E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mustafaj, vështirë pa mbështetjen e Berishës”

 

Pavarësisht vlerave që ka Besnik Mustafaj dhe kontributit të tij në Partinë Demokratike, është e vështirë që të fitosh një garë nëse nuk ke mbështetjen e kryeministrit Berisha. Deputeti demokrat, Preç Zogaj tha dje se, “ka qenë së paku dhe është e vështirë për mendimin tim pa mbështetjen e kryeministrit Sali Berisha. Ne jemi nisur së bashku në dhjetor. Por historia politike ka qenë thjesht që Berisha është afirmuar si lider. Pra, pozicioni i Berishës është shumë i rëndësishëm për fituesin e garës, por jo për vetë garën, për t’u bërë qëndrimi i Berishës kriter dhe për të pasur apo për të mos pasur garë”. Ndërkohë kandidati i vetëshpallur për degën e Partisë Demokratike të Tiranës, Besnik Mustafaj, tha dje se për këtë hap është konsultuar me statutin e partisë, duke lënë të kuptohet se nuk ka folur paraprakisht me kryeministrin, njëkohësisht edhe kreun e partisë, Sali Berisha. “Kryeministri është njëkohësisht kryetar i PD-së. Unë e kam votuar që në themelimin e PD-së, z.Berisha dhe e votoj ende, po të jetë në garë për diçka, por në themel të PD-së, nuk është kryetari, por është statuti i partisë. Dhe unë jam konsultuar shumë mirë me statusin e partisë”, ka deklaruar Mustafaj. Sipas tij, “kur thashë që jam konsultuar me statutin, unë besoj se z.Berisha dhe cilido nga drejtuesit e partisë nuk ka asnjë bibël tjetër orientimi për të ndërtuar brenda PD-së, atë liri për të cilin kanë nevojë të gjithë anëtarët e PD-së, për të ndërtuar atë frymë dëgjimi, që do të thotë, që çdo anëtar i PD-së ka rëndësinë e vet në formulimin e politikave të PD-së. Rrjedhimisht unë mendoj se nuk ka asnjë pengesë”. I pyetur nëse fakti që nuk është konsultuar paraprakisht me kreun e demokratëve mund të përbëjë një barrierë në synimin e tij për të udhëhequr degën më të madhe të kësaj partie, Mustafaj u shpreh se, fushata e tij nuk është kundër Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›