Oketa kërkon paqe midis Shtabit dhe Ministrisë
Ministri i sapoemëruar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa kërkon të vendosë "paqe" mes pjesës civile të institucionit që ai drejton dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Një ditë pasi mori zyrtarisht këtë detyrë Oketa është deklaruar i prerë se çështja e "Gërdecit" nuk duhet të jetë objekt i një sulmi reciprok midis Ministrisë dhe Shtabit, për të ndarë përgjegjësitë në lidhje me këtë tragjedi. Sipas tij, kjo ngjarje i përket tashmë organeve të drejtësisë për ta zbardhur dhe jo institucioneve që mund të jenë objekt hetimi për këtë përgjegjësi. "Ajo që ka ndodhur nuk do të përsëritet më. Nuk do të ketë më deklarime apo thënie dhe kundërthënie midis Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithçka do t'i lihet organeve kompetente, organeve të drejtësisë, për të bërë analizën e duhur dhe për të nxjerrë përgjegjësitë e duhura. Mund të them se beteja mediatike midis Ministrisë dhe Shtabit të Mbrojtjes ka marrë fund",- u shpreh Oketa. Përsa i përket situatës në terrenin e prekur nga vala e shpërthimit të dy javëve më parë, ministri thekson se të martën, që përket dhe me ditën e parë të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për në NATO, zona e Gërdecit do të jetë e pastër dhe e sigurt për një jetë normale të të gjithë banorëve. Ndërkohë që ka bërë të ditur se vetë vatra e shpërthimit, ose siç njihet ndryshe në gjuhën ushtarake "zona e kraterit të shpërthimit" për çështje sigurie do të rrethohet me tel me gjemba, deri në një moment kur ajo të jetë spastruar nga të gjitha objektet që mund të sjellin rrezik për banorët e zonës përreth. Oketa ka bërë të qartë se nisur nga tragjedia e ndodhur në këtë të ashtuquajtur fabrikë çmontimi, do të kërkoj menjëherë një raportim nga të gjitha strukturat vartëse për gjendjen në të cilën ndodhet municioni dhe armët në të gjitha depot apo vendstrehimet në të gjithë vendin. "Do të kërkoj një material për njohjen e situatës faktike të gjendjes së municioneve dhe armatimeve, rritja e nivelit të sigurisë në ato pika ku municionet janë të grumbulluara. Sigurisht, menjëherë pas Samitit të Bukureshtit do të njihem me të gjitha problematikat e Ushtrisë Shqiptare dhe marrjen e masave konkrete. Gjithashtu, për të përfituar edhe nga përvoja, në mënyrë që ngjarje të tilla si ajo e Gërdecit të mos ndodhin më, ministri i ri ka mirëpritur këshillën që një ditë më parë i dha paraardhësi i tij, Fatmir Mediu, për të mos neglizhuar dhe detajet në ushtrimin e detyrës së re. "Është një këshillë me vend dhe të cilën do ta marr në konsideratë, jo vetëm për shkak të ngjarjes, por edhe të natyrës time",- u shpreh Oketa. Ai zëvendësoi Fatmir Mediun në postin e ministrit të Mbrojtjes, pas dorëheqjes së këtij të fundit, menjëherë pas ngjarjes së rëndë të Gërdecit.