E Diel, 1 Nëntor 2026

Karabeci: Tirana ka frikë veten

Nga ERJON SALIU

Unë luaj në çdo cep të fushës, skam preferenca. Më mungon trofeu i kampionit, që do e fitoj këtë sezon

Mesfushori Erando Karabeci, në prag të ndeshjes së dytë të grupeve të Kupës së Shqipërisë me Laçin, që do të zhvillohet sot, në orën 14:00, është i bindur se Tirana nuk do të thyhet në një prej transfertave më të vështira. Karabeci, ndër të tjera, ka folur edhe për rolin e ri, atë të shkatërruesit, ndërsa beson se këtë sezon për herë të parë do ti fitojë të dyja trofetë, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.

Tirana synon ti fitojë të dyja trofetë, kampionatin dhe kupën, kështu që edhe në Laç luajmë për të fituar. Unë nuk mund të bëj dallime, por di të them që oreksi në skuadër është i madh dhe ne duam që këtë sezon ti fitojmë të dyja trofetë. Për sa u përket rivalëve, me lojërat që kemi zhvilluar deri më tani, them me bindje se asnjë kundërshtar nuk na ndal dot, qoftë kur luajmë në shtëpi, por edhe në transfertë. Më frikë duhet që të kemi veten tonë, pra të bëjmë kujdes nga euforia.

Roli Unë ndihem mirë edhe kur luaj përpara mbrojtjes është një rol që ma ka kërkuar trajneri dhe specialistët e kanë vlerësuar atë që unë bëj dhe kjo është shumë e rëndësishme. Për skuadrën unë bëj edhe role të tjera dhe jo më në mesfushë, ku ia kam marrë dorën tashmë. Është pozitive për një lojtar të cilit trajneri i beson disa pozicione në fushën e lojës. Jo vetëm kaq, por fiton edhe eksperiencë.

Nuk ndihem i përdorur, përderisa ma beson një detyrë të tillë trajneri, unë ndihem i vlerësuar. Kisha qejf edhe unë të isha afër portës kundërshtare, por këtu vendos trajneri, ndaj për mua më shumë e rëndësishme është që skuadra po ecën mirë dhe po merr rezultate pozitive nga java në javë.

Goli Këtë sezon, në radhët e Tiranës, te të gjithë lojtarët po vihet re qartë dëshira për të shënuar. Erandoja e ka peng që në këto gjashtë javë që kanë kaluar, ende nuk ka mundur që të gjejë rrugën e rrjetës. Të them të drejtën, mua po më mungon shumë goli, kur shoh që në skuadrën tonë shënojnë të gjithë, mbrojtës, mesfushorë dhe sulmues. Çdo lojtar ka dëshirë që të shënojë, mbi të gjitha është e nevojshme, sepse goli të jep një kënaqësi. Them se nuk do të vonojë, që edhe unë ashtu si pjesa më e madhe e shokëve të mi ta gjej golin.

Trajneri Rubio, analizë me të tijtë para Kupës

Dje, para se të startonte seanca stërvitore, trajneri Hulian Rubio Sançez ka zhvilluar edhe një analizë me të gjithë lojtarët që ka pasur në dispozicion. Rubio ka folur për ecurinë e deritanishme, por u ka kërkuar të tijve që ta vlerësojnë edhe ndeshjen e sotme të Kupës së Shqipërisë ndaj laçjanëve në fushën e këtyre të fundit. Natyrisht që kupa është trofeu i dytë për nga rëndësia, por kjo nuk do të thotë që kryeqytetasit të ulin ritmin, në një periudhe kur gara sa po vjen e bëhet më interesante. Ndaj edhe spanjolli Rubio i karikon lojtarët e tij vazhdimisht, në mënyrë që ata të vlerësojnë çdo ndeshje që kanë, qoftë në shtëpi apo në transfertë.

Spanjolli grumbullon dy lojtarë nga U-19

Trajneri Rubio kërkon që të fitojë lojtarë dhe në ndeshjen e sotme që do të luajë në Laç, ka grumbulluar edhe dy lojtarë nga skuadra e të rinjve, që stërvitet nga i mirënjohuri Agustin Kola. Bëhet fjalë për mbrojtësin Erion Hoxhallari si dhe mesfushorin Mateos Leventi.

Dje, të dy kanë zhvilluar për herë të parë stërvitje nën drejtimin e trajnerit spanjoll Hulian Rubio. Pak ditë më parë, me ekipin e të rriturve është bashkuar portieri 17-vjeçar, Princ Çali. Me sa duket, trajneri Rubio është i dashuruar pas lojtarëve të rinj. Kujtojmë që ai gjatë kësaj periudhe ka guxuar dhe ka aktivizuar në formacion në ndeshje të rëndësishme të Europa League edhe Takun, Morinën, Peposhin, Kërçikun etj.

Heples i dëmtuar, stërvitet i diferencuar

Mesfushori i bardhebluve, Kameron Heples, ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës, dje është stërvitur në mënyrë individuale. Heples ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes me Bylisin, në përplasje me një nga lojtarët kundërshtarë. Prej dy ditësh, nën vëzhgimin e fizioterapistit, ai bën vetëm vrapime në fushën me bar artificial. Pas Dushkut, me shumë mundësi edhe Heples do të qëndrojë pushim në ndeshjen e sotme ndaj Laçit. Trajneri Rubio e bën një gjë të tillë në mënyrë që gjendja e lojtarit të mos përkeqësohet dhe e ruan për kampionatin.

Ska grumbullim, sot paradite drejt Laçit

Bardheblutë nuk do të grumbullohen një ditë përpara ndeshjes, ashtu siç kanë bërë deri më tani para ndeshjeve në transfertë. Kështu, vendimin e ka marrë stafi teknik dhe lojtarët, pasi janë stërvitur dje pasdite, janë lënë që ta kalojnë natën pranë familjeve të tyre, por gjithmonë janë porositur që të mbajnë regjim të rreptë. Sot paradite, në orën 11:30, skuadra do të udhëtojë drejt Laçit, ku në orën 14:00 do të startojë takimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›