja që progresin e arritur gjatë kësaj periudhe, ta avancojmë në atë që unë mendoj se duhet të shihet si një reformë e madhe e shtetit, që nënkupton një demokraci që të performojë akoma më mirë një ekonomi edhe më solide, një bashkëpunim i forcave politike edhe më i ngushtë në reformat e shtetit", - u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.