E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron Azem Hajdarin me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

 

Në dhjetëvjetorin e vrasjes, Presidenti Bamir Topi, do të dekorojë Azem Hajdarin me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Presidentit, ku në një njoftim për shtyp thuhet se, “në datë 10 shtator 2008, ora 11.00, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të dekorojë z. Azem Hajdari pas vdekjes, me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Aktiviteti do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave”. Ndërkohë lidhur me këtë ceremoni, Ministria e Kulturës ka përgatitur një axhendë treditore. Kështu sot në orën 18.00 në kinema “Imperial” do të shfaqet premiera e filmit dokumentar për Azem Hajdarin “Azem, ti je gjallë” i regjisorit të mirënjohur Saimir Kumbaro, prodhim i këtij viti. Paraditen e nesërme do të ketë veprimtari përkujtimore në Qytetin Studenti dhe në orën 18.00 do të hapet ekspozita fotografike për ish-liderin e dhjetorit. Ndërkohë ceremonia do të ketë kulmin në datën 12, kur edhe u vra një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Gjatë paradites deri në orën 11.00 do të zhvillohen vizita në familjen e Azemit, në orën 11.30 krerët e shtetit pritet të vendosin kurora me lule në memorialin e Azemit para selisë së PD-së, më pas homazhe në varrin e tij dhe në orën 18.00 do të zhvillohet një mbledhje përkujtimore ku do të ketë referate dhe në përfundim një koncert. Azem Hajdari ka qenë një prej themeluesve të Partisë Demokratike dhe i zgjedhur deputet në katër legjislatura. Azem Hajdari mban urdhrin “Pishtar i Demokracisë”,    “Qytetar Nderi” i disa bashkive dhe komunave, urdhri “Nderi i Kombit”, si dhe Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›