Zv/rektorja: Shpifje akuzat ndaj meje
VLORE - Ndërsa duhen edhe tre javë për të nisur viti i ri akademik, në universitetin "Ismail Qemali" në Vlorë është thelluar kriza tek pedagogët dhe stafi drejtues. Një ditë pas denoncimit në prokurori të dekanes së Drejtësisë, Arta Musaraj, në adresë të zv/rektores Pranvera Jahollari, kjo e fundit reagon duke përgënjeshtruar akuzat. Jahollari deklaro dje në një konferencë për shtyp se, ishte informuar për kallëzimin penal në ngarkim të saj vetëm nëpërmjet medias. "Nuk kam dijeni për çfarë bëhet fjalë. Jam informuar thjesht nëpërmjet medias", u shpreh zv/rektorja e universitetit. Teksa mohoi akuzat e dekanes Musaraj si të pavërteta, ajo shtoi se, ishte e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë pasi në dosjen e saj nuk ekziston asnjë dokument i falsifikuar. "Për personat që më kanë akuzuar do t'u përgjigjem me të njëjtin veprim, atë të rrugës ligjore", u shpreh më tej Jahollari. q.b