E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria po mbush buxhetin me ndihmat e qytetarëve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe grupi i ngritur pranë Partisë Socialiste, për të ndihmuar të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit, janë rikthyer në ambientet e Konvaleshencës së Durrësit, me një tjetër sasi ndihmash të dhuruara nga anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie. Pasi u takuan nga afër me të mbijetuarit e kësaj tragjedie, drejtuesit e lartë socialistë janë njohur me shqetësimet e tyre. "Kjo nuk ishte për fajin tonë, ishte për fajin e qeverisë. Ata thonë që nuk dimë gjë, kush e dinte atëherë? Aty vinin 50 makina ushtrie me municion. Ne jemi hallexhinj dhe na bënë që të dalim në rrugë të madhe",- iu drejtua njëra nga banoret e Gërdecit, të strehuara në Konvaleshencën e Ushtrisë në Durrës. Ndërkohë, kryetari socialist, Edi Rama, duke marrë shkas dhe nga vendimi më i fundit i qeverisë për përcaktimin e donacioneve që kanë dhënë qytetarët e ndryshëm në ndihmë të këtyre banorëve, ngriti shqetësimin për mungesën e plotë të transparencës nga ana e qeverisë, në administrimin e këtyre kontributeve të solidaritetit qytetar. Sipas tij, këto ndihma financiare nuk janë shpërndarë në mënyrë të plotë te njerëzit në nevojë, pasi qeveria ka vendosur që një pjesë të tyre t'i kalojë për rimbursim të buxhetit të saj. "Është e patolerueshme, që qeveria kërkon të mbushë xhepat e buxhetit me fondet e dhuruara nga qytetarët, organizatat, miqtë, për viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë. Këto fonde dhe këto ndihma, janë ndihma të solidaritetit qytetar me viktimat dhe të mbijetuarit", - u shpreh Rama. Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë ofruar ndihmë për banorët e prekur nga vala e shpërthimit dhe jo për qeverinë, e cila është autore e kësaj tragjedie. "Nuk janë ndihma për qeverinë, e cila është përgjegjëse dhe fajtore dhe e cila nuk mund ta përdorë në mënyrë kaq cinike këtë solidaritet, duke marrë nga njëra anë taksat dhe kontributet e qytetarëve për buxhetin dhe, nga ana tjetër, duke futur dhe dhuratat dhe ndihmat e solidaritetit në buxhet, me arsyetimin absurd se po tejkalohet Fondi i Emergjencës, i cili është i paqartë, i cili është jo transparent, i cili është fiktiv, për sa kohë nuk ka një fond të përcaktuar në bazë të të dhënave dhe të kostove",- tha Rama.

Qeveria: PS të kontrollojë fondet për Gërdecin

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka reaguar dje ndaj deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama, i cili tha se qeveria po përdor donacionet për të mbushur Buxhetin e Shtetit. Drejtori i Informacionit pranë qeverisë, Grid Rroji ka sqaruar pozicionin e Këshillit të Ministrave ndaj kësaj akuze të Ramës, duke u shprehur se, përfshirja e donacioneve në fondin e kompensimit të banorëve ka vetëm një qëllim: shpërndarjen transparente të tyre. "Qeveria falënderon të gjithë individët, organizatat dhe vendet mike për ndihmën që kanë dhënë. Përfshirja e tyre në fondin e kompensimit të banorëve të zonës së Bashkisë së Vorës, ka një qëllim dhe vetëm një: shpërndarjen transparente të tyre për të gjithë banorët dhe jo favorizimin e disave dhe harrimin e të tjerëve",- tha Rroji, duke theksuar se qeveria është e vendosur të kompensojë plotësisht, të gjitha dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi dhe ne një kohë sa më të shkurtër. Në këtë kuadër, ai i ka bërë thirrje Ramës të ngarkojë grupin parlamentar të PS-së të kontrollojë, "në çdo qindarkë, fondin për tragjedinë e Gërdecit dhe shpërndarjen e tij". Gjithashtu, Drejtori i Informacionit pranë qeverisë ftoi Ramën që, "nën cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të mobilizojë fonde, donacione dhe dhurata nga bashkia e kryeqytetit për banorët e zonës së Vorës".

PS: Qeveria po fsheh koston reale të tragjedisë

Partia Socialiste akuzon qeverinë se po fsheh dëmin real të shkaktuar nga shpërthimi i dy javëve më parë në Gërdec. Sipas selisë rozë, shteti ka paraqitur vetëm një pjesë të faturës financiare, por jo koston e vërtetë ekonomike të kësaj tragjedie. Me anë të nënsekretarit për Programin Politik, Ervin Bushati, PS ka ngritur dje shqetësimin se barra financiare e shkaktuar Buxhetit të Shtetit, është shumë më e madhe sesa fatura që ka paraqitur qeveria. "Dëmi i shkaktuar i kalon ato të paraqitura në faturën financiare, ofruar nga qeveria pas një inspektimi njëjavor, thjesht si shtëpi dhe orendi të dëmtuara apo dhe disa krerë bagëti. Qeveria është e paaftë dhe e papërgjegjshme për të kuptuar shkallën e rëndë të dëmit të shkaktuar në ekonomi, prandaj dhe nuk mund të përballojë situatën, ashtu si nuk mundi ta parandalojë atë. Kjo është një arsye më shumë pse Partia Socialiste është e vendosur në qëndrimin e saj për të kërkuar largimin nga pushteti të qeverisë së sotme", - u shpreh Bushati. Sipas Partisë Socialiste, qeveria harron të llogarisë si pjesë të faturës financiare të krimit në Gërdec, kostot e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kapitalet e biznesit të shkatërruar, tatimet, sigurimet shoqërore dhe zhdoganimet e munguara, vlerën e tregut të materialit luftarak të vjedhur e të shpërthyer, operacionet e shpëtimit dhe mjekimit që vazhdojnë, kostot e rehabilitimit të zonës dhe mjedisit në të ardhmen etj. Gjithashtu, sipas selisë rozë kjo tragjedi ka shkaktuar edhe një sërë dëmesh të tjera, që kanë të bëjnë me traumën psikologjike dhe sociale, punësimin në zonë, aktivitetin ekonomik të munguar, investimet vendase dhe të huaja, dhe pasigurinë ekonomike në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›