E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustedanagiç: Shqiptarët kanë dashuri të madhe për kombëtaren

Nga ADI METALIU

Xhemal Mustedanagiç, i cili udhëhoqi U-17-n drejt kualifikimit, dëshiron ti drejtojë futbollistët e tij derisa të bëhen për kombëtaren A

Pas kualifikimit në turin Elitë, për kombëtaren U-17 të drejtuar nga boshnjaku Mustedanagiç, tashmë mbetet vetëm rruga e kualifikimit në Euro 2012 për këto mosha. Për këtë trajnerit i lind një detyrë më e madhe për të vazhduar më tej. Për kualifikimin e arritur dhe talentet shqiptare ai shprehet mjaft optimist, madje thekson se përfaqësuesja U-17 do të kërkojë kualifikimin për në fazën finale. Le të jetë kjo një ngjarje e madhe, që futbolli shqiptar të ecë në hapa më të mira, – deklaron Xhemal Mustedanagiç

E kishit menduar këtë sukses para ndeshjeve eliminatore?

Unë nga vetë natyra jam optimist, këtë ua kam treguar edhe lojtarëve. Qysh ditën e parë u kam thënë se janë djem të mirë dhe se kam besim tek ata për të arritur diçka të madhe. E dinim se kishim një grup shumë të vështirë, por në fund të fundit kam patur besim te këta lojtarë. Gjithnjë kam thënë se futbolli shqiptar ka talente. Ka diçka futbolli shqiptar, atë që se ka asnjë vend në Europë: gjaknxehtësinë dhe grintën si dhe dashurinë e madhe për ekipin kombëtar.

Si ka mundësi që Shqipëria arrin këtë sukses kur problemet në futbollin e moshave janë të pafundme?

Kjo ndodh sepse Shqipëria ka lojtarë të talentuar. Vërtet mungon infrastruktura, këtë e them me keqardhje, por ata e shohin që ky është realiteti dhe përgatiten që të afirmohen dhe të arrijnë këtu ku janë, apo ku do të jenë po vazhduan kështu për një të ardhme jo të largët. Duhet të punojnë më shumë që të zgjidhen këto probleme, që shqiptarët e vegjël të luajnë më mirë. Më e rëndësishmja është se nga kjo moshë duhet të fitojmë lojtarë për kombëtaren A.

Sa e vështirë ishte për ju të punonit me këtë grup-moshë, kur dihet shpesh se duhet tu mësoni a.b.c-në e futbollit?

Është një proces i vështirë dhe që zgjat. Për shembull, disa nga djemtë duhet që pas disa viteve të bëhen lojtarë të kombëtares së madhe, sepse japin shpresa se kjo do të ndodhë. Duhet të punojmë shumë dhe në ritmet e duhura. Presidenti Duka është shumë i motivuar dhe mundohet që kombëtarja të vijë në një ditë të shkëlqyer. Është njeri që jep nga vetja për futbollin. Po të mos ishte Duka, as unë nuk do të isha këtu, madje nuk do ti kishte vajtur askujt në mendje që unë ekzistoja.

Kjo përfaqësuese ka kryesisht lojtarë që luajnë në Shqipëri, por ka shumë talente të tjera nga Kosova?

Janë dy lojtarë nga Kosova në ekip, të cilët janë përfshirë në programin kryesor të kombëtares që unë drejtoj dhe që kishin probleme me pasaportat. Ata i kanë dorëzuar këto ditë dokumentacionet përkatëse dhe janë kandidatë për të luajtur më vonë.

Më shumë donim të dinim për ata që kanë origjinë nga Kosova dhe luajnë jashtë, kryesisht në Zvicër?

Nuk e di kush janë ata lojtarë dhe ku ndodhen. Le të mi sjellin, ti vëzhgojmë dhe, nëse e meritojnë, sigurisht që do të luajnë për kombëtaren shqiptare. Unë jam i interesuar për talente, sepse në kombëtare vjen më i miri dhe më i dobëti largohet.

Sa mundësi ka kjo kombëtare që të zërë vendin e parë në grup në turin Elitë?

Grupin që lamë pas në eliminatore e kemi pasur shumë të vështirë, por ne kaluam në raundin tjetër. Nuk duhet të kemi presionin e vendit të parë, pasi kjo varet nga mundësia që do të kemi për ta realizuar këtë objektiv. Është arritje e madhe që jemi kualifikuar në raundin kualifikues. Është arritje e madhe dhe për lojtarët. Shihet që shumë pak futbollistë dalin nga kombëtarja e vogël për kombëtaren e madhe të Shqipërisë dhe unë do të mundohem ta arrij këtë.

Ndeshje të tilla eliminatore janë teste të vështira për të përgatitur lojtarë. Ne i mbajmë futbollistët në nivel të madh profesionalizmi, të disiplinuar maksimalisht. Jam kënaqur shumë nga një deklaratë e delegatit të UEFA-s, pasi kemi qenë surpriza e grupit si për ndeshjet ashtu edhe për sjelljen në fushë dhe jashtë saj. Jam kënaqur më shumë për këtë aspekt sesa për vendin e dytë. Skemi marrë asnjë karton të verdhë për sjellje jo të mirë të lojtarëve, por thjesht nga loja e fortë.

Mund të na përmendni dy-tre emra të spikatur?

Kjo është një analizë që e bën federate, nuk mund ta them unë, pasi i kam të gjithë njësoj.

Kuzhe dhe Duka i dhanë dorën njëri-tjetrit. A ndikon kjo ndarje në të ardhmen tuaj?

Unë jam profesionist. Në të gjitha kompeticionet jam treguar profesionist. Jam punonjës i federatës dhe tashmë mendoj për kombëtaren U-17 dhe të nxjerr sa më shumë lojtarë për kombëtaren e madhe.

Si është më mirë, të qëndroni tek U-17-a, apo ti përcillni këta futbollistë deri tek U-21?

Më mirë është që bashkë ti përcjellim dhe më në fund të nxjerr deri 5 lojtarë për kombëtaren e madhe. Ju e dini që lojtarët nuk bëhen brenda një nate, por duhet ti gjej, ti seleksionoj dhe ti bëj gati për kombëtaren A.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›