E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pëndjekurit, Topi: Të dëmshpërblehen financiarisht

Krerët e shtetit përkujtojnë 62-vjetorin e kryengritjes së Postribës, e para kryengritje kundër regjimit komunist në vendet e Evropës Lindore. 

Ridvan DIBRA

Gjatë kësaj ceremonie Presidenti Bamir Topi i ka akorduar kësaj komune urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin “Në shenjë nderimi të thellë për traditat e shquara atdhedashëse të popullsisë së zonës, për rezistencën e pashuar kundër diktaturës komuniste, për përpjekje dhe kontribut të veçantë në fitoren e demokracisë në vendin tonë”. Gjatë fjalës së tyre, Presidenti dhe Kryetarja e Kuvendit vunë theksin në dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, si dhe në hapjen e dosjeve. Topi tha në fjalën e tij në prani të banorëve të Postribës se, “falë jetëgjatësisë së tij, komunizmi mundi të penetrojë me tentakulat e tij në indet e segmentet e ndryshme të shoqërisë, duke krijuar organizma kontrolli e tabu të rreme në mendësinë e vetëdijen tonë shoqërore dhe historike, prej të cilave ne duhet të ndahemi përfundimisht”. Sipas tij, “Shoqëria shqiptare është dhe do të jetë moralisht jo e qetë për aq kohë sa nuk do të vihen në vend padrejtësitë e së kaluarës, për aq kohë sa të persekutuarit politikë të mos shpërblehen deri në fund moralisht e materialisht, për aq kohë sa nuk është bërë rikthimi i plotë i vlerave të tyre si vlera të patjetërsueshme të demokracisë”. Kreu i shtetit theksoi se, duhet shmangur leximi i njëanshëm dhe ideologjik i historisë, duke shtuar se do të dëshmohet vizion i gjymtuar po të ndërtohet sipas tij, një demokraci të mbështetur mbi harresën. “Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte më tej shoqërinë”, u shpreh më tej kreu i shtetit.
Topalli
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se brenda një kohe të shkurtër do të miratohet në Parlament ligji “Për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë”. “Unë besoj se brenda një periudhe shumë të shkurtër ne do kalojmë ligjin, i cili do t’i japë shumë paqe shoqërisë. Ishte sigurimi i shtetit, gestapoja shqiptare, që mori ata djem të rinj, i lidhi me hekura që i mori zvarrë rrugëve të Postribës dhe, më pas, i vendosi te muri i pushkatimit. Ne do ta bëjmë ligjin, sepse ne nuk mund të hyjmë në Evropë pa pasur paqen”, theksoi Topalli. Kryetarja e Kuvendit vijoi se, brenda këtij mandati, në sallën e Parlamentit do të krijohet një muze i krimeve të komunizmit dhe një muze tjetër për ata që luftuan për idealet e tyre perëndimore, siç i quajti ajo. Kryengritja e Postribës konsiderohet si e para e këtij lloji në të gjitha vendet e Evropës Lindore, të cilat ishin nën regjimin komunist. Kjo kryengritje nisi pikërisht në Postribë, pasi Partia e Punës kishte fituar zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 dhe kishte dhënë shenjat e para të vendosjes së regjimit komunist. Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, lëvizja nisi me një takim të kryengritësve më 8 shtator dhe në orët e para të mëngjesit u sulmua kazerma e ushtrisë, burgu i Shkodrës dhe dega e brendshme. Pas disa ditë luftimesh forcat e ushtrisë arritën të shtypin kryengritjen duke vrarë më pas 23 kryengritës. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›