E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime të shumta te Skënderbeu, por vetëm 7 pikë

Nga LEONARD TREBICKA

Trajneri Levi ka sjellë ndryshim rrënjësor te kampionët, sot çeku do të ketë ndeshjen e katërt, por mendjen e ka më shumë tek e hëna

Trajneri Stanislav Levi sot mbush plot dy javë në krye të Skënderbeut, ndërkohë që deri tani i ka drejtuar kampionët në tri ndeshje, dy për kampionat dhe një për Kupën e Shqipërisë. Vetëm 7 pikë në 6 javë ka Skënderbeu i këtij sezoni të ri, ndërkohë që 5 pikë i përkasin ish-trajnerit, Shpëtim Duro dhe 2 të tjera Stanislav Levit.

Ajo që të bie në sy si nga drejtimi i Duros, por edhe i Levit, është fakti që Skënderbeu nuk është më skuadër e frikshme në sulm, pasi golat nuk po vijnë akoma, ndërkohë që mbrojtja e ka bërë më së miri detyrën e vet. 4 golat e shënuar dhe 3 të pësuar mbajnë të gjithë firmën e trajnerit Duro, ndërkohë që Levi për kampionat me skuadrën e tij akoma se ka bërë sefte, pasi ka barazuar pa gola në dy ndeshjet e kampionatit, ndaj Kamzës dhe së fundi ndaj Teutës. Gjithsesi, ndryshimi i Skënderbeut nën drejtimin e stafit të ri u duk se erdhi qysh në ndeshjen e kaluar në Durrës, një Skënderbe vërtet ndryshe me lojë, por që përsëri nuk shënon.

Pankina Trajneri çek është i rreptë, me një disiplinë të jashtëzakonshme ose ndryshe diktator është quajtur Stanislav Levi te Skënderbeu, ndërkohë që edhe dje në stërvitjen e fundit përpara ndeshjes së sotme për Kupën e Shqipërisë ndaj Kastriotit, trajneri ka ngritur tonet me të tijtë. Disiplina e çekut ka bërë që lojtarët e Skënderbeut, sidomos ata jabanxhinj, ti harrojnë edhe familjet e tyre, ndërkohë që Levi ka ndër mend tu japë lojtarëve leje vetëm për festat e fundvitit.

Stafi i Skënderbeut, përpara çdo seance, duhet të jetë në stadium plot një orë përpara, ndërkohë që për futbollistët lejohet të vijnë vetëm 30 minuta përpara stërvitjes, në rast të kundërt, gjobat dhe pezullimet janë gati. Këto masa po vijojnë çdo ditë e më shumë te Skënderbeu i Levit, ndërkohë që ditën e djeshme, pavarësisht se flet në disa gjuhë, por që hera-herës duhet që përkthyesi të qëndrojë në fushë, trajneri ka ngritur tonet me lojtarët, duke kërkuar që çdo ushtrim të ndiqet në mënyrën më të mirë nga lojtarët e tij.

Në vend-numëro Është e vërtetë që për trajnerin Levi nuk mund të thuash shumë gjëra qysh në këtë moment, pasi ai sot mbush plot 2 javë nën drejtimin e skuadrës, por pavarësisht kësaj, ajo që të  bie në sy është se kampionët kanë mbetur përsëri në vend, me 7 pikë, në vendin e 9-të të tabelës së klasifikimit. Duhet të presim akoma për të dhënë një ide përfundimtare për trajnerin e ri, por ajo që dihet dhe që është qartësuar nga Levi është se ai vetëm mezi pret janarin, kur të fillojë revolucionin e madh, pasi pritet që në merkaton e dimrit të largohen shumë lojtarë dhe të vijnë po shumë të tjerë.

Orelesi dhe Vrapi, sërish e nisin nga stoli 

Nuredin Orelesi dhe Endri Vrapi tashmë nuk mund të quhen një çështje për Skënderbeun. Themi këtë pasi të dy lojtarët janë zgjedhur nga trajneri i ri Stanislav Levi që ta nisin edhe ndeshjen e sotme për kupë nga stoli. Kjo është zgjidhja e vetë Levit, ndërkohë që vendin e Vrapit duket se prej tri ndeshjesh e ka zënë Gvozdenoviç. Gjithsesi, të kesh në stol një lojtar si Vrapi, është luks, ndërkohë që për sa i përket Orelesit, edhe ai nuk ka mundur të bindë trajnerin e ri dhe janë dy ndryshimet e mëdha të Levit që kur ka ardhur te Skënderbeu.

Xhafaj dhe Grboviç, stërvitje të diferencuar

Përfundimisht, Daniel Xhafaj nuk do të jetë në fushë në ndeshjen e sotme, ndërkohë që edhe pse do ta ketë emrin të shënuar në protokollin e ndeshjes së sotme si rezervë e Skënderbeut, ai nuk do të aktivizohet fare. Në stërvitjen e ditës së djeshme, Xhafaj është parë të stërvitet veç grupit, ndërkohë që është marrë më shumë me mjekun e ekipit, Jorgo Pantazi, ashtu siç është marrë edhe Grboviç, që edhe sot nuk do të jetë i gatshëm, ndërkohë që nuk dihet akoma se kur do të bashkohet me Skënderbeun në stërvitje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›